Një lojë e rrezikshme nervash

Një lojë e rrezikshme nervash
  • 18 August 2017 - 10:17

Shkruan: Yoon Young-Kwan

Deri më tani, lufta midis presidentit amerikan Donald Trump dhe diktatorit korean-verior Kim Jong-un, rreth programit bërthamor të Koresë Veriore, është zhvilluar vetëm me fjalë. Por, çdo raund i konfliktit retorik e thellon rrezikun i cili, nëse e citojmë Winston Churchillin, mund të bëjë që "sharjet të kalojnë në luftë". Muajin e kaluar, pas testit të dytë të raketave ndërkontinentale të Koresë Veriore, KS i OKB-së në mënyrë unanime u pajtua që të impononte sanksione të reja dhe edhe më të ashpra ndaj këtij vendi të vogël. Reagimi ndaj kësaj, sikur që u raportua në mediat shtetërore të Koresë Veriore, ishte një përbetim se "pa mëshirë do të ndërmerren hapa strategjikë, të pasuar nga veprimet fizike, me mobilizimin e tërë fuqisë kombëtare të vendit". Të nesërmen, Trump vlerësoi se kërcënimet e mëtejme nga Koreja Veriore do të hasin në "zjarr dhe zemërim të paparë më herët në botë". As Koreja Veriore nuk ngeli borxh në këtë drejtim, duke thënë se do ta bëjë një sulm "pushtues" kundër territorit amerikan Guam. Trump u përgjigj duke thënë se ushtria amerikane ishte e gatshme që të përgjigjej.

Si mund të evitohet katastrofa?

 Dhe, derisa zhvillohej ky këmbim i zjarrit retorik, u tha se SHBA-ja ishte duke përgatitur opsione të ndryshuara ushtarake për ta sulmuar Korenë veriore. Sipas një raporti të besueshëm të inteligjencës amerikane, Koreja Veriore e ka arritur aftësinë e miniaturizimit të kokave bërthamore dhe se mund të ketë deri në 60 bomba. Kjo lojë nervash midis Kimit dhe Trumpit është duke u bërë gjithnjë e më e rrezikshme. Sipas të të gjitha gjasave, as Koreja veriore, e as SHBA-ja nuk duan me të vërtetë luftë. Por, sikur që pas studimit të tetë luftërave të mëdha që nga fundi i shekullit XVIII, thoshte historiani, tani i ndjerë, anglez, A.J.P. Taylor, luftërat më shpesh kanë filluar nga frika, sesa nga etja për luftë, apo për të pushtuar. Sipas Taylorit, shumë luftëra evropiane kanë filluar nga ndonjë fuqi (shtet) e rrezikuar, e cila nuk mund të fitonte asgjë me anë të luftës, por mund të humbte tepër shumë. Sikur Taylor të ishte gjallë, duke qenë dëshmitar i asaj që është duke ndodhur, me gjasë do ta kishte një ndjenjë alarmante "déjà vu". Pyetja që shtrohet tani, është "si mund të evitohet katastrofa"? Sa për fillim, si SHBA-ja po ashtu edhe Koreja Veriore duhet që të mos e zënë ngushtë njëritjetrin. Gjatë Krizës kubane të raketave në vitin 1962, presidenti amerikan John F. Kennedy ishte i palëkundur në qëndrimin e tij se raketat sovjetike nuk do të lejoheshin në Kubë. Por, ai dinte diçka më mirë, sesa ta ndiqte një fitore totale amerikane dhe një mposhtje totale sovjetike. Në vend të kësaj, Kennedy ofroi një marrëveshje e cila do ta ruante fytyrën e liderit sovjetik Nikita Khrushchev në sytë e 'skifterëve' të Kremlinit: SHBA-ja do t'i tërhiqte raketat e saj nga Turqia (të cilat edhe ashtu ishin të panevojshme), në këmbim të tërheqjes së raketave sovjetike nga Kuba. Kjo qasje pragmatike dhe e guximshme krijoi hapësirën e nevojshme për dy liderët - ku asnjëri prej tyre në fakt, nuk dëshironte një luftë bërthamore - që të tërhiqeshin nga buza e humnerës, por edhe duke e ruajtur fytyrën. 

Kimi i kapluar nga paniku

Për ta sjellë krizën aktuale deri te një përfundim paqësor, Kim duhet ta zbusë qëndrimin e tij agresiv. Por, që të ndodhë një gjë e tillë, administrata Trump duhet të demonstrojë qartazi se qëllimi i saj nuk është ndërrimi i regjimit në Korenë Veriore, por ndërrimi i politikës, apo thënë ndryshe, denuklearizimi i Koresë veriore. Fatkeqësisht, sinjalet që vijnë nga SHBA-ja ende janë të përziera. Derisa sekretari i shtetit Rex Tillerson me deklaratat e tij të fundme u bazua te diplomacia, drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, ka përmendur ndërrimin e regjimit, ndërta këshilltari për siguri kombëtare, gjenerali H.R. McMaster, e ka ngritur mundësinë e një lufte preventive. Derisa ka rëndësi që të ushtrohet presion ndaj Kimit për ta sjellë atë pranë tavolinës së bisedimeve, një presion i tillë duhet të kalibrohet më me kujdes. Nëse duket se SHBA-ja kërkon ndërrimin e regjimit në Korenë Veriore, apo një luftë paraprirëse, Kimi i kapluar nga paniku do të ketë më shumë të ngjarë që të sulmojë. Qëllimi duhet të jetë një siguri relative, jo absolute për të dyja palët. Për këtë qëllim, rëndësi kyçe ka mbajtja e një kontrolli rigoroz civil ndaj ushtrisë. Lufta e Parë Botërore shpërtheu kryesisht për shkak të militarizimit të procesit të vendimmarrjes politike. Kur një herë filloi marshi i luftës, më nuk mbeti shumë vend për diplomaci. Megjithatë, larg krijimit të vendit për diplomaci, këshilltari i Trumpit Sebastian Gorka, deklaroi për shtyp se "Ideja që sekretari Tillerson do të diskutojë çështjet ushtarake, thjesht është absurde". Por, pse kryediplomati amerikan nuk do ta kishte një ndikim të rëndësishëm mbi çështjet ushtarake? Nëse kjo nuk ndryshon së shpejti, përsëri ekziston rreziku që të zhytemi në luftë". Liderët politikë të Koresë së Jugut duhet po ashtu ta evitojnë përfshirhen në këtë retorikë lufte. Pas fundosjes së anijes luftarake të Koresë jugore, "Cheonan", në vitin 2010 dhe bombardimit të ishullit Yeonpyeong, ushtria e Koresë jugore ashpërsoi rregullat e angazhimit të saj. Tani, liderët ushtarakë të Koresë së jugut thonë se, nëse Koreja veriore sulmon përsëri, ajo do të ballafaqohet me një hakmarrje, jo vetëm ndaj kryerësve të drejtpërdrejtë të atyre sulmeve, por edhe ndaj lidershipit komandues të veriut. Ngjashëm me kërcënimet e Trumpit, kjo politikë ka për qëllim që ta frenojë Korenë Veriore, por ka më shumë të ngjarë që të ndikojë në përshpejtimin e eskalimit të konfliktit. Edhe Kina ka një rol për ta luajtur. Më 10 qershor të vitit 1994, në kulmin e krizës së parë bërthamore të Koresë veriore, Kina kishte informuar të atin e Kimit, Kim Jong-il, se nuk do ta përdorte më veton e saj në KS të OKB-së ndaj vendosjes së sanksioneve kundër vendit të tij, gjë që bëri që Kimi i vjetër ta merrte një qëndrim më pak antagonist. Kina mund ta përdorë një taktikë të ngjashme edhe sot, sikur që të deklarojë publikisht, me anë të mediave shtetërore, se Koreja Veriore nuk duhet të llogaris në mbështetjen e Kinës nëse vjen deri te plasja e një lufte për fajin e saj. As Trump e as Kim nuk duket ta kenë një kapital të mjaftueshëm politik për ta bërë një kalim nga kërcënimet ushtarake, te zgjidhjet diplomatike. Duke pasur parasysh rreziqet afatgjata, që dalin nga ky eskalim i shpejtë i krizës, atëherë rolin udhëheqës mund ta marrin disa 'lojtarë' të tjerë. A do të veprojë Kina si një stabilizues regjional, sikur që pretendon shpesh të jetë? Presidenti Xi Jinping është duke u testuar në këtë krizë po aq sa edhe Trump dhe Kim. (Yoon Young-Kwan, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Koresë, është profesor emeritus i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin kombëtar të Seulit) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)