Bosët e krimit dhe korrupsionit, brenda koalicionit

Bosët e krimit dhe korrupsionit, brenda koalicionit
  • 22 September 2017 - 08:39

Shkruan: YMRET RUSHITI

PANA jo stabile

Koalicioni PANA në vrapin për të marrë poste bëri vetëvrasje politike dhe strategjike. Humbi numrat në Kuvend. Flitet edhe për teori konspirative se kinse dikush nga brenda "ka paraparë një situatë të tillë ". A mos është ndonjë paralajmërim disiplinimi për kryeministrin Haradinaj, që ai " ta redaktojë" gjuhën dhe misionin e tij qeverisës deri në atë masë, saqë të mos shqetësojë "bosët e krimit dhe korrupsionit" që gjenden brenda koalicionit?!

Me formimin e Qeverisë "Haradinaj" sikur menduam se u tejkalua çështja e numrave të koalicionit PANA për formimin e institucioneve shtetërore. Hyrja e AKR-së në koalicion me PAN-in, në fillim u çmua si bekim, por siç po shihet tani, ky bekim po na del si mallkim. Siç duket, koalicioni PANA i kishte bërë llogaritë gabimisht. Po del që ata më shumë kishin qenë të përkushtuar në plotësimin e ambicieve personale të marrjes së posteve shtetërore, pa menduar se vrapimi pas atyre posteve mund të dëmtojë numrin e votave të koalicionit në Kuvend. Lidhja e koalicionit të AKR-së me PAN-in nuk doli që të jetë bërë me pëlqim unanim të AKR-së, siç u paraqit "para opinionit". Menjëherë pas këtij koalicioni, deputeti i AKR-së, Korab Sejdiu braktisi AKR-në dhe koalicionin PANA e zvogëloi për një votë. Gjithashtu, lëshimi i posteve të deputetëve vetëm e vetëm për të marrë poste qeveritare mundësuan humbje të tjera të votave të AKR-së. Me largimin e deputetit Behgjet Pacolli dhe emërimit të tij në postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, AKR-ja humbi edhe një deputet, ndërsa LDK-ja përfitoi nga ky rast duke e shtuar numrin e deputetëve edhe për një. Sikur të mos mjaftonin këto zhvillime, dikush nga të mëdhenjtë e PANA-s-it e futi në lojë KQZ-në, me porosi që deputetin Zafir Berisha ta decertifikojë nga kandidatura për kryetar komune. Qëllimi është që një kandidat serioz për Prizrenin, siç është Zafir Berisha, ta mënjanojnë nga gara, sepse nëse do të fitonte garën do të dilnin të "bëmat e famshme " të qeverisë "Muja". Kjo lojë, koalicionit PANA i ka kushtuar me humbjen edhe të një vote ( me të drejtë) të deputetit në Kuvend, ngase deputeti Zafir Berisha ka deklaruar se "nuk do ta mbështesë këtë koalicion". Të gjitha këto vlime në kazanin politik të PANALit, tregojnë frymën dhe fytyrën e vërtetë të këtij koalicioni mishmashi.

Qeveria që punon së koti

Tentimi që përmes mbledhjeve të Qeverisë të heshtet çështja e mungesës së numrave në Kuvend, ka si qëllim që para opinioni publik situatën e " krizës së numrave" ta paraqesë si normale. Ky është një gabim tjetër finok i kësaj Qeverie, e cila ka nisur t'i sjellë probleme vetvetes. Koha më së miri dëshmoi se rëndësia e numrave në Kuvend nuk mund të anashkalohet kurrsesi. Këtë nuk deshi ta kuptojë ambicia dhe kokëfortësia e koalicionit PANAL. Tre muaj kohë na morën numrat dhe u bëmë gazi i botës. Mungesa e guximit për t'u marrë me çështjen e numrave tregon edhe një fakt tjetër, të pathënë deri më tani për koalicionin e brishtë. Ky koalicion, përtej të sotmes nuk di të parashikojë asnjë veprim politik. Si u bë që ky koalicion nga 63 deputetë, tani të mbetet në 60 deputetë. Pse gjatë procesit të ndarjes së "kulaçit" nuk menduan se sa numra do t'u mbesin në Kuvend? Roli i numrave në Kuvend është i patejkalueshëm për iniciativat serioze të Qeverisë. Sa do që të mbajë takime pune, Qeveria assesi nuk mund ta lërë në " hije" rëndësinë dhe fuqinë që ka Kuvendi i Kosovës. Ecja pa Kuvendin është ecje drejt fundit të Qeverisë. Pa mbështetjen e Kuvendit të Kosovës nuk mund të kalojnë agjendat e Qeverisë në fushën e ligjeve, politikës , ekonomisë, sigurisë etj. Takimet e Qeverisë pa numrat në Kuvend janë takime së koti. Një fjalë e urtë populli thuhet sikur " me rrah ujë në hava". Pse po mungojnë numrat, pyetje që nuk po marrim përgjigje ende nga të papërgjegjshmit? 

Ky koalicion është krijuar me ambiciet personale

Koalicioni PANA në vrapin për të marrë poste bëri vetëvrasje politike dhe strategjike. Humbi numrat në Kuvend. Flitet edhe për teori konspirative se kinse dikush nga brenda "ka paraparë një situatë të tillë ". A mos është ndonjë paralajmërim disiplinimi për kryeministrin Haradinaj që ai " ta redaktojë" gjuhën dhe misionin e tij qeverisës deri në atë masë, saqë të mos shqetësojë "bosët e krimit dhe korrupsionit" ,që gjenden brenda koalicionit?! Por, ajo që dihet është se ky koalicion mund të shembet edhe para se të hyjë në dimër. Ky koalicion është krijuar me ambiciet personale të politikanëve dhe do të shkatërrohet pikërisht nga ato ambicie. Vetëm sa vonon, se shpëtim nuk ka!

(Kosova Sot)