Për njerëzit e politikës nuk po vlejnë ligjet dhe normat morale?!

Për njerëzit e politikës nuk po vlejnë ligjet dhe normat morale?!
  • 12 October 2017 - 09:03

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQI

Shteti pa llogaridhënie

Secila garniturë pushtetare, e cila po vjen në pushtet, është duke u treguar më e dobët së tjera në shtetndërtim dhe mirëqenie. Agresiviteti i tyre politik tashmë i ka kaluar të gjitha parametrat e normales. Demokracia më shumë ka mbetur nocion abstrakt. Nga këto të meta jemi duke pësuar shumë si shoqëri dhe si shtet

Për njerëzit e politikës në Kosovë duket se nuk po vlejnë ligjet dhe normat morale. Shoqëria ka të drejtë nga funksionarët e lartë të kërkojë që të japin llogari për punën dhe qëndrimet e tyre. Llogaridhënia rrjedh nga ligjet dhe nga përgjegjësia dhe normat morale, të cilat në vendin tonë nuk po respektohen. Është njerëzore që gjatë punës edhe të gabohet. Personi publik të cilit i ka mbetur te etika, nuk do të presë të veprojë dora e ligjit, por nëse gabon do të japë dorëheqje nga posti. Kështu ai tregon se është njerëzore të gabohet, por që përgjegjësia duhet të funksionojë në secilën shoqëri demokratike. Kur vepron pafytyrësia, atëherë duhet të veprojnë mekanizmat për shkarkimin e secilit pa marrë parasysh postin të cilin e ushtron. Më e keqja e gjithë kësaj është se politikanët, të cilët gjenden lart në strukturat shtetërore po punojnë fshehurazi, po veprojnë jashtë kompetencave, të cilat janë të lejueshme me ligje të caktuara. Kemi pasur shumë afera korruptive dhe të krimit të organizuar, të cilat nuk kanë përfunduar në mënyrë meritore, se organet e drejtësisë po punojnë shumë në mënyrë selektive. Kjo tregon gjithashtu se nuk po respektohet rendi shoqëror dhe nuk po respektohet as Kushtetuta e vendit.

Funksionarët e lartë të shtetit nuk e kanë ndjenjën e fajësisë

Drejtësia ka të meta të mëdha edhe në rastet më të thjeshta, e kur bëhet fjalë për rastet e rënda ato po presin me vite që të përfundohen. Kur gjërat qëndrojnë kështu, atëherë funksionarët e lartë të shtetit nuk e kanë ndjenjën e fajësisë dhe po veprojnë lirshëm pa frikë se do të ndeshen me ligjin. Të gjitha të këqijat, të cilat po i bëjnë karshi shtetit udhëheqësit tanë, shpejt po bien në harresë. Shumë njerëz u vranë pas luftës për motive të ndryshme, dhe shumë nga këto raste pak e panë dritën e diellit. Këto lëndë tashmë i ka mbuluar pluhuri i harresës. Aferat e njerëzve të politikës nuk po ndëshkohen. Edhe nëse po ndëshkohen, po ndëshkohen me largimin e tyre nga posti, por jo për shumë kohë. Ata po kthehen në postet e larta pushtetare me ndihmën e njerëzve të fuqishëm, të cilët që shumë kohë janë bërë alfa dhe omega. Gjithçka po relativizohet në këtë shtet sikur mos të kishte ndodhur ama bash asgjë. Të gjithë ata të cilët po e marrin pushtetin, po lavdërohen se kanë punuar më mirë se pushtetet e kaluara. Kjo është pafytyrësia, mospërgjegjësia dhe mungesa e moralit politik të kësaj kaste politike. Secili po punon që t'i forcojë radhët e veta partiake, e pastaj edhe pushtetare, edhe pse nuk e kanë dhënë provimin për të mirë.

Mospërgjegjësia ka përfshirë edhe opozitën

Secila garniturë pushtetare, e cila po vjen në pushtet, është duke u treguar më e dobët së tjera në shtetndërtim dhe mirëqenie. Agresiviteti i tyre politik tashmë i ka kaluar të gjitha parametrat e normales. Demokracia më shumë ka mbetur nocion abstrakt. Nga këto të meta jemi duke pësuar shumë si shoqëri dhe si shtet. Të gjithë po i mbrojnë pozicionet e tyre politike, edhe pse ato pozicione janë duke e dëmtuar rëndë vendin politikisht dhe ekonomikisht. Kjo mospërgjegjësi e udhëheqjeve të shtetit është duke vazhduar me trend të pandalshëm. Mospërgjegjësia ka përfshirë deri diku edhe opozitën, e cila bukur shumë po sillet si pozita. Është duke ardhur në shprehje antisistemi, si kundërvënie e sistemit, i cili rregullon një rend shoqëror. Këto anomali të antisistemit do të duhej të eliminoheshin, nëse dëshirojmë që proceset të marrin kahe pozitive. Vizionet apo pa vizionet e këtyre njerëzve të politikës janë duke na dërguar në ferr, nuk janë duke korresponduar me vizionet e popullit të Kosovës. Në sisteme gjithçka funksionon ashtu si duhet, përkundër antisistemit. Politikanët në vendet me përgjegjësi nuk po përgjigjen për veprimet e tyre të dëmshme. Po e lidhin fatin e tyre në politikë me fatin e popullit që nuk përkon fare më realitetin. Po thurin intriga të ndryshme me qëllim që ta mjegullojnë sa të jetë e mundshme situatën e keqe politike dhe atë ekonomike sociale. Këta po tregojnë se nuk janë më shumë se amatorë në politikëbërje, dhe lakmitarë të përfitimeve të të mirave materiale. Njeriu ynë është duke humbur gjithnjë e më shumë lirinë personale dhe dinjitetin … 

(Kosova Sot)