Macron dhe Merkel për një evropë madhështore - Opinione - Kosova Sot
Macron dhe Merkel pėr njė evropė madhėshtore

Macron dhe Merkel pėr njė evropė madhėshtore

Shkruan: Parag Khanna

Kancelares Angela Merkel i është bërë mjaft! Vetëm një ditë pas takimit formal të G7-tës në Sicili, ajo u kthye në Gjermani dhe deklaroi para një audience në Munih, se SHBA-ja dhe Britania nuk janë më partnerë te të cilët mund të mbështetesh dhe se, sidomos SHBA-ja, "e ka dobësuar Perëndimin" dhe vazhdon me ta minojë ekzistencën e BE-së. Kjo nuk është hera e parë që Merkel ka dalë në mbrojtje të nderit të Evropës. Në një fjalim të ngjashëm në janar, ajo ia tërhoqi vërejtjen SHBA-së se ajo nuk kishte një "garanci të përjetshme" të bashkëpunimit nga Evropa. Në një kohë kur Donald Trump qorton evropianët që të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre, ai duhet të ketë kujdes me dëshirat e tij. Një divorc transatlantik ka kohë që është parë në horizont. Rigjetja e besimit rrjedh pjesërisht edhe nga Brexit. Brukseli, Luksemburgu dhe Berlini kanë bërë vizita të shumta në Londrës në kuadër të negociatave rreth Brexitit, duke e çrregulluar politikën britanike.

Zvarritet dalja nga BE-ja e Britanisë

Derisa strategjia britanike kah negocimi i daljes së saj nga BE-ja është duke u zvarritur, "Evropa e vjetër" ndjen se e ka hequr qafe barrën britanike, meqë ky vend vazhdimisht vepronte kundër interesave të një unioni më të gjerë dhe më të thellë. Më pas, aty janë rezultatet pro evropiane të zgjedhjeve holandeze, si dhe zgjedhjeve të fundit franceze, duke paraqitur edhe një fitore për unitetin evropian. Emmanuel Macron qartazi kishte mbrojtur pozicionin e tij gjatë shtrëngimit të tij të parë të dorës me Trumpin, si dhe duke u siguruar që ta përshëndeste Merkelin para Trumpit (apo ndonjë kreu tjetër të shtetit) gjatë takimit të liderëve në Sicili. Së bashku, Merkel dhe Macron e dinë se ata përbëjnë boshtin e ri franko-gjerman i cili, sikur që kishte thënë Merkel në Munih, "duhet të luftojë për të ardhmen e vet dhe për fatin e evropianëve". Rezultati i këtyre zgjedhjeve, i kombinuar me pritjet për një rritje të gjerë ekonomike të eurozonës, duan të thonë se BE-ja ballafaqohet me një rrezik të vogël nga shpërbërja, gjë që është parashikuar shumë herë gjatë dekadës së fundit. Pyetja e madhe e cila do ta diktojë të ardhmen e Evropës, është deri në ç'masë Merkel lëshon pe në lidhje me qëndrimin strikt të qeverisë së saj në lidhje me çështjet si borxhet e Greqisë, apo sektori bankar italian. Edhe pse pritet që ajo t'i fitojë zgjedhjet që do të mbahen në shtator, duke marrë mandatin e kancelarit për herë të katërt, ajo mund të ketë nevojë për ta formuar një koalicion të madh me partinë rivale socialdemokrate. Dhe, nëse posti kritik i ministrit të Financave i ndahet kundërshtarit të saj në zgjedhje, Martin Schulz, ai do të mund ta çonte Merkelin drejt një solidariteti më të madh fiskal me Evropën jugore dhe me ekonomitë problematike të vendeve të atyshme. Derisa nuk do të ketë asgjë për të humbur në aspektin politik, ajo mund t'iu ofrojë këtyre vendeve një fleksibilitet paksa më të madh. Edhe nëse rimëkëmbja e Evropës vazhdon përgjatë një rruge me gropa, mos harroni se dëshira e haptë e Trumpit për ta mbajtur Evropën e dobët dhe pa përkushtim ndaj Marrëveshjes së Parisit rreth ndryshimeve klimatike, janë ajo pesha e vogël, që çon deri te ndryshimi i 'baraspeshës së peshores'. Evropianët nuk do ta presin një proces gjyqë- sor (impeachment) ndaj Trumpit, për të bërë plane për jetën pas aleancës me Amerikën. Pa marrë parasysh sa shumë ata mund të kenë mospajtime rreth financave dhe imigrimit, gjetja e unitetit në bërjes së dallimit midis tyre dhe politikës amerikane, ka rëndësi të madhe. Likuiditeti ekonomik Hapi tjetër për Evropën është që t'u kthehet politikave të cilat e kishin bërë madhështore, shumë më të madhe sesa shuma e shteteve anëtare të saj. Nuk ka gjë më të rëndësishme në këtë drejtim sesa likuiditeti i cili vjen nga ekonomitë e bashkuara. Tani mund të jetë koha për modifikimet institucionale të cilat para krizës financiare ishin dukur si jo të domosdoshme, si dhe si të paevitueshme pas kësaj krize: një marrëveshje fiskale, korniza e tregjeve të kapitalit dhe unioni bankar - ku që të gjitha këto, nëse normat e interesit mund të tërhiqen edhe më lehtë në territorin pozitiv, do ta mundësojnë një ristrukturim të vërtetë dhe do të joshnin triliona euro në tregun e eurobonove. Nëse i përkushtojmë kohë dhe mbështetje, atëherë ky model funksionon. Më pas Evropa do të ishte më e përgatitur për teatrin e gjallë gjeopolitik në të cilin ajo tani duhet të veprojë me një autonomi shumë më të madhe. Mos harroni se kjo, ishte esenca e vërtetë e fjalimit të Merkelit në Munih. Derisa Trump e ka akuzuar Gjermaninë se është "tepër e keqe" në tregti, për shkak të bilancit të madh pozitiv, Gjermania dhe eksportuesit e tjerë evropianë kanë një treg të madh për mallrat e tyre: Azinë. Në fakt, tregtia e BE-së me Kinën, Japoninë, Indinë, Australinë, Korenë Jugore dhe Azinë Juglindore tanimë është më e madhe sesa tregtia e saj me SHBA-në, për gati 300 miliardë dollarë në vit - dhe kjo është realizuar para se Evropa t'ia japë Kinës statusin e "ekonomisë së tregut" apo të nënshkruajë marrëveshje të tregtisë së lirë me Japoninë, Indinë dhe të tjerët. Kjo ka implikime enorme për dy sfida të tjera të mëdha të politikës së jashtme për administratën Trump: Rusinë dhe Iranin. Përkundër akuzave serioze ndaj stafit të kampanjës së Trumpit dhe faktit që dhëndri i tij ka pasur biznese të dyshimta me Kremlinin, Trump është detyruar që ta mbajë një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë edhe pse një gjë e tillë shkon kundër qëllimeve aktuale të tij dhe të sekretarit të shtetit, Rex Tillerson. Por, derisa politika e Uashingtonit ndaj Rusisë mbetet me duar të lidhura për shkak të hetimeve në vazhdim, mund të pritet që Evropa ta prishë unitetin dhe të riangazhohet me Rusinë, duke krijuar mundësi të reja biznesore derisa ekonomia është duke u rimëkëmbur. 

Marrëveshjet e mëdha në fushën e energjisë

Një gjë e ngjashme me gjasë do të ndodhë edhe në lidhje me Iranin. Pas fjalimit të ashpër antiiranian të Trumpit në Arabinë Saudite, Evropa me gjasë do ta humbë durimin ndaj politikës amerikane të konfrontimit të kotë. As sanksionet, e as izolimi nuk kanë bërë punë për dobësimin e regjimit klerikal të Iranit. Ndërkohë, rizgjedhja bindëse e presidentit Hassan Rouhani nënkupton vazhdimësinë e dëshirës së Iranit për një angazhim më të madh me perëndimin. Për shumë kompani evropiane, 'treni është larguar nga stacioni': marrëveshjet e mëdha në fushën e energjisë, infrastrukturës, patundshmërive dhe sektorëve të tjerë, nuk do ta presin angazhimin e Trumpit. Është duke ardhur koha që Evropa ta rikërkojë një rol qendror në balancën strategjike globale. Merkel dhe Macron janë duke ua rikujtuar homologëve të tyre fuqitë e përhershme të regjionit: infrastrukturën e nivelit botëror, qytetet efikase të madhësisë mesatare, politikat socialdemokrate, bizneset e forta lokale, një pabarazi të ulët dhe traditat e pasura kulturore. Kujdes: shekulli XXI nuk do të jetë as amerikan, e as kinez. Evropa do të bëjë çkado që të mundet që të mbetet në qendër të hartës.

(Parag Khanna është kërkues i lartë shkencor në Qendrën për Azi dhe globalizim në Universitetin e Singaporit)

(Kosova Sot)

11 orë e 52 minuta më parë