Sekreti i vogël i suksesit zgjedhor të Angela Merkelit

Sekreti i vogël i suksesit zgjedhor të Angela Merkelit
  • 16 August 2017 - 14:29

Shkruan: Nina Schick

Gjashtë javë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Gjermani, kancelarja Angela Merkel këtë fundjavë do ta lansojë në Dortmund tentimin për t'u rizgjedhur. Dortmundi është një qytet i vogël në qendrën industriale të Gjermanisë dhe të shtetit me popullsinë më të madhe. Për dallim nga zgjedhjet tepër polarizuese gjetiu në Evropë, e edhe në SHBA, mos prisni që këto zgjedhje të jenë tepër të nxehta. Nuk do të ketë zjarr e squfur nga Merkel: ajo do ta udhëheqë një kampanjë të qetë. Pllakatet për partinë e Merkel-it, Partia kristiandemokrate (CDU) ofrojnë një informatë rreth asaj se çka na pret. "Shijojeni verën tash dhe bëjeni përzgjedhjen e duhur në vjeshtë", thuhet në njërin prej pllakateve të Merkelit, drejtuar votuesve, me figurën e një gruaje të re dhe buzëqeshësh, që është shtrirë në arë. Pra, a mund të ndalet Merkel? Nuk duket e mundshme. Ajo ka fituar shtatë palë zgjedhjesh që nga koha kur u zgjodh për herë të parë në Parlament, në vitin 1990. Dhe, gati pa dyshim, ajo do ta fitojë një mandat të katërt në postin e kancelarit të shtetit, në shtator, duke bërë kështu më shumë se 1 dekadë në pushtet dhe duke kundërshtuar trendin që shihet në demokracitë tjera liberale të Perëndimit. Anketa më e re rreth mbështetjes së saj, e bërë nga "Infratest Dimap", tregon se rreth 59% të gjermanëve mendojnë se "Mutti" është duke bërë një punë të mirë. Merkel ka nevojë për t'u përmirësuar, meqë kjo mbështetje është për 10% më e vogël muajin e kaluar. Çka mund të themi për oponentët e saj? Aktualisht nuk duket asgjë interesante. 

Ruajtja e gjakftohtësisë

Martin Schulz - lider i Partisë socialdemokrate (SPD) dhe ish president i Parlamentit Evropian, ka premtuar se do t'i shkundë gjërat, me shpresë se do t'ia zërë vendin Merkelit. Në fillim, kampanja e tij kishte të bënte me një retorikë emocionale politike dhe dukej se ishte duke përparuar. Analizat ishin të mbushura me shkrime rreth "efektit Schulz" derisa në disa anketa SPD-ja ishte shumë afër me CDU-në e Merkelit. Por, më pas SPD-ja ra, meqë bëri gabime të humbjes së madhe në tri zgjedhje regjionale, të cilat shërbyen si parashikim i rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme, duke përfshirë një mposhtje të dhembshme në NorthRhine-Westphalia, qendër tradicionale e SPD-së dhe shteti të cilin Dortmund e ka nënë. Detyra përpara duket thuajse e pamundur për SPD-në. Cili është sekreti i madh i Merkelit? Të qenit Angela Merkel. Kjo nënkupton ruajtjen e gjakftohtësisë dhe të qenit pragmatike qoftë edhe përballë rrethanave më të vështira. Mos harroni se, gjatë viteve të kaluara, Merkel ka mbijetuar kriza të shumta. Në vlugun e krizës së eurozonës ishte Merkel ajo që shpenzoi nga kapitali i saj politik, me qëllim të mbajtjes së bllokut të bashkuar. 

Tundja më e madhe për Merkelin ndodhi gjatë krizës së imigrantëve

Më pas erdhi kriza në Ukrainë, e shkaktuar nga presidenti rus Vladimir Putin, me tipin tepër arrogant të nacionalizmit, gjë që bëri që Merkel ta merrte rolin udhëheqës të BE-së në vënien e sanksioneve kundër Moskës, përkundër lidhjeve të afërta ekonomike të Gjermanisë me Rusinë. Tundja më e madhe për Merkelin ndodhi gjatë krizës së imigrantëve, në vitin 2015, kur më shumë se 1 milion refugjatë dhe azilkërkues shkuan në Gjermani, duke bërë që përkohësisht të kthehej kontrolli kufitar dhe të kishte debate të nxehta, si në vend, po ashtu edhe në botë. Derisa popullariteti i saj kishte filluar të binte, shumë analistë, kryesisht anglosaksonë, ishin tepër të zellshëm në parashikimin e rënies së shpejtë të saj dhe në marrjen e politikës gjermane nga partia e ekstremit të djathtë, AfD, që ka qëndrim kundër imigrantëve. Por, përkundër kësaj, Merkel mbijetoi, duke iu thënë gjermanëve se "do t'ia dalim". Dhe, këtu qëndron sekreti: ata i besojnë asaj, përkundër mosbesimit të disa vëzhguesve politikë. Në këtë botë gjithnjë e më pak stabile, votuesit gjermanë duan që liderja e tyre e aftë të vazhdojë të qëndrojë në pushtet. Ata duan që ajo ta mbrojë atë që ka më së shumti rëndësi për ta: ekonominë dhe BE-në. Dhe, në Gjermani nuk ka arsye për ndonjë alarm të madh. Ekonomia është duke shkuar mirë, papunësia është e ulët, bile edhe kriza e refugjatëve duket të jetë qetësuar tani për tani. Gjermanët nuk duan një revolucion politik. Prandaj, pse do të rrezikonin ata?

(Nina Schick është komentuese e politikës evropiane)

 

(Kosova Sot)