Mbulimi i së vërtetës me anë të kompanive inaktive

Mbulimi i së vërtetës me anë të kompanive inaktive
  • 18 September 2017 - 09:59

Shkruajnë: Stefan D. Cassella dhe Michael Zeldin

Lajmet e medieve, si dhe vendimet gjyqësore - ku shumë prej tyre përqendrohen te rrjedha e parave ruse në patundshmëritë e Nju- Jorkut - e kanë theksuar rolin të cilin e luajnë kompanitë inaktive ("shell companies") në shpëlarjen e fitimeve të krimit ndërkombëtar. Kompanitë inaktive përdoren për shkak se ato e fshehin identitetin e pronarëve të vërtetë të kompanive dhe burimin dhe kontrollin e aseteve të tyre.

Blerja e apartamenteve me kompani inaktive

Përdorimi i kompanive inaktive nga shpëlarësit e parave, evaduesit fiskalë dhe zyrtarët e huaj të korruptuar, është dokumentuar mirë nga organet ligjore të SHBA-së, nga komitetet mbikëqyrëse të Kongresit dhe nga shumë organe ndërkombëtare, sikur që është Task Forca e Veprimeve financiare, ose FATF - organi kryesor ndërqeveritar i vendosjes së standardeve për ta luftuar shpëlarjen e parave, financimin e terrorizmit dhe rreziqeve të ngjashme ndaj integritetit të sistemit financiar. Vetëm për këtë arsye, nuk do të ishte befasi sikur përdorimi i kompanive inaktive të ishte pjesë e përqendrimit të hetimeve rreth përputhjeve të mundshme midis rusëve dhe zyrtarëve të kampanjës së Trump-it, që janë duke u zhvilluar nga Kongresi dhe Këshilltari special, Robert Mueller. Por, ka edhe arsye të tjera specifike pse kjo mund të jetë kështu. Së pari, është thënë se Paul Manafort kishte blerë apartamente luksoze në qytetin e Nju- Jorkut, duke përdorur kompanitë inaktive, të cilat turbullonin origjinën dhe burimin e fondeve, në një mënyrë e cila mund t'i implikojë ligjet federale dhe shtetërore të shpëlarjes së parave. Së dyti, i ashtuquajturi "njeriu i tetë" i pranishëm në takimin e datës 9 qershor të vitit 2016, të mbajtur në "Trump Tower" midis Donald Trump Jr., zyrtarëve të kampanjës së Trumpit dhe individëve për të cilët ata mendonin se prezantonin qeverinë ruse, së fundmi është identifikuar si Ike Kaveladze. Më parë ishte raportuar se Kaveladze të kishte hapur 236 llogari bankare në SHBA për kompanitë inaktive të formuara në Delaver në emër kryesisht të brokerave rusë. Në fakt, në një raport të vitit 2000, të porositur nga Nënkomiteti i përhershëm i Senatit rreth hetimeve të metodave që rusët dhe shtetasit e tjerë të huaj kanë përdorur për shpëlarjen e sasive të mëdha të parave nëpërmes institucioneve financiare të SHBA-së, Zyra e përgjegjësisë qeveritare, gjurmoi lëvizjen e 1.4 miliard dollarëve nëpërmes transaksioneve në këto 236 llogari. Së treti, në prani të Natalia Veselnitskayas, në takimin e mbajtur më 9 qershor në "Trump Tower". Veselnitskaya është avokate ruse, e cila përfaqësonte kompaninë me seli në Qipro, "Prevezon Holdings", të akuzuar në një konfiskim civil që përfshin shpëlarjen e supozuar të të ardhurave prej 230 milionë dollarësh nga një skemë mashtruese ruse, nëpërmes tërësinë e korporatave inaktive në Evropën lindore - para të cilat më pas ishin investuar pjesërisht në patundshmëritë e Nju-Jorkut.

Rasti "Prevezon"

Rasti "Prevezon" - konfiskimi civil i aseteve, i dorëzuar nga Prokurori i SHBA-së për distriktin jugor të NjuJorkut, në lidhje me disa apartamente, gjoja të blera me para të shpëlara, e ilustron mirë këtë problem. Ky rast u bë i njohur pas vdekjes të Sergei Magnitskyt derisa ishte në mbajtje nga autoritetet ruse, i cili ishte avokat i angazhuar nga "Hermitage Capital Management" për të hetuar skemat e supozuara të mashtrimeve. Akti Magnitsky u nënshkrua dhe u bë ligj nga presidenti Obama në dhjetor të vitit 2012, si reagim ndaj abuzimit të të drejtave të njeriut, të cilat mendohet t'i ishin bërë Magnitskyt. Në fillim, ky ligj bllokoi 18 zyrtarë dhe biznesmenë rusë, duke ua ndaluar hyrjen në SHBA dhe duke ua ngrirë asetet që i kishin në bankat amerikane. Më pas ky ligj është zgjeruar. Në shenjë hakmarrjeje, presidenti rus, Vladimir Putin, vendosi bllokimin e adoptimit të fëmijëve rusë nga prindërit amerikanë. Në bazë të ankesës për konfiskim civil, të dorëzuar në Nju- Jork, operacioni i supozuar i shpëlarjes së parave ishte bërë kështu: një organizatë kriminale ruse kishte vjedhur identitetet e kompanive të ligjshme ruse, duke u përdorë ato për marrjen e kthimeve të pamerituara tatimore nga Thesari rus, me vlerë prej 230 milionë dollarësh. Këto para ishin paguar nga Thesari i Rusisë në llogaritë bankare të tri kompanive të vjedhura në dy banka ruse. Më pas, duke përdorë atë që gjykatësi e përshkruan si "rrjet bizantin të xhirollogarive", organizata kriminale largoi fitimet nga ky mashtrim me anë të llogarive të jo më pak se 14 kompanive inaktive në nëntë banka të ndryshme ruse, duke i depozituar ato në llogarinë e një banke tjetër ruse në dobi të katër kompanive tjera inaktive dhe, përfundimisht, kishte vendosur paratë në llogaritë e dy kompanive inaktive nga Moldavia, me llogari në një bankë moldave - tërë këtë për vetëm 60 ditë. Përfundimisht, kriminelët transferuan një pjesë të parave nga kompanitë moldave, në tri entitete, duke përfshirë kompanitë inaktive të regjistruara në Zelandë të Re dhe në Ishujt e Virgjër britanikë. Ato, nga ana e tyre, transferuan 1.9 milion dollarë në xhirollogarinë bankare të "Prevezon Holdings" në Zvicër, e cila përdori një pjesë të këtyre parave për të blerë truaj në Menhetën. Në fund, rasti ishte mbyllur pasi "Prevezon" i kishte paguar SHBA-së 5.9 milionë dollarë, por pa e pranuar fajësinë. Edhe pse rasti "Prevezon" është shembull i një skeme të nivelit të lartë të përfshirë në shpëlarjen e supozuar ndërkombëtare të parave me anë të kompanive inaktive, ai zor se mund të merret si jo tipik. Ka shumë shembuj të tjerë të tillë.

'Automati rus për shpëlarjen e parave'

Njëri ndër këto raste është rasti i "automatit rus për shpëlarjen e parave" ("Russian Laundromat"), shprehje që është përdorur nga mediet për ta përshkruar një skemë, e cila kishte lulëzuar midis viteve 2010 - 2014. Sipas Projektit të raportimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, të njohur si OCCRP, një konzorcium gazetarësh hetues, të cilët janë të specializuar në raportimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, 20.8 miliardë dollarë nga fondet e dyshimta ishin transferuar nga 19 banka ruse midis periudhës 2010 - 2014. OCCRP-ja njoftonte se burimi i këtyre parave përfshinte mashtrimet me kontrata, evazionin tatimor dhe mashtrimet tatimore, përvetësimet nga bankat ruse dhe korporatat e tjera, nga trafikimi i drogës dhe njerëzve. OCCRP-ja thotë se dokumentet zbulojnë se të ardhurat nga këto krime ishin shpëlarë nëpërmes kompanive inaktive në tërë Evropën. Në përgjithësi, "laundromat" kishte përdorë llogaritë nga 5.140 kompani, në 732 banka, në 96 shtete. Koreja Veriore Tash më frik, në qershor dhe gusht të këtij viti, Zyra e prokurorit amerikan për Distriktin e Kolumbisë, kërkoi tri veprime të pavarura civile të konfiskimit në Uashington, me qëllim të rikthimit të miliona dollarëve të cilat mendohej se ishin shpëlarë nëpërmes kompanive inaktive dhe ishin përdorur për financimin e prodhimit të armëve të shkatërrimit në masë dhe të raketave balistike nga regjimi i Koresë Veriore, duke thyer kështu sanksionet e vendosura nga Amerika dhe bashkësia ndërkombëtare. Kjo skemë thuhet të kishte përfshirë transaksione me anë të kompanive inaktive, të themeluara në Hong- Kong, Anguilla, si dhe në Ishujt e Virgjër britanikë, nga një shtetas kinez, i cili ia kishte mundësuar Koresë Veriore financimin e operacioneve të sanksionuara, nën perden e pagesave në dukje të pashera për mallra të rëndomta. Emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre rasteve është përdorimi i kompanive inaktive, të cilat nuk kanë qëllime legjitime të biznesit, nuk kanë prani fizike në asnjë vend, nuk gjenden në internet dhe nuk kanë asnjë të punësuar evident. Përkundër kësaj, këto kompani posedojnë asete tepër të mëdha, nga burime të panjohura, nga personat që tentojnë të ngelin anonimë. Në fakt, ekziston një biznes shumë fitimprurës i kompanive inaktive që ka lulëzuar në juridiksionet e vendeve, si: Panama, Ishujt e Virgjër britanikë, Ishullin e Njeriut, si dhe në shtetet e SHBA-së, si Delaver, Nevada dhe Uajoming.

Përparimi dhe një zgjidhje e propozuar

Gjatë dy viteve të fundit, Rrjeti zbatues i Departamentit të Thesarit për krime financiare, apo FinCEN, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për adresimin e çështjeve të kompanive inaktive dhe të pronësisë përfituese. Më 11 maj të vitit 2016, FinCEN publikoi Rregullin final të Kujdesit të konsumatorit, i cili kërkon hetime të reja ndaj bankave dhe disa institucioneve të tjera financiare, për të marrë dhe për të vërtetuar identitetin e pronarëve përfitues të konsumatorëve të entiteteve të reja ligjore. Ky rregull do të hyjë në fuqi në maj të vitit 2018. Dhe, më 12 gusht të vitit 2017, FinCEN publikoi Urdhrat e reviduar dhe të zgjeruar të caqeve gjeografike apo GTO, duke kërkuar nga kompanitë amerikane të sigurisë për të identifikuar njerëzit që qëndrojnë prapa kompanive inaktive, që kanë paguar shuma të mëdha për prona luksoze në zona të caktuara metropolitane për shkak të shqetësimeve në lidhje me shpëlarjen e parave. Në veçanti, GTO-të kërkojnë nga kompanitë amerikane të sigurimeve që të mbledhin dhe të raportojnë informata të caktuara të identifikimit rreth pronarëve të vërtetë të pronave të banimit, në rastet kur blerja bëhet pa ndonjë kredi bankare, apo forma të ngjashme të financimit. Tash vonë, senatorët Ron Wyden dhe Marco Rubio, prezantuan Aktin e transparencës së korporatave të vitit 2017, "S.1717", me qëllim të parandalimit të individëve nga përdorimi i kompanive anonime inaktive, për t'u marrë me veprimtari ilegale, sikur që janë shpëlarja e parave, trafikimi i njerëzve, mashtrimet dhe financimi i terrorizmit. Sipas ligjeve të inkorporuara të shumë shteteve, pronarët përfundimtarë të një kompanie me përgjegjësi të kufizuar - apo të një korporate inaktive - nuk kërkohet që të zbulohen. Legjislacioni Wyden-Rubio ka për qëllim që ta eliminojë këtë praktikë dhe të kërkojë publikimin e identitetit të pronarëve përfitues të korporatave inaktive me seli në SHBA.

Duhet të bëhet më shumë

GTO-të dhe Rregulli i mbrojtjes së konsumatorëve, në kombinim me legjislacionin e propozuar të transparencës, paraqesin një fillim të mirë. Por, qëllimi përfundimtar është ky: Përderisa informatat në lidhje me pronarët legjitimë përfitues të kompanive inaktive, burimet e aseteve të tyre dhe natyra e aktiviteteve të tyre është mandatuar nga ligji dhe të jetë lehtë- sisht e qasshme për autoritetet e zbatimit të ligjit, organizatat kriminale vendore dhe ndërkombëtare do të vazhdojnë me përdorimin e kompanive inaktive, me qëllim të largimit të fitimeve kriminale nëpërmes institucioneve financiare amerikane dhe për t'i investuar fitimet e tyre në SHBA. Ky problem nuk është i ri. Mbetet të shihet se a do të ndikojnë ngjarjet e fundit (sidomos rastet mirë të dokumentuara të përdorimit të kompanive inaktive nga Koreja Veriore, me qëllim të evitimit të sanksioneve) te politikëbërësit, që ta adresojnë për së mbari këtë çështje, në një mënyrë domethënëse. Na mbetet vetëm të shpresojmë.

(Kosova Sot)