Barazimi i krimeve, shpërndarja e përgjegjësisë dhe pafajësia e Serbisë

Barazimi i krimeve, shpërndarja e përgjegjësisë dhe pafajësia e Serbisë
  • 20 September 2017 - 08:25

SHKRUAN: GURAKUÇ KUÇI

Dialogu me Serbinë

Napoleoni III, pasardhës i familjes Bonaparta, të cilët e kishin të ndaluar ardhjen në pushtet sipas kongresit të Berlinit, i cili jo vetëm që erdhi në pushtet por u bë edhe perandor. Sheshet e mëdha që sot zotëron Parisi, deri diku janë falë punës së Napoleonit III, i cili nuk i krijoi ato vetëm si shëtitore, por si kurth për turmat të cilat do dëshironin grusht-shtet, si hapësirë për gjuajtje. Ky perandor njihet edhe për diçka, si një sharlatan dhe avanturist i madh i politikës ndërkombëtare, që bëri çdo gjë për ta prishur marrëveshjen e kongresit të Berlinit, duke dërguar ujë në mullirin e Bizmarkut.

Barazimi i krimeve

Nga fillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së, mbështetjen e SHBA-së, por pa qëndrim nga Rusia, janë prekur tema që shumica janë periferike, sidoqoftë, tavolina e bisedimeve e ndanë dëshirën me mundësinë. Sidoqoftë, Serbia vazhdimisht e ka shfrytëzuar dialogun diplomatikisht, e Kosova ka pritur vetëm lëmoshë. Serbia tani po imponon fazë të re të bisedimeve nga brenda-jashtë, gjë që e kemi shpjeguar në artikullin "Diplomacia merimangë e Serbisë dhe kurthimi i Kosovës". Status quoja e tanishme nuk është e favorshme për Rusinë dhe Serbinë, por ndryshimi i saj mund të kthehet në favor, duke e bërë Serbinë "kalë i Trojës" brenda unazës së NATO-së. Kjo status quo ndryshon kur Serbia arrin të krijojë rrethanat që atë e shfajësojnë nga tragjeditë ballkanike e sidomos të Kosovës. Gjithnjë duke krijuar rrethana që sipërfaqësisht duken fitues-fitues (win-win) për të gjithë. Duke barazuar krimet!? Milorad Trifunoviç si përfaqësues i të zhdukurve serbë gjatë luftës së fundit në Kosovë, merr pjesë në mënyrën më cinike, por në dukje të sinqertë, për barazimin e viktimave të Kosovës me ato të Serbisë. Besoj kjo nuk do më shumë shpjegim.

Shpërndarja e përgjegjësisë

Kur KS i OKB-së me rezolutë fajësonte Serbisë në për masakrën e Srebrenicës, vetoja e Rusisë u kujdes për mbulesën e krimeve. Indikator i qartë se Serbia nuk e këmben Rusinë me BE-në, por vetëm realizon politikën e Rusisë me burimet e BE-së. Kjo e fundit po trajton armiqtë e saj historikë si aleat thelbësor në dëm të aleatëve të saj historikë. Andaj, Serbia nuk arriti të bëhet përgjegjëse në asnjë moment për krimet në Ballkan. Për më keq, rasti i Kosovës rrjedha e ngjarjeve po shkon nga fitimi në humbje, por jo falimentim. SHBA-ja që nga "Ultimatumi i Krishtlindjeve" e deri me shpalljen e opinionit të GJND-së për Kosovën, kishte vëmendje të plotë nga Ballkani Perëndimor (BP) dhe Kosova, pastaj deri më anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, vëmendja ishte më e dobët, pas kësaj shihet që ka vetëm një rol vëzhgues për të ruajtur atë që ka ndërtuar. Pasi në Botë për këtë superfuqi janë hapur edhe shumë sfida të tjera me rëndësi tejet të madhe dhe shumë herë jetike, dhe si pasojë politika në BP ka mbetur në duart e BE-së, Rusisë dhe me tendenca ndërhyrje të Turqisë. NATO tani ka siguruar Detin Adriatik, Jon, Mesdhe, Egje e deri në Detin e Zi dhe ka siguruar ekzistencën e Kosovës si shtet, reprezaljet tjera nuk janë një interes primar. Këtu i bie hise Serbisë dhe Rusisë të shpëtojnë çka ka mbetur për tu shpëtuar. BE-ja e polarizuar po tregohet e pafuqishme përballë diplomacisë së fuqishme dhe unike të Rusisë me Serbinë. Të politikës së shpërndarjes së përgjegjësisë për atë që ka ndodhur gjatë luftës, duke shpallur fajtorë për krime, vrasje, zhdukje, dhunime nga të gjitha palët, dhe në fund një pajtim mes Kosovës dhe Serbisë, por në asnjë mënyrë traktat paqeje që do të kuptonte pranim i pavarë- sisë, por krijimi i një status quo-je të re të përkohshme gjithnjë në dëm të Kosovës. Kjo e bënë Serbinë të pafajshme për luftën në Kosovë, aq sa është fajtore Kosova për agresionin e Serbisë.

(Pa)politika e Kosovës

Kosova nuk ka fare politikë të jashtme dhe do vazhdojë kështu. Madje, Kosova vetëm sa po mundëson realizimin e politikës së Beogradit të dirigjuar nga Moska, të diplomacisë merimangë. Klasa politike, në vend se kësaj fushate t'i përgjigjet me unitet dhe strategji, ata sillen me injorancë dhe tërësisht të verbuar pas pushtetit. Gjithçka ka marrë përsipër vetëm presidenti i vendit, i cili injorancën ndërkombëtare ndaj tij po mundohet ta eliminoj nëpërmjet Serbisë, duke u munduar që postin e tij ceremonial ta shfrytëzoj për t'u treguar si i vetmi që mund të shtyjë proceset përpara para ndërkombëtarëve, por në nivelin vendor ta shpërndaj këtë përgjegjësi, duke krijuar një "grup uniteti" për "dialog". Pra, ku do ketë autonomi për veriun e Kosovës, si akt i kryer, dhe dialog për enklavat tjera me shumicë serbe, që i bie hapje e çështjes së Pavarësisë së Kosovës dhe rrëzimi i pakos së Ahtisarit. Kosova, pastaj mund të fitoj një ulëse në OKB, një shtet jofunksional dhe një mosnjohje nga Serbia, dhe ajo ulëse në OKB, do jetë edhe më pak e vlefshme se ulëset e disa shteteve të dështuara të Afrikës. Pra, presidenti i vendit për imazhin e vet shfrytëzon koncesionet në dëm të Kosovës, realizon planet e Moskës dhe Beogradit, ndërsa BE-ja bënë sehire dhe krijon "stabilitokraci". Nëse Kosova nuk kundërpërgjigjet shpejtë në këtë çështje do të jetë një humbëse sikur në çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Por, a ka njerëz qeveria e re që dinë, duan dhe mund ta bëjnë këtë? Autori është master i shkencave politike: politikës ndërkombëtare dhe drejtor në "Independent Institute for Political and Media Studies.

(Kosova Sot)