Qyqarllëku i elitave amerikane pas Çarlotsvillit

Qyqarllëku i elitave amerikane pas Çarlotsvillit
  • 22 August 2017 - 09:33

Shkruan: Fareed Zakaria

 

P jesa më e madhe e SHBA-së reagoi fuqishëm dhe me të shpejtë pas sugjerimit grotesk të presidentit Trump, se ekziston një ekuivalencë morale midis supremacistëve të bardhë, që u tubuan javën e kaluar në Çarlotsvill dhe atyre që protestonin kundër tyre. Por, reagimi i vonuar dhe i dobët i shumicës së amerikanëve të klasës udhëheqëse, nxjerr në pah një rrëfim shqetësues rreth elitave të vendit dhe rreth arsyes pse jetojmë në një epokë të rebelimit populist. Natyrisht, liderët më pak të respektuar sot, janë politikanët. Publiku kryesisht i sheh ata si frikacakë dhe qyqarë, të interesuar vetëm për rritjen e mbështetjes që marrin në anketa. Dhe, kjo është mënyra me të cilën kanë reaguar shumë zyrtarë republikanë në lidhje me fjalët dhe veprat e Trump-it. Me pak përjashtime, gra e burra, të cilëve përndryshe nuk iu mbyllet goja rreth diskutimit të çfarëdo teme në TV, papritmas mbetën të heshtur rreth temës më të madhe politike të ditës. E di. Ata shqetësohen rreth bazës së tyre, rreth zgjedhjeve primare, donatorëve djathtistë. Por, a nuk do të duhej ata që të shqetësoheshin rreth vendit dhe ndërgjegjes së tyre? A nuk do të duhej që ata ta pyesnin veten pse kishin vendosur që të punonin në shërbim publik? Dhe, a duhet që ata të flasin qartë dhe zëshëm nëse shohin dikë në nivelin më të lartë, duke shkelur mbi vlerat e vendit?

Liderët e biznesit vazhdojnë që të mbesin ndër njerëzit më të respektueshëm në SHBA

Në anën tjetër, liderët e biznesit vazhdojnë që të mbesin ndër njerëzit më të respektueshëm në SHBA. Ata udhëheqin organizata të mëdha, marrin një pagë aq të madhe, saqë paraardhësit e tyre prej para vetëm 25 vjetësh i bëjnë që të duken si klasë e mesme dhe jetojnë në luksin e avionëve, helikopterëve dhe limuzinave private. Me fjalë të tjera, ata e kanë tërë pasurinë, fuqinë dhe sigurinë e cila do të duhej t'ua lejonte atyre që t'i caktonin standardet dhe të udhëhiqnin. Por, me pak përjashtime, edhe liderët e biznesit janë treguar qyqarë. Me siguri shumë prej tyre mendojnë se Trump është sharlatan. Në të kaluarën disa prej tyre kishin vendosur që të mos bënin biznes me të, meqë mendonin se ai nuk ishte etik. Të tjerët në fillim ishin magjepsur në lidhje me kandidaturën e tij, por e konsideronin retorikën e tij rreth tregtisë, imigrantëve dhe refugjatëve, si të neveritshme. Por, përkundër kësaj, asnjëri prej tyre nuk u deklarua kundër tij. Ishin të paktë ata që u distancuan nga Trump, pasi që ky fajësoi "shumë palë" për dhunën në Sharlotesvill. Sikur shefi ekzekutiv i kompanisë "Merck", Kenneth Frazier, të mos kishte dhënë dorëheqje nga njëri prej bordeve këshilluese të Trump-it dhe sikur Trump të mos kishte 'zbutur' më pas komentet e tij fillestare, është e paqartë se sa shefa të tjerë ekzekutivë do ta ngrinin zërin e tyre. Dhe, edhe në një rast të tillë, disa prej tyre u larguan nga bordet këshilluese vetëm pasi që u bë e qartë se nuk ekzistonte ndonjë alternativë tjetër. Pionierët e teknologjisë së SHBA-së mund të jenë njerëzit më të admiruar në planet. Ata konsiderohen të mençur, novatorë dhe të suksesshëm. Shumë prej tyre nuk janë vetëm të pasur, por po ashtu pretendojnë të jenë edhe tepër të mençur, parashikues të së ardhmes, të cilët sodisin rreth udhëtimeve në hapësirë dhe inteligjencës artificiale. A është e mundur që ata të mos shohin se çka është duke ndodhur këtu, në Tokë, në Shtëpinë e Bardhë dhe ta dënojnë atë? Ku janë liderët evangjelistë të krishterë rreth një çështjeje që ka të bëjë me moralin bazë? Derisa disa prej tyre e kanë ngritur zërin e tyre, befason numri i atyre që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, apo edhe që kanë mbështetur komentet e Trump-it. A thua ata kanë një obligim të madh moral që të deklarohen kundër qasjes së transgjinorëve në banja publike, por jo edhe kundër dhunës neonaziste?

Figurat publike që meritojnë lavdet më të shumta këtë javë janë udhëheqësit ushtarakë

Dikur, SHBA-ja kishte më shumë elita që shprehnin mendimin e tyre publikisht. Por, ata vinin nga një botë e vogël, nga establishmenti protestant. Jo të gjithë kishin lindur të pasur, por ata e dinin se kishin një vend të sigurt në krye të vendit. Ata gjendeshin në borde, poste publike dhe në shkollat më të mira. Kjo siguri ua jepte atyre një rehati më të madhe në ushtrimin e detyrës së udhëheqësve moralë. Sot kemi një elitë më shumë të bazuar te meritat, gjë që shpesh quhet meritokraci. Kjo ua ka mundësuar njerëzve nga të gjitha skutat e jetës që të ngrihen në pozita të fuqisë dhe ndikimit. Por, këto elita të reja janë më pak të sigurta, kanë më shumë ankth dhe janë më egoiste. Politikanët janë të prirë që të jenë solo performues, të shqetësuar rreth zgjedhjeve të ardhme apo mbledhjes së fondeve. Shefat ekzekutivë jetojnë me frikën e vazhdueshme se mund të mbesin pa vendin e tyre të punës, apo se kompania e tyre mund t'i humbë klientët sa hap e mbyll sytë. Liderët fetarë janë të shqetësuar mos po mbesin pa besimtarë. Këto grupe mund të mendojnë se nuk e kanë luksin që të jenë simbole morale, por ato janë. Ata janë shumë më të sigurt sesa pjesa më e madhe e njerëzve në Amerikë, apo në historinë njerëzore. Nëse ata nuk mund të veprojnë për interesat e përgjithshme, atëherë kush mundet? Figurat publike që meritojnë lavdet më të shumta këtë javë janë udhëheqësit ushtarakë. Me anë të një veprimi karakteristik prej liderësh, për njerëzit që, në fakt, punojnë të varur nga presidenti, krerët e pesë degëve të forcave të armatosura, në mënyrë të pavarur, lëshuan deklarata ku pa ekuivoke dënonin racizmin dhe paragjykimet. Ndoshta kjo ndodhi për shkak se ushtria ka qenë institucioni i cili në mënyrën më të suksesshme ka integruar grupet e ndryshme të popullsisë. Ndoshta meqë ushtria vazhdon që të mbetet një vend konservator, ku ndjenja e nderit, standardet dhe vlerat ende ekzistojnë. Shefat e ushtrisë kanë treguar pse vazhdojnë që të jenë kaq të respektuar në vend. Elitat tjera të Amerikës duhet të marrin mësim nga ta.

(Kosova Sot)