Hapja dosjeve dhe ligji i lustracionit, domosdoshmëri e kohës

Hapja dosjeve dhe ligji i lustracionit, domosdoshmëri e kohës
  • 19 September 2017 - 08:26

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQI

Nuk duhet lëshuar rasti që kuvendarët e kësaj legjislature të bien ligje të rëndësishme për shtetin, siç është Ligji i Lustracionit dhe hapja e Dosjeve Politike, për të cilën temë kam shkruar disa herë. Është koha të pasqyrohen biografitë e të gjithë aktorëve politikë, në mënyrë që të hiqen përfundimisht dilemat se cilët janë ata që po punojnë për shtetin dhe cilët janë ata të cilët po punojnë në minimin e shtetit të Kosovës. U dëshmua deri më sot se në mbarë sistemet kemi njerëz me biografi kriminale, por është duke u dëshmuar gjithashtu se kemi edhe njerëz të UDB-së e të dreqit e të birit, të cilët janë duke punuar në degradimin dhe destabilizimin e shtetit të Kosovës. Hapja dosjeve politike dhe ligji i lustracionit do të spastronin këtë skenë politike të kontaminuar me gjithë farë ujemi. Hapja e dosjeve do t'i bënte mirë këtij vendi, dhe do të bënte të mundur që shumëkujt t'i merret 'leja' për punën në politikë. Shumëçka do të sqarohej edhe në pikëpamje ideologjike, do të shpërfaqeshin përkrahësit e sistemit diktatorial komunist, do shpërfaqeshin forcat frenuese të proceseve demokratike. Hapja e dosjeve do të bënte të mundur që të dalin në shesh të gjithë ata të cilët e varfëruan Kosovën, do të bëheshin të ditur emrat e atyre që janë me biografi të dyshimtë kombëtare dhe kriminale. Ata që po e zhvatin Kosovën nuk mund të jenë të pastër kombëtarisht. Atdhetarët nuk e plaçkitin pronën shoqërore.

Qytetarët janë lidhur nga gjendja e rëndë ekonomike e sociale

Hapja e dosjeve dhe ligji i lustracionit do t'i detyronte të gjithë të përgjigjen para organeve të drejtësisë për veprat e tyre antishtetërore. Ligji i lustracionit dhe dosjet do të sqaronin shumë rreth vrasjeve të pasluftës, e veçmas të atyre për motive politike. Hapja e dosjeve nuk është e lehtë të bëhet, se mund të ndodhin edhe manipulime, por ato një ditë duhet të hapen për hir të gjeneratave, që po vijnë, për t'i lëshuar vend zhvillimit të gjithmbarshëm dhe si kusht që është për t'u inkuadruar në strukturat e BE-së. Afër 1500 vrasje të pasluftës hapin dilemën se ata u vranë nga ata që bashkëpunuan ngushtë me UDB-në dhe me struktura të tjera të qarqeve antishqiptare. Si të shpjegohet edhe i gjithë ky stagnim i proceseve në Kosovë, po mos të ishin në pyetje se në të gjitha sistemet kemi njerëz, të cilët janë duke punuar kundër pavarësisë së Kosovës. Forcat e errëta nga e kaluara e hidhur komuniste e kanë mbuluar Kosovën. Këto dy tema ishte dashur të qiten para kuvendarëve tanë, si jetike për të ardhmen e Kosovës. Si të shpjegohen gjithë këto brutalitete karshi qytetarëve tanë, të cilët po përjetojnë ditë shumë të vështira? Janë lodhur nga gjendja e keqe ekonomike dhe sociale. Si të shpjegohet fakti i ikjes së përgjegjësisë dhe mosdhënies së llogarisë para popullit për të gjitha këto dështime politike, për të gjitha këto koncesione gjatë bisedimeve, të cilat po bëhen me Serbinë? Hapja dosjeve do të sqaronte shumë edhe këtë temë, e cila u vu në tryezën e bisedimeve me palën serbe pa kushtëzimin më të vogël. Nuk po sqarohen gjithë këto rrena, manipulime edhe kur bëhet fjalë për integrimet evropiane. Në anën tjetër, po ndeshemi me propagandë mediatike gebelsiane, për të krijuar iluzione te qytetarët, me qëllim të ruajtjeve të pozitave të privilegjuara , të përfitimeve të jashtëligjshme të cilat po ndodhin para syve tanë.

Elitat politike e bartin përgjegjësinë kryesore për dështimet e deritashme

Ligji i lustracionit dhe hapja e dosjeve do të na tregonte dhe do të hiqte barrën e madhe për njerëzit e epokës së errët. Mediet e kontrolluara nga ana e pushteteve të pasluftës dhe propaganda e tyre krijuan iluzione të rreme së ata janë shpëtimtarët e shtetit. Shumëçka në Kosovë ka dalë jashtë kontrollit, duke shkuar gjithnjë e më shumë nga gremina, që nuk do të ishte në të mirën e askujt. Sikur mos t'i kishin futur duart në Kosovë turli shërbimesh sekrete serbe dhe ruse nuk do të kishim këtë gjendje gati kolapsuese politike dhe ekonomike. Hapja e dosjeve do të bënte që fati i Kosovës mos të mbetet në duar të gjithkujt. Po na rrezikohet gjithnjë e më shumë edhe integriteti dhe sovraniteti i vendit. Për fund, po theksoj se të gjithë aktorët politikë janë përgjegjës për të ardhmen e vendit tonë. Gjithashtu nga përgjegjësia nuk mund të lirohet as Akademia jonë, e cila deri më sot nuk bëri punë të hairit . Populli nuk është ai që gabon dhe bën gabime, elitat politike e bartin përgjegjësinë kryesore për dështimet e deritashme. Fatkeqësitë, të cilat po na ndodhin duhet të stopohen. Punën e madhe në këtë drejtim do ta bënte, pa dyshim, hapja e dosjeve dhe ligji i lustracionit.

(Kosova Sot)