"Kosova Sot" u bë lidere me plot meritë

  • 17 September 2017 - 11:27

SHKRUAN: ZEKRIJA BAJRA, PENSIONIST

T ë shkruash për lideren "Kosova Sot" është freski shpirtërore dhe krenari kombëtare. Gati dy dekada të botuara "Kosova Sot" po e lufton të keqen, e cila nga matrapazët, hajdutët, e të papërgjegjshmit në institucionet e rëndësishme të Kosovës martire, pa kurrfarë mëshirë po e dëmtojnë interesin e përgjithshëm. Në ditët e përgjakshme ku makineria sllavo-serbe me gjakpirësin Milosheviq dhe argatët e tij (fatkeqësisht) disa shqipfolës u munduan ta kallin krejt Kosovën, e kështu edhe të bekuarën "Kosova Sot". Bujaria, burrëria dhe shpirti i atdhedashurisë i familjes Kadriu mori hov edhe më fuqishëm për ta informuar lexuesin e kësaj gazete, me luftën e lavdishme të UÇK-së dhe rezultatet e saja në mbrojtje të atdheut nga barbarizmi serbo-sllav etj. Objekti dhe shtypshkronja e Gazetës "Kosova Sot" u dëmtuan pa kurrfarë mëshire, por guximi, shpirti, atdhedashuria e familjes Kadriu dhe e stafit të kësaj gazete Lidere s'ka të ndalur, duke na ofruar për çdo ditë shënime, komente, për të gjitha ngjyrat se si duhet të luftohet e keqja. Për të formuar emër nuk është lehtë, thuhet në mjediset e GRYKËS SË KAÇANIKUT, e më gjerë. Mirëpo, për ta mbrojtur emrin është shumë e shumë më vështirë. Familja Kadriu, stafi dhe bashkëpunëtorët e vyeshëm të kësaj gazete lidere, arritën duke na ofruar brumë të mirëfilltë se si duhet të luftohet e keqja. "Kosova Sot" u bë lidere me meritë. Familjes Kadriu, stafit, e bashkëpunëtorëve ju qoftë hallall qumështi i nënës shqiptare. Urime për shumë mote 19-vjetorin e themelimit, duke shpresuar se një ditë mjegulla e zezë, që e ka kapluar qiellin e Kosovës, do të pastrohet. Kosova ka burra e burrëresha për t'u kthyer në binarë të shëndoshë.

(Kosova Sot)