Kulti korean-verior

Kulti korean-verior
  • 11 October 2017 - 10:31

Shkruan: Ian Buruma 

ABSURDITETI I DIKTATURËS SË KORESË VERIORE ËSHTË LEHTË QË TË PËRQESHET

Kulti Kim ka marrë diçka nga stalinizmi, diçka nga krishterimi mesianik

Donald Trump, biznesmen i ndërtimtarisë, mendon se mund të negociohet rreth gjithçkaje. Asgjë nuk është e shenjtë në biznes. Ideja e tij e arritjes së marrëveshjes është duke i bërë blof dhe duke e poshtëruar palën tjetër, prej ku del edhe premtimi i tij "për ta shkatërruar në tërësi Korenë Veriore"
Ka mundësi që lideri i Koresë Veriore, Kim Jong-un, e ndoshta edhe disa nga subjektet e tij të sundimit despotik, më parë do të pranonin shkatërrimin, sesa dorëzimin. Nuk do të ishte hera e parë që një lëvizje kuazi fetare të bëhej vetëvrasëse. Absurditeti i diktaturës së Koresë veriore është lehtë që të përqeshet. Kim Jong-un, me stilin e tij të flokëve të viteve 1930, me kostumin demode ala Mao dhe me trupin e shkurtër, trashaluq, edhe vetë është thuajse sikur një karikaturë. Zyrtarisht i konsideruar gjeni i gjithanshëm, ai adhurohet si perëndi dhe vazhdimisht paraqitet i rrethuar nga njerëzit, duke përfshirë edhe oficerët më të lartë ushtarakë të tij, të cilët qeshin, apo duartrokasin në mënyrë frenetike. Por, ne e dimë se jeta në Korenë veriore është larg të qenit e këndshme. Periudhat e herë- pashershme të urisë ndikojnë në shkretimin e popullsisë. Deri në 200,000 të burgosur politikë mbahen sikur skllevër në kampet brutale të punës, ku ata kanë fat nëse nuk torturohen deri në vdekje. Dhe, liria e fjalës nuk ekziston. Nuk ndalohet vetëm shprehja e rezervave ndaj statusit hyjnor të Kimit, por nëse dëshiron të mbetesh gjallë, atëherë duhet që vazhdimisht ta shprehësh përkushtimin ndaj liderit. Ka mundësi që shumë koreanë veriorë të sillen si 'adhurues' vetëm pse janë të detyruar. Të tjerët e bëjnë këtë meqë nuk dinë për asgjë më mirë. Sikur edhe njerëzit gjetiu, ata në mënyrë refleksive iu nënshtrohen normave të rrethit ku jetojnë, pa i analizuar ato. Por, disa koreanë veriorë, ndoshta shumë sish, me të vërtetë mund të besojnë në kultin e dinastisë Kim, i cili sikur edhe kultet e tjera, përbëhet nga pjesët dhe copëzat e marra nga kulturat e tjera, besimet dhe traditat.

Koreja ka një histori të të qenët e dominuar nga fuqitë e mëdha

Kulti Kim ka marrë diçka nga stalinizmi, diçka nga krishterimi mesianik, diçka nga feja e të parëve, konfuçianizmi, nga shamanizmi dhe diçka nga adhurimi japonez ndaj perandorit, meqë dihet që japonezët sunduan Korenë në gjysmën e parë të shekullit XX. I ati i presidentit Kim, Kim Jong-il, supozohet të ketë lindur në malin Paektu, i cili konsiderohet vend i shenjtë, ku më shumë se 4000 vjet më parë besohet të ketë lindur themeluesi hyjnor i mbretërisë së parë koreane, njeriu ari i quajtur Tangun. Lindja e Kim Jong-ilit, të quajtur edhe Lideri i dashur (i ati i tij ishte Lideri i madh), e shndërroi dimrin në verë dhe ishte përshëndetur nga shkëlqimi i një ylli në qiell. E tërë kjo mund të tingëllojë si çmenduri, por të gjitha rrëfimet e mrekullive në të gjitha fetë e kanë këtë karakteristikë. Ajo që ka rëndësi, është se njerëzit besojnë në të. Në këtë aspekt, besimtarët në Korenë Veriore nuk janë aspak më të çuditshëm sesa besimtarët gjetiu. Shpesh ka arsye të forta pse besimet e caktuara hasin në përkrahje të madhe. Islamizmi dhe krishterimi patën shumë mbështetës nga mesi i atyre që ishin të margjinalizuar dhe të shtypur, meqë këto fe ofronin barazinë e njerëzve para Zotit. Feja e Koresë Veriore është më pak e përhapur. Në fakt, në qendër të saj është ndjenja e pastërtisë etnike, një ndjenjë e nacionalizmit të shenjtë i cili duhet të mbrohet me çdo kusht nga forcat armike. Sikur Polonia, e cila ka një vet imazh të fortë të krishterë të martirizimit kombëtar, Koreja ka një histori të qenit e dominuar nga fuqitë e mëdha, kryesisht Kina, por edhe Rusia dhe, në fund, nga Japonia. Amerikanët janë të vonshëm, por urrejtja ndaj imperializmit amerikan në Korenë Veriore nuk rrjedh vetëm nga Lufta e egër e Koresë, por edhe nga kujtimi i gjatë i shtypjes nga të huajt. Dominimi nga fuqitë e huaja kishte krijuar pole të bashkëpunimit dhe rezistencës në historinë koreane. Disa nga këto shtresa sunduese në mbretëri të ndryshme koreane, kishin bashkëpunuar me fuqitë e huaja, e disa kishin luftuar kundër tyre. Kjo shkaktoi një urrejtje të thellë midis vetë koreanëve. Kim Il-sung e filloi karrierën e tij si kolaboracionist. Ai ishte përzgjedhur nga Stalini, që të ishte një lider komunist kukull në veri. Kështu lindi dhe i forcua legjenda e Kimit si hero i rezistencës ndaj japonezëve, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, më pas, kundër amerikanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre nga Koreja Jugore.

Njerëzit mund të negociojnë rreth interesave të kundërta

Nacionalizmi i Koresë Veriore, me kultin e saj të mbështetjes te vetvetja, që quhet "Juche", është religjioz, aq sa është edhe politik. Mbrojtja e dinastisë Kim, të ndërtuar si simbol të rezistencës koreane ndaj fuqive të huaja, është detyrë e shenjtë. Dhe, kur e shenjta mbizotëron në politikë, atëherë kompromisi bëhet thuajse i pamundur. Njerëzit mund të negociojnë rreth interesave të kundërta, por jo edhe rreth çështjeve të cilat ata i konsiderojnë të shenjta. Donald Trump, biznesmen i ndërtimtarisë, mendon se mund të negociohet rreth gjithçkaje. Asgjë nuk është e shenjtë në biznes. Ideja e tij e arritjes së marrëveshjes, është duke i bërë blof dhe duke e poshtëruar palën tjetër, prej ku del edhe premtimi i tij "për ta shkatërruar në tërësi Korenë Veriore". Është vështirë të paramendohet sesi Kim Jong-un, si mbrojtësi i shenjtë i popullit të tij, mund të bindet që të negociojë nga kërcënimet e tilla. Është e mundshme që Kim, e ndoshta edhe disa nga subjektet e sundimit të tij despotik, më me dëshirë do të pranonin vdekjen, sesa dorëzimin. Kjo nuk do të ishte hera e parë që një kult i kthehet vetëvrasjes. Por, ekziston edhe një rrezik tjetër, më i madh. Meqë postimet dhe deklaratat armiqësore të Trumpit pasohen rëndom nga deklaratat më të matura të zyrtarëve të tij të lartë, Kim mund të mos i merr ato seriozisht. Ai mund të mendojë që Trump vetëm flet dhe kurrë nuk i realizon kërcënimet që i bën. Kjo mund ta shtyjë Kimin që ta ndërmarrë ndonjë veprim të pamatur, sikur që është sulmi i Guamit, për shembull - ku ndaj një sulmi të tillë SHBA-ja doemos do të reagonte ashpër. Rezultat i kësaj do të ishte një katastrofë, jo vetëm për koreanët të cilët besojnë në misionin e shenjtë të Kimit, por mbi të gjitha për miliona koreanët, vetëm pak kilometra nga kufiri me Korenë e veriut, të cilët nuk marrin fare pjesë në kultin e Kimit. 

(Ian Buruma është redaktor i "The New York Review of Books" dhe autor i shumë librave, si "Murder in Amsterdam: The Death of Theo Van Gogh" dhe "Limits of Tolerance and Year Zero: A History of 1945") Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot'' 

(Kosova Sot)