Dje dhe sot, me gazetën "Kosova Sot"

Dje dhe sot, me gazetën
  • 15 September 2017 - 08:38

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI

Qëndrueshmëri dhe vizion

Në rrethanat e djeshme të luftës (1989-1999), kur Kosova ndodhej në terrin informativ për shkak se Serbia agresore dhe pushtuese e Slobodan Milosheviqit kishte pezulluar me dhunë dhe me agresion të gjitha institucionet politike dhe shoqërore të Kosovës, si dhe masmediat shqiptare, si kundërpërgjigje e fuqishme e mospajtimit me një gjendje të tillë segreguese dhe të aparteidit të okupatorit gjenocidal serb, intelektualët e guximshëm dhe patriotë shqiptarë në Kosovë nxorën në dritë shumë gazeta dhe revista private të pavarura shqiptare, ndër to ishte edhe gazeta e përditshme informative "KOSOVA SOT", pronarë dhe editorë të së cilës ishin babë e bijë: Ruzhdi dhe Margarita Kadriu

Koncepti nacional, profesionalizmi (cilësia), mëvetësimi, realizmi dhe objektiviteti bënë që "Kosova Sot" të ketë identitetin e saj institucional të komunikimit dhe të informimit unik të lirë dhe të pavarur me qytetarin dhe me opinionin e gjerë publik kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo qëndrueshmëri dhe vizion, pa dyshim se kanë ndikuar pozitivisht në "mbijetesën" e derisotme 19- vjeçare të gazetës "Kosova Sot".

Dëshmitari i kohës

Gjatë luftës (një kohë të shkurtër) isha së bashku me gazetën kombëtare "Kosova Sot", por, në kohë paqeje, nuk pata të njëjtin fat të vazhdonim luftën e përbashkët për mbrojtjen e drejtësisë, të fryteve të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës mbi bazën e së drejtës historike dhe të së drejtës së vetëvendosjes në përputhje me rregullat, me normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare (ngase Kosova nuk ishte çështje e brendshme e Serbisë e as çështje minoritare, ashtu siç e keqinterpretonin politika, propaganda dhe diplomacia e Serbisë kolonialiste dhe e mbështetësve të saj ndërkombëtarë me Rusinë në krye), për shkak se Serbia na përzuri me hekur dhe me strall, kurse "demokracia" e politikës absolute diferencuese e disa "perandorëve" të sëmurë për pushtet dhe për pasuri të paligjshme, na i mbylli dyert për kthim aty ku e kishim vendin, ku e meritonim dhe, për çfarë kishim investuar, punuar dhe sakrifikuar tërë jetën. Mirëpo, edhe kështu, i përbuzur dhe i harruar në mërgim, asnjëherë nuk e harrova amanetin e etërve dhe të Rilindësve tanë, që në shpirt dhe në zemër ta ruaja me fanatizëm dashurinë dhe idealin e madh të tyre për komb dhe për atdhe-SHQIPËRINË ETNIKE. Në këtë vështrim, ndihmën dhe mbështetjen më të sinqertë dhe më të madhe e bënë kryesisht dhe në veçanti "Albaniapress" e Londrës me Faik Smajlin në krye (kryeredaktor) dhe "Kosova Sot" e Prishtinës me Ruzhdi dhe me Margarita Kadriun në krye (editorë dhe kryeredaktorë), të cilat nuk hezituan dhe nuk u frikë- suan për botimin e komenteve dhe të analizave të mia publicistike me "subjekt të nxehtë" patriotik në mbrojtjen e së vërtetës mbi Kosovën dhe mbi Shqipërinë etnike. Kjo është esenca e përmbajtjes kombëtare e gazetës "Kosova Sot" dhe e "Albaniapress"(2000-2017). 

Gazetë kombëtare dhe patriotike

Këtë bashkëpunim e quaj heroizëm, patriotizëm, kombëtarizëm dhe humanizëm njerëzor, sepse trajtimin e "temës" së ribashkimit kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë etnike, mediumet e verdha të regjimeve "demokratike" në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni, e konsiderojnë "jashtë kohe", "folklorizëm" dhe të "tejkaluar" ngaqë sipas interesave dhe privilegjeve të tyre përfituese karrieriste dhe financiare nuk përputhet me interesat e ngushta dhe heterogjene të politikës së krimit, të shfrytëzimit, të luftës për pushtet dhe të kapjes së pushtetit me çdo kusht, duke shkelur ligjin, normat, rregullat dhe parimet elementare të humanizmit, të drejtësisë dhe të demokracisë. "Kosova Sot", dje dhe sot mbështet UÇK-në dhe drejtësinë, jo censurën, diktatin dhe ultimatumet e mafio-oligarkëve në pushtet! "Kosova Sot", në kohë lufte, e guximshme dhe e pavarur, duke trumbetuar dhe përhapur kushtrimin e lirisë nën flamurin e UÇK-së së Adem Jasharit për çlirimin e Kosovës dhe të ribashkimit të saj me Shqipërinë. Kështu thuhet në Betimin e saj: "… Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre…" Në rrethanat e djeshme të luftës (1989-1999), kur Kosova ndodhej në terrin informativ për shkak se Serbia agresore dhe pushtuese e Slobodan Milosheviqit kishte pezulluar me dhunë dhe me agresion të gjitha institucionet politike dhe shoqërore të Kosovës, si dhe masmediat shqiptare, si kundërpërgjigje e fuqishme e mospajtimit me një gjendje të tillë segreguese dhe të aparteidit të okupatorit gjenocidal serb, intelektualët e guximshëm dhe patriotë shqiptarë në Kosovë nxorën në dritë shumë gazeta dhe revista private të pavarura shqiptare, ndër to ishte edhe gazeta e përditshme informative "KOSOVA SOT", pronarë dhe editorë të së cilës ishin babë e bijë: Ruzhdi dhe Margarita Kadriu. Fillimi nga puna i kësaj gazete kombëtare dhe patriotike ishte tejet i vështirë mbase kishte mbi kokë survejimin sistematik të kontrollit të "përshtatshmërisë" së përmbajtjes së saj, si dhe gjobat e njëpasnjëshme nga "tagrambledhësit" dhe nga reketuesit e organeve policore financiare dhe gjyqësore serbe, që synonin mbylljen e Redaksisë së gazetës "Kosova Sot" për shkak se lajmet, informacionet, komentet, analizat dhe reportazhet ishin me përmbajtje të zhvillimit të ngjarjeve aktuale politike, si dhe me torturat, me arrestimet, me burgosjet, me vrasjet, me masakrat dhe me spastrimin etnik të popullsisë shqiptare nga njësitet paramilitare, policore dhe militare barbarike të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, që kryheshin në Kosovë (1989-1999),me qëllim të djegies së Kosovës dhe të shfarosjes së 2 milionë e gjysmë shqiptarë. 

Zgjodhi rrugën e mbrojtjes së vlerave vitale kombëtare

Pikërisht, për shkak të informimit objektiv dhe të saktë për gjendjen e përgjithshme të mjerueshme të popullit të pambrojtur shqiptar në Kosovë, si dhe për shkak të njoftimit dhe të mbështetjes së aksioneve luftarake të UÇK-së në betejat e zhvilluara kundër armikut pushtues serb, regjimi çetniko-fashistpolicor- militarist, ia arriti ta mbyllë edhe Redaksinë e gazetës "Kosova Sot" (1998). Mirëpo, ky nuk qe edhe fundi i përgjithmonshëm i gazetës "Kosova Sot', sepse me t'u çliruar Kosova në korrikun e vitit 1999 nga trupat e NATO-s, themeluesit e saj, Ruzhdi dhe Margarita Kadriu ia arritën, që të rimëkëmbin botimin e saj, duke krijuar kushte të favorshme financuese dhe kuadro të përzgjedhura profesioniste të gazetarëve, me qëllim që të vazhdonin misionin historik, politik, kombëtar dhe informues të gazetës "Kosova Sot". Dhe, kështu ia arritën që të dëshmojnë para lexuesve dhe opinionit, se kanë krijuar një gazetë cilësore kombëtare në funksion të informimit të drejtë dhe objektiv në interesin e përgjithshëm të të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe më gjerë. I vlen të vëmë në dukje faktin se, gjatë kësaj kohe transicioni, në kohë paqeje (2000-2017), edhe gazeta "Kosova Sot" nuk e ka pasur të lehtë zhvillimin e veprimtarisë së saj botuese të pavarur dhe objektive, sepse në vend të "dëgjueshmërisë" dhe vasalitetit ndaj regjimit despotik, nepotist dhe burokratik, zgjodhi rrugën më të vështirë-rrugën e mbrojtjes së interesit të përgjithshëm nacional dhe shtetëror, si dhe të mbrojtjes së vlerave vitale kombëtare dhe ndërkombëtare universale: humanizmin, drejtësinë, demokracinë, mirëqenien, dinjitetin njerëzor, solidarësinë etj.

Identiteti i gazetës "Kosova Sot", meritë e Editorit, e Stafit menaxhues profesionist dhe e kritikës objektive

Identiteti i gazetës "Kosova Sot" pasqyrohet në zgjedhjen dhe në trajtimin e temave dhe të informacioneve të rëndësishme që kanë të bëjnë me kërkesat, me problemet dhe me hallet e jetës së përditshme të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Veç kësaj, "Kosova Sot" trajton edhe tema dhe informacione të tjera nga fusha e politikës, e ekonomisë, e tregtisë, e kulturës, e artit dhe e shkencës me interes dhe me rëndësi të karakterit universal botëror. Gjithashtu, "Kosova Sot" është një nga kritikët më të rreptë të të metave, të padrejtësive dhe të gabimeve të shumta të politikës së institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës. Politikë kjo, e cila në vend se të ketë në fokus mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve për t'u siguruar ekzistencë, barazi, mirëqenie të plotë materiale, ekonomike, zhvillimore, punësim të plotë dhe prosperitet për një jetë normale dhe të ligjshme; kjo është bërë rob i korrupsionit dhe i mbështetjes së krimit të organizuar të klaneve dhe të grupeve politike partiake, mafioze, oligarkike, nepotiste dhe despotike, që kanë kapur shtetin, drejtësinë, ligjin dhe Kushtetutën për ta mbrojtur vetveten të paprekur (si perandorë dhe sulltanë absolutë, duke e konsideruar Kosovën si "tender" dhe plaçkë të tyre konsumi) dhe për ta dëmtuar interesin e përgjithshëm të popullit dhe të Kosovës. Së fundi, duke qenë se jetojmë në erën e transicionit dhe të ekspansionit të industrisë së masmedieve digjitale, e cila me prodhimin e informacioneve të saj novelsuese moderne ka ndikuar edhe në shkaktimin e krizës dhe të shuarjes së shumë gazetave prestigjioze botërore, "Kosova Sot", duhet të vazhdojë rrugën e saj ekzistenciale dhe të suksesshme, duke u mbështetur në kuadrot e saj profesioniste të brendshme, si dhe të bashkëpunë- torëve të jashtëm profesionistë, sepse ky kriter është kusht i domosdoshëm për ruajtjen e identitetit institucional dhe cilësor të gazetës. Gazeta "Kosova Sot" duhet të vazhdojë përpjekjet dhe luftën e saj të deritashme në mbrojtjen e drejtësisë dhe të së vërtetës, gjithnjë duke u mbështetur në fakte dhe në argumente të qëndrueshme dhe të verifikuara, JO në dezinformata, gënjeshtra, shpifje dhe ofendime, siç po veprojnë disa mediume informative të papërgjegjshme dhe pa kurrfarë etike njerëzore dhe profesionale, vetëm për t'i mbushur faqet e tyre të zeza për interesa të ngushta përfituese individuale dhe grupore, me qëllim që të vrasin të vërtetën, vlerat e njëmendta kombëtare dhe, ta dëmtojnë interesin jetik të popullit dhe të shtetit demokratik dhe të së drejtës. "Kosova Sot" do të ruajë edhe më tej identitetin e saj si medium i pavarur kombëtar, nëse vazhdon konceptin e deritashëm botues, duke shqyrtuar drejt dhe me objektivitet të gjitha çështjet me interes publik, pa paragjykime, pa njëanshmëri dhe pa rënë në kriticizëm, duke e mbrojtur vetëm të vërtetën (pozitë ose opozitë) qoftë brenda apo jashtë Parlamentit a të Qeverisë së Kosovës.

(Kosova Sot)