A ka mundësi që 'Zapad-i' rus të jetë një kalë i Trojës?

A ka mundësi që 'Zapad-i' rus të jetë një kalë i Trojës?
  • 16 September 2017 - 14:20

Shkruajnë: Thomas Donnelly dhe Gary Schmitt

NUK ËSHTË NJË SHQETËSIM I PAVEND I NATO-S

Ushtrimet e këtij viti po ashtu janë duke u zhvilluar në një zonë të pasigurisë së lartë

Përparësia më e madhe e forcave të Putinit është se ato janë atje -sikur që do ta demonstrojnë stërvitjet Zapad - e ne nuk jemi. Rusia mund të koncentrojë një fuqi të madhe gati gjithkund përgjatë asaj linjës nga Baltiku deri në Detin e Zi, sa herë që t'u jepet rasti, apo të hetojnë ndonjë dobësi
Gjatë disa muajve të kaluar, ministritë perëndimore të mbrojtjes dhe ushtritë e tyre kanë shprehur ankthin në lidhje me stërvitjet e mëdha ushtarake ruse, të njohura me emrin "Zapad" ose "Perëndimi" që duhet të fillojnë nga mesi i shtatorit dhe të përfshijnë çdo element të forcave ruse. Në fund të korrikut, gjenerallejtënant Ben Hodges, komandant i Ushtrisë amerikane në Evropë, tërhoqi vërejtjen se vendet anëtare të NATO-s kanë frikë se "Zapad 17" mund të jetë një kalë rus i Trojës. Ky nuk është një shqetësim i pavend. Dy herë gjatë dekadës së kaluar - në Gjeorgji në vitin 2008 dhe në Krime në vitin 2014 - Kremlini ka përdorur arsyetimin e stërvitjeve, si prelud të invazionit. Manovrat "Zapad", që mbahen rreth çdo katër vjet, janë sidomos kërcënuese për faktin se shpesh simulojnë përdorimin e armëve bërthamore. Ushtrimet e këtij viti po ashtu janë duke u zhvilluar në një zonë të pasigurisë së lartë. "Zapad 2017" do ta ketë qendrën në Bjellorusi, e cila kufizohet me Poloninë dhe me dy shtete baltike. Gjithnjë e më shumë diktatori në Minsk, Alexander Lukashenko, ka pasur mospajtime me Vladimir Putinin, për shkak të tentimeve të tij që ta pozicionojë Bjellorusinë si ndërmjetës midis Rusisë dhe Evropës.

Nga Deti baltik, e deri te Deti i Zi, Rusia paraqet një rrezik gjithnjë e më të madh

Në fakt, një shqetësim i konsiderueshëm për NATO-n është që trupat ruse do të arrijnë në Bjellorusinë perëndimore nën flamurin e "Zapad"-it, por që kurrë nuk do të largohen në tërësi nga aty. Apo, edhe nëse largohen, ato do të lënë prapa pajisjet ushtarake, të cilat do të mund të shërbenin në ndonjë krizë të ardhshme me NATO-n. Nga Deti baltik, e deri te Deti i Zi, Rusia paraqet një rrezik gjithnjë e më të madh, jo vetëm për vendet anëtare të NATO-s, por edhe për vendet e pafata, si Gjeorgjia dhe Ukraina, të cilat kanë mbetur në tokën e askujt. Dhe, derisa ushtria e udhëhequr nga Kremlini sot nuk është ajo hordhia prej 4 milionë njerëzish nga Lufta e Ftohtë, ajo nuk është as ushtria 'e ndryshkur' e viteve 1990. Falë rritjes së të ardhurave nga nafta dhe gazi, gjatë pjesës më të madhe të dekadës së kaluar, forcat e armatosura ruse janë përmirësuar dukshëm, duke kombinuar mjetet moderne, sikur që janë fluturaket pa pilot dhe sulmet kibernetike, me fuqitë tradicionale të "Armatës së kuqe", sikur që është lufta politike dhe elektronike, mjetet e blinduara, etj. Por, përparësia më e madhe e forcave të Putinit është se ato janë atje - sikur që do ta demonstrojnë stërvitjet Zapad - e ne nuk jemi. Rusia mund të koncentrojë një fuqi të madhe gati gjithkund përgjatë asaj linjës nga Baltiku deri në Detin e zi, sa herë që t'u jepet rasti, apo të hetojnë ndonjë dobësi. Putini mund t'ia tërheqë zinxhirin NATO-s sa herë që të dojë, duke ushtruar presion ndaj aleatëve të Perëndimit, sikur në Baltik, apo duke ndikuar në vendet me probleme të brendshme, sikur që janë Hungaria dhe Bullgaria. Kështu, problemi real i NATO-s nuk ka të bëjë vetëm me faktin se shtetet anëtare nuk kanë investuar mjaft në kapacitetin apo aftësinë ushtarake, por se aleanca nuk i ka rreshtuar mjaftueshëm fuqitë e saj për ta adresuar rrezikun rus. Kur u zgjerua aleanca, përkushtimi i saj për të mos vendosur trupa në vendet e reja anëtare ishte parakusht i ruajtjes së paqes pas Luftës së Ftohtë. Këto kushte më nuk janë në fuqi. Në vitin 2014, administrata e Obamës ndërmori disa hapa për ta adresuar këtë realitet të ri. Kjo krijoi një 'iniciativë siguruese' për të rritur gradualisht fuqitë dhe municionet dhe për të mundësuar rrotacionet e një brigade shtesë të blinduar nga SHBA-ja në Evropë në intervale prej 9 muajsh. Kongresi kishte miratuar 3.4 miliardë dollarë për këtë, vitin e kaluar dhe po ashtu kishte lejuar Armatën që ta rriste fuqinë e personelit të saj me qëllim të përmbushjes së këtyre përkushtimeve. 

"Zapad 2017" do të përfshijë 70,000 ose më shumë rusë

Edhe shtete të tjera të NATO-s kanë ndërmarrë hapa të tillë pozitivë, por që më pas janë ndalur. Britanikët, gjermanët, francezët dhe kanadezët, midis tjerësh, kanë premtuar mbështetjen e rrotacioneve të 'grupeve luftarake', të forcave me madhësi të batalioneve prej rreth 1,000 ushtarësh, në shtetet e Baltikut. Por, këto veprime janë po aq gjeste të solidaritetit politik me aleatët tanë në Baltik, sa edhe refleksione të një qëllimi serioz ushtarak. Trupat e përfshirë janë tepër të pakta edhe tepër lehtë të armatosura. Stërvitjet e sivjetme të NATO-s, të shumëreklamuara, në fakt janë një konglomerat i manovrave të vogla dhe të ndara - për shembull stërvitjet "Mburoja verore" ("Summer Shield") në Letoni përfshinte rreth 1,100 trupa nga më shumë se dhjetë shtete. Vlerësimet thonë se "Zapad 2017" do të përfshijë 70,000 ose më shumë rusë. Thënia e Stalinit se "Kuantiteti e ka një kualitet të vetin, të veçantë", aplikohet edhe si mjet i psikologjisë strategjike, por edhe në rastet e konfliktit. SHBA-ja dhe NATO-ja kanë përparësi të mëdha në çdo konkurrencë me Rusinë, por vetëm kanë nevojë ta rimarrin iniciativën. Këtë verë, presidenti Trump nënshkroi ligjin rreth një pakoje të sanksioneve, e cila nëse implementohet në tërësi, do t'i zvogëlojë burimet të cilat Putini mund t'i përdorë për ushtrinë e vet. Kjo ka rëndësi, por sanksionet as për së afërmi nuk mund ta kenë efektin e një veprimi të përmirësuar, më të qëndrueshëm të NATO-s në Evropën lindore. Një hap i tillë do t'i rriste dyshimet brenda Kremlinit rreth gjasave për sukses të ndonjë intervenimi, duke u përqendruar në forcimin e kufijve të saj përgjatë linjës nga Baltiku deri në Detin e Zi dhe do t'ia pamundësonte Putinit qëllimin e tij të madh të rrezikimit të besimit te arkitektura transatlantike e sigurisë. 
(Thomas Donnelly dhe Gary Schmitt bashkëudhëheqin Qendrën për studime të sigurisë "Marilyn Ware", të Institutit të sipërmarrësisë amerikane) 

(Kosova Sot)