Sa janë të pavarura Shqipëria dhe Kosova?

Sa janë të pavarura Shqipëria dhe Kosova?
  • 14 August 2017 - 08:21

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ 

Çdo luftë që zhvillohet në botë, bazën e ka te interesi ekonomik, mirëpo për të përgatitur opinionin e brendshëm, nxitjen për luftë e bëjnë nga rrënjët e thella nacionaliste, ndërsa për opinionin e jashtëm luftën okupuese e shndërrojnë në luftë gjoja për shpëtimin e minoritetit të tyre, e për shpëtime të tjera. Në këtë mënyrë Serbia dhe Greqia ende vazhdojnë ta ushqejnë popullsinë e tyre me mite të rrejshme të kohërave të harruara si dhe gjoja për të drejtat e minoritetit të saj në Kosovë thuajse jeta e tyre po rrezikohet nga popullsia shqiptare shumicë. Pavarësisht tentimeve të Serbisë për destabilizimin e shtetit ende të brishtë tonë, serbët e kanë humbur koloninë e tyre të quajtur Kosovë dhe kurrë më këmba e tyre okupuese nuk mundët t'i robërojë territoret tona. Serbia gjendet para një realiteti të përfunduar sa i përket ripushtimit ushtarak të Kosovës, mirëpo duke e nxitur nacionalizmin e tyre me Car Lazara e Car Dushana ata i ushqejnë shpresat e popullsisë së tyre se një ditë do të rikthehen si dhe ende u japin frymë bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë përmes të cilëve e kanë pushtuar Kosovën në mënyrë ekonomike duke ua mundësuar t'i blejnë pasuritë shtetërore dhe financimin për hapjen e firmave të mëdha, ku shqiptarët e luajnë rolin e padronit për opinionin tonë, e në fakt janë vetëm menaxherë të firmave të ngritura me para të Serbisë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Shqipëri ku macro-ekonominë e kanë financuar kapitalistët serbë të njohur si Mishkoviqi, Kariqi ,Fazlliqi, Stanishiqi, përmes Braqa Kariq e firma të tjera greko-serbe, të cilët janë aktive edhe sot në Kosovë

Strategjia okupuese ekonomike

Qe ky mendim të ketë impakt dhe bazë të shëndoshë duhet të logjikojmë pa inate individuale dhe të nisemi nga vetvetja për t'i analizuar se si dikush që pas luftës ishte skajshmërisht i varfër tani pasluftës gjendet padron i një fabrike apo ndërmarrje gjigante milionëshe?! Një njeri me të ardhura mesatare kurrë nuk do kishte mundësi materiale të blinte Fabrikën e Amortizatorëve edhe sikur të shitej pesëmijë euro. Pavarësisht se kjo është shitur me një çmim qesharak ku vetëm me shitjen e hekurave janë nxjerrë paratë, një qytetar me rrogë mesatare nuk do kishte asnjë mundësi të bëhej pronar i kësaj fabrike, andaj pronar ose menaxher u bë dikush tjetër pas të cilit qëndron kapitali i Stanishiqit, Kariqit, Mishkoviqit apo edhe i të tjerëve. Po të zhvillohet një hulumtim publik i pavarur mbi pronarët e fabrikave dhe firmave gjigante në Kosovë dhe Shqipëri, do të rezultojë se pas shumicës së tyre qëndrojnë kapitalistët grekoserbë dhe aty-këtu edhe Turqia. Një hulumtim i tillë nuk ka për t'u bërë edhe për shumë vite apo dekada, sepse në pushtetet tona në Shqipëri e në Kosovë janë pikërisht pronarët që janë miq të afërt të Stanishiqit, Kariqit, Mishkoviqit e Fazlliqit, të cilët censurojnë dhe ndalojnë çdo hulumtim të këtij lloj. Këto shërbime serbo-greke, përveçqë kanë investuar në fabrika, për ta mbrojtur kapitalin e tyre këta kanë investuar edhe në ngritjen në karrierë politike në dy qeveritë tona, Shqipëri e Kosovë, kanë investuar në hapjen e televizioneve të fuqishme dhe dhjetëra portaleve të ndryshme në atë mënyrë që ne sot të mos dimë asgjë mbi arsyen e gjendjes skajshmërisht të varfër të shqiptarëve. Madje, këto shërbime përmes mjeteve të tyre të informimit kanë arritur që ta deorientojnë popullatën tonë nga origjina e problemit. Nuk është e rastësishme kur dëgjojmë e lexojmë në mediet tona se po shtohet vdekja e shqiptarëve nga kanceri dhe sëmundjet e zemrës gjoja për shkak të bombardimeve të NATOsë, sepse sipas këtyre gazetarëve ende paska uranium të varfëruar. Opinioni ynë është bindur plotësisht se shkaku i vdekjes nga kanceri dhe zemra është uraniumi i varfëruar, por në fakt, askujt nuk i shkon ndërmend të zbulojnë faktorët e vdekjes së hershme nga këto dy sëmundje, që pa asnjë dyshim aty ka ndikim mielli që bëhet për kafshë e konsumohet për njerëz, që Devollët ua shesin shqiptarëve si të klasit të parë. Ky miell a nuk është kancerogjen ?! Pulat e ngordhëta nga Argjentina, Kolumbia, Rusia e vende të tjera që u shiten shqiptarëve, a nuk janë kancerogjene ! Preparatet e ndryshme kimike që blihen në Serbi e prej të cilave me një kilogram pluhur bëhen qindra kilogramë suxhuk, qindra qofte e me shije të porositura për t'i shitur si mish viçi, mish pule etj. etj., a nuk janë kancerogjene ? ! Edhe pse çdo e pesta qebaptore qoftet i bëjnë më pluhur të tillë, asnjë gazetarit nuk i shkon ndërmend të bëjë hulumtime për t'i denoncuar këta të cilët e helmojnë popullsinë tonë e fajin ia hedhin uraniumit të varfëruar të NATO-s. Këto dhe shumë faktorë të tjerë janë pjesë e strategjisë së armikut për t'i mbajtur të pushtuar ekonomikisht dy vendet tona dhe për t'i penguar të pavarësohen për zhvillimin dhe mirëqenien e popullsisë sonë.

Njëqind vjet shtet dhe ende pa aeroplan!

Është për t'u habitur se si Shqipëria mbi njëqind vjet shtet e ende nuk ka arritur të themelojë kompaninë kombëtare të aeroplanëve udhëtarë. Si mund të krenohet një personalitet politik shqiptar me postin e tij kryetar shteti apo kryeministër kur ai nuk ka kompaninë kombëtare të aeroplanëve për bartjen e udhëtarëve? Diaspora shqiptare e shpërndarë në katër anët e botës, ka udhëtarë, të cilët vijnë rregullisht në vendlindjen e tyre, dhe nga këta udhëtarë fitojnë miliarda euro kompanitë e huaja. Këto kompani paguajnë taksa për zbritje dhe parking, si dhe i korruptojnë dy qeveritë tona, që këta kurrë të mos tentojnë të zhvillojnë kompani kombëtare të udhëtarëve ku këto miliarda do përdoreshin për zhvillimin ekonomik të vendit. Udhëtimet me aeroplan për Kosovë e Shqipëri janë më të shtrenjtat në botë, sepse nga këto shitje, përveç disa personaliteteve qeveritare, përfitojnë edhe stërshitësit e biletave që aktualisht janë reduktuar në disa dhjetëra. Nuk është normale që një biletë Bruksel -Prishtinë të kushtojë dyqind euro, kurse BrukselAthinë të kushtojë pesëdhjetë euro në të njëjtën periudhë. Ne mburremi që jemi njëqind vjet shtet e ende pa aeroplan, kurse Maqedonia që pak dekada është shtet dhe e ka kompaninë kombëtare të aeroplanëve. A nuk është turp për Qeverinë shqiptare?! Kush po i penguaka të krijojnë kompaninë kombëtare të aeroplanëve ? Natyrisht që pas këtyre qëndrojnë kompanitë që kanë leverdi ekonomike e këto janë të njohura. Njëqind vjet shtet pa trajekt kombëtar për bartjen e mallrave dhe udhëtarëve që vijnë nga diaspora dhe shkojnë në drejtime të ndryshme të botës. Si është e mundur që Mali i Zi me pesëqind mijë banorë të ketë trajekte për bartjen e udhëtarëve dhe mallrave nëpër deti, e ne shqiptarët ende mburremi me njëqindvjetorin e shtetit. Ne qytetarët e thjeshtë kemi plotësisht të drejtë të krenohemi që jemi shqiptarë dhe që e festuam njëqindvjetorin e pavarësisë, mirëpo dy qeveritë tona kurrë nuk kanë punuar në ndërtimin e shtetit, imazhit dhe mirëqenien e qytetarëve. Kjo nuk duhet të pritet as në të ardhmen, sepse për ngritjen në karrierë politike dhe për ngritjen e pasurisë individuale " kujdesën " shërbimet e Stanishiqit, Kariqit, Mishkoviqit, Fazlliqit e të tjerëve. Është e pakuptueshme se si deri sot kurrë në Parlamentin e Tiranës asnjë deputet nuk kërkoi themelimin e kompanive kombëtare për bartjen e udhëtarëve në det dhe hapësirë?! Themelimi i këtyre dy kompanive është një pasuri e madhe kombëtare që do t'i sillte atdheut, por për disa atdheu i tyre është paraja e ne tjerët quhemi idealistë koha e të cilëve sipas shumicës ka përfunduar. Themelimi i këtyre dy kompanive aktualisht është ëndërr e idealistëve, por në një të ardhme të afërt apo të gjatë do të realizohet. Qeveritarët e dy shteteve e hipnotizojnë popullin tonë, siç ndodh në Shqipëri, kur thonë se janë pjesë e NATO-s, ndërsa te në Prishtinë premtojnë se do e krijojnë ushtrinë. Si je e barabartë me NATO-n kur Shqipëria i dërgon disa dhjetëra ushtarë që nisen në këmbë pa asnjë armatim modern, por duhet huazuar nga vendet e tjera kur të arrijnë në vendin e caktuar. Si mund të krijojmë ushtri kur ende nuk e kemi asnjë specialist që drejton tanket, aeroplanin e asnjë mjet të blinduar ushtarak. Dikur e kemi pasur humoristin Lecin, i cili thoshte se sikur Kosova të kishte aeroplan ushtarak do ta drejtonte aeroplanin nga përvoja e tij me aeroplanët që ka spërkatur vreshtarinë. Do të ishte e rrugës që deputetët dhe e tërë shtresa politike e dy shteteve tona, të veprojnë në interesa madhore të shtetit e jo për përfitime personale. 

(Kosova Sot)