< A do të shkëputet hallka MË E LIGË E BE-së? - Opinione - Kosova Sot
A do tė shkėputet hallka MĖ E LIGĖ E BE-sė?

A do tė shkėputet hallka MĖ E LIGĖ E BE-sė?

Shkruan: Nikos Konstandaras

RAPORTET MIDIS VENDEVE TË BE-SË ME EKONOMITË MË TË FORTA

Nëse Gjermania nuk punon drejt unitetit evropian, atëherë kjo do ta shënojë një humbje të rolit udhëheqës, me pasoja historike

Raportet midis vendeve të BE-së me ekonomitë më të forta dhe atyre me ekonomitë më të dobë- ta, herë pas here kanë qenë të përkeqësuara, por nuk ka ardhur deri te shkëputja e lidhjes (zinxhirit). Por, në momentin kur ka nevojë që të forcohet, lidhja midis Gjermanisë dhe Greqisë mund të rrezikojë që të shkëputet. Gjatë krizës së borxheve në Greqi, këmbimet e zemëruara në mediat greke dhe gjermane, si dhe retorika populiste në të dyja anët, inkurajonte stereotipat nacionalë, ndikonin në politikat vendore të të dyja vendeve dhe në raportet midis tyre. Por, nevoja që Gjermania dhe vendet e thera ta mbështesin Greqinë, nxiste po ashtu edhe veprime kah një union më të afërt (ngushtë) në Evropë. Duket se pasionet në Greqi kanë filluar të bien, por tani Gjermania është në rrezik që të bie pre e narrativave të thjeshtësuara - me një kosto potenciale për Greqinë dhe BE-në. Dështimi për ruajtjen e eurozonës do të jetë fatal për Greqinë, si në aspektin human, po ashtu edhe atë ekonomik dhe do të jetë dëshmi se mungon vullneti politik për mbrojtjen e Projektit evropian. Në Greqi, qendra politike është fragmentuar, në të mirë të ish grupeve margjinale ekstremiste, të cilat e kanë shfrytëzuar zemërimin publik pa i zgjidhur problemet që e kishin shkaktuar këtë zemërim. Kjo e ka penguar arritjen e konsensusit të nevojshëm për rimëkëmbje. Zgjedhjet e fundit në Gjermani tregojnë se përzierja eksploduese e pasioneve politike dhe narrativave të thjeshtësuara ekonomike, është paraqitur edhe këtu. Problemet ekonomike të Greqisë shkaktuan krizën e parë të madhe të BE-së. Kancelarja gjermane Angela Merkel ishte në favor të mbetjes së Greqisë në eurozonë, por nuk donte që t'ia lehtësonte punët Athinës në këtë drejtim. Kjo kishte për qëllim evitimin e dëmit moral, por më shumë për t'i kënaqur kritikët e brendshëm të saj. Tani, pasi partia e saj konservatore ka fituar zgjedhjet me një shumicë më të vogël, ka të ngjarë që ajo të gjendet nën presion që Greqisë t'ia vështirë- sojë edhe më shumë jetën.

Vendi ende është duke u përpjekur që ta marrë veten

Ironia është se, deri tash vonë, ishin politikanët grekë ata që ishin më të zëshmit kundër dorëzanive, ku partitë opozitare thoshin se qeveria ishte 'shitur' për shkak se kishte nënshkruar reformat dhe masat e kursimit, në këmbim të huave. Qeveria aktuale - një koalicion i së majtës radikale dhe i së djathtës nacionaliste - erdhi në pushtet në fillim të vitit 2015, në një platformë antimasave të kursimit, shpesh edhe anti-gjermane. Kryeministri Alexis Tsipras kërkonte mbështetje pa kushte. Kur partnerët dhe kreditorët e Greqisë vunë në pah këtë blof të tij, vendi u detyrua që të kërkonte para nga FMN-ja dhe ishte buzë daljes nga eurozona kur Tsipras nënshkroi një marrëveshje të re të dorëzanisë, në kushte edhe më të ashpra. I detyruar që të hiqte dorë nga politika e tij radikale, ai u detyrua që të kërkonte mbështetje dhe kuptim nga kancelarja gjermane. Por, veprimet e tij rrezikuan përpjekjet e mëparshme dhe e kthyen Greqinë në recesion. Vendi ende është duke u përpjekur që ta marrë veten, ku këtë vit ekonomia ka shënuar një rritje modeste. Tani janë politikanët gjermanë ata që kërcënojnë me shkatërrimin e marrëveshjes e cila mbante eurozonën të gjallë. Bile edhe para zgjedhjeve të 24 shtatorit, rritja e mbështetjes ndaj partisë së ekstremit të djathtë, "Alternativa për Gjermaninë", e ndryshoi politikën e vendit, ku anëtarë të disa partive tjera mbështetën disa nga kërkesat e kësaj partie, duke përfshirë edhe kundërshtimin e eurozonës dhe kundërshtimin e ndihmave për Greqinë. Duke tentuar që ta formojë një koalicion qeverisës, Merkel do të jetë e detyruar që të pajtojë politikat kontradiktore të partnerëve potencialë dhe të qetësojë kritikat brenda partisë së saj. Demokratët e lirë, të cilët janë partnerë të mundshëm, angazhohen për një linjë të ashpër ndaj Greqisë. Kjo është një kohë e vështirë për demokracinë liberale. Rreziku ndaj BE-së dhe parimeve të saj kërkon një union më të fortë, sikur që ka theksuar presidenti francez, Emmanuel Macron. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i referohet nevojës për vlera sociale, të cilat shkojnë përtej shqetësimeve rreth tregut të përbashkët dhe eurozonës. Gjatë disa viteve të kaluara, Merkel ishte pajtuar që të shkohej kah një union më i afërt. Kjo nuk ishte aq e qartë në fillim të krizës. Në vitin 2010, nuk kishte fond të centralizuar për ta shpëtuar Greqinë. Sistemi i cili ishte miratuar, kryesisht pas insistimit të Gjermanisë, përfshinte kërkesën që vendet e eurozonës të jepnin hua bilaterale për Greqinë; kushtet e tij ishin ndëshkuese dhe i bënte taksapaguesit në vendet donatore të vetëdijshëm se paratë e tyre shkonin për shpëtimin e Greqisë, e jo për mbrojtjen e valutës së përbashkët. 

Greqia të mbetet në kurthin e dorëzanisë

Kjo shkaktoi një dyshim të qëndrueshëm ndaj Greqisë në shumë vende, duke mbajtur vëmendjen të përqendruar te interesat nacionale, sesa te inkurajimi i besimit te Evropa, si tërësi. Kriza e imigracionit vetëm sa e forcoi këtë, ku shumë vende u deklaruan kundër politikës së BE-së, duke ngritur mure dhe duke refuzuar që të pranonin kuotën e refugjatëve, të caktuar për vendet e tyre. Eurozona tani i ka institucionet dhe procedurat për t'u ballafaquar me emergjencat ekonomike. Ajo është marrë me krizat në Irlandë, Portugali dhe Qipro, pa shkaktuar trazira të ngjashme me ato në Greqi, apo pa shkaktuar zemërim te vendet donatore. Banka qendrore evropiane - përkundër protestave gjermane - luan një rol më aktiv në mbrojtje të euros, sesa që bënin shtetet anëtare në vitin 2010. Por, përderisa Greqia të mbetet në kurthin e dorëzanisë, ajo është e përjashtuar nga programi i BQE-së për blerjen e bonove, gjë që do t'iu jepte bankave greke një likuiditet më të madh dhe do ta përmirësonte besimin te ekonomia. Nuk është për t'u befasuar që populistët kanë arritur sukses në Gjermani. Por, ata ende gëzojnë mbështetjen e një përqindjeje të vogël të votuesve dhe nuk duhet që të lejohen që ta kenë një fuqi më të madhe vendimmarrëse në politikën nacionale. Nga kjo rrezikohen shumë gjëra. Ne në Greqi kemi parë se çka ndodhë kur politikanët me slogane, në vend se me propozime serioze, dominojnë në skenë. Por, në Greqi janë grekët ata që paguajnë për gabimet e tyre. Bota nuk mund të lejojë që gjermanët të bëjnë gabimet e njëjta. Nëse Gjermania nuk punon drejt unitetit evropian, atëherë kjo do ta shënojë një humbje të rolit udhëheqës, me pasoja historike. Nëse hallka më e dobët e BEsë nuk mund të qëndrojë, atëherë i tërë unioni mund të shkatërrohet. Nëse shtetet lejojnë që pakicat e papërgjegjshme politike ta diktojnë politikën dhe të mbjellin përçarje, atëherë çka do t'i mbrojë ato që edhe vet të mos shkatërrohen?
(Nikos Konstandaras është analist i gazetës greke "Kathimerini")

(Kosova Sot) 

5 orë e 30 minuta më parë