Sulmuesit e brendshëm të Evropës

Sulmuesit e brendshëm të Evropës
  • 20 October 2017 - 09:36

Shkruan: Joschka Fischer

Përpjekja ilegale e Katalonisë për pavarësi, sikur edhe referendumi fatkeq Brexit në Britani, është e barabartë me një absurditet historik. Pas dekadave të tëra të gjakderdhjes në shekullin XX dhe në kuadër të konkurrencës me ekonomitë e vendeve, si SHBA-ja, Kina dhe India, nevoja për një integrim më të thellë evropian në shekullin XXI duhet të jetë evidente. Përfundimisht, duket që Evropa ka dalë nga kriza e saj ekonomike shumëvjeçare, por ajo megjithatë mbetet e parregulluar. Për çdo arsye për të qenë optimistë, duket se gjithmonë ekziston një arsye për t'u shqetësuar. Në qershor të vitit 2016, një shumicë e vogël e votuesve britanikë u përcaktuan për nostalgjinë e shekullit XIX, në vend se të asaj që do të sillte shekulli XXI. Pra, ata vendosën që të kërcenin në një humnerë, në emër të 'sovranitetit'. Ka shumë dëshmi që tregojnë se rënia e Britanisë së madhe do të jetë e vështirë.

Marrëzia politike

Në Spanjë, Qeveria e regjionit autonom të Katalonisë tani po ashtu kërkon sovranitet. Por, qeveria aktuale spanjolle nuk është duke persekutuar, burgosur, torturuar dhe ekzekutuar popullin e Katalonisë, sikur që bënte dikur diktatura e gjeneralisimit Francisco Franco. Spanja është një vend stabil demokratik dhe anëtare e BE-së, eurozonës dhe NATO-s. Për dekada me radhë, ajo ka respektuar sundimin e ligjit në pajtim me një kushtetutë demokratike, e cila ishte negociuar nga të gjitha palët në regjion, duke përfshirë edhe Kataloninë. Më 1 tetor, qeveria e Katalonisë mbajti një referendum të pavarësisë, në të cilin morën pjesë më pak se gjysma e popullatës. Sipas standardeve të BE-së dhe OSBE-së, ky votim nuk mund të pranohej si "i lirë dhe i drejtë". Përpos që ishte ilegal sipas Kushtetutës së Spanjës, referendumi nuk pati as edhe një regjistër të votuesve, për të parë se kush kishte të drejtë votimi. Referendumi "alternativ" i Katalonisë kërkonte një shtypje nga qeveria e kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy, e cila intervenoi për të mbyllur vendvotimet dhe për të penguar njerëzit që të votonin. Kjo doli të ishte një marrëzi politike e rendit më të lartë, meqë pamjet e policëve që sulmonin protestuesit e paarmatosur katalonas, iu ofronin secesionistëve një legjitimitet të rremë. Asnjë demokraci nuk mund të fitojë në një konflikt të këtij lloji. Dhe, në rastin e Spanjës, dhuna e ushtruar ngjalli kujtimet e luftës civile të këtij vendi, të viteve 1936-1939, e cila është trauma më e thellë historike e këtij vendi. Nëse Katalonia me të vërtetë dëshiron që të bëhet e pavarur, atëherë ajo duhet ta gjejë një rrugë për ta arritur këtë, pa Spanjën dhe pa BE-në. Spanja, me mbështetjen e shumë shteteve të tjera anëtare, që janë të shqetë- suara rreth lëvizjeve të tyre separatiste, do ta bllokonin çdo përpjekje të Katalonisë për anë- tarësim në BE apo eurozonë. Dhe, pa integrimin në tregun e përbashkët evropian, Katalonia do të ballafaqohej me perspektivën e zymtë të një transformimi të shpejtë nga një fuqi ekonomike, në një vend të izoluar dhe të varfër.

Përkushtimi i bashkuar i evropianëve për liri

Por, pavarësimi i Katalonisë do të paraqiste problem të madh edhe për Evropën. Askush nuk e dëshiron përsëritjen e shpërbërjes së Jugosllavisë, për arsye evidente. Por, në anën tjetër, BE-ja nuk mund ta tolerojë dezintegrimin e shteteve anëtare të saj, meqë këto shtete përbëjnë themelet mbi të cilat qëndron vet BEja. BE-ja është asociacion i shteteve nacionale, e jo e regjioneve. Edhe pse regjionet mund ta luajnë një rol të rëndësishëm brenda BE-së, ato nuk mund të paraqesin alternativë ndaj shteteve anëtare. Nëse Katalonia do ta paraqiste një precedent të secesionit, duke inkurajuar regjionet e tjera që të shkonin rrugës së saj, atëherë BE-ja do të gjendej në një krizë të thellë ekzistenciale. Në fakt, mund të thuhet se tani në Kataloni rrezikohet vetë e ardhmja e BE-së. Për më tepër, qëllimi origjinal i BE-së ishte tejkalimi i mangësive të shteteve nacionale, nëpërmes integrimit - që është e kundërta e secesionit. Ajo mendohej se do të kalonte sistemin shtetëror, i cili u dëshmua si tepër shkatërrimtar në gjysmën e parë të shekullit XX. Merreni shembullin e Irlandës Veriore, e cila u bë një shembull i përkryer se si integrimi brenda BE-së mund t'i tejkalojë kufijtë kombëtarë, të tejkalojë ndarjet historike dhe ta sigurojë paqen dhe stabilitetin. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kataloninë, e cila, në fund të fundit, pjesën më të madhe të suksesit të saj ekonomik ia ka borxh anëtarësimit të Spanjës në BE, në vitin 1986. Do të ishte historikisht absurde që vendet anëtare të BE-së të hynin në një fazë të secesionit dhe dezintegrimit në shekullin XXI. Na mbetet vetëm të shpresojmë se do të mbizotërojë arsyeja, sidomos në Barcelonë, por edhe në Madrid. Një Spanjë e tërë dhe demokratike është tepër e rëndësishme që të rrezikohet nga mosmarrëveshjet në lidhje me shpërndarjen e të ardhurave tatimore brenda regjionit të një shteti. Nuk ka alternativë tjetër, pos që të dyja palët të dalin nga kanalet që i kanë hapur, të fillojnë të negociojnë dhe ta gjejnë një zgjidhje që do t'i kënaqte të dyja palët, në pajtim me kushtetutën e Spanjës, parimet demokratike dhe sundimin e ligjit. Përvojat e miqve të Spanjës dhe aleatëve të saj, mund të jenë të dobishme në këtë aspekt. Gjermania, për dallim nga Spanja, është e organizuar si federatë. Por, edhe në Gjermani ka vështirësi të mëdha gjatë negociatave të pafundme rreth transferimeve fiskale midis Qeverisë federale dhe shteteve të veçanta, ngjashëm me mosmarrëveshjet midis regjioneve më të pasura dhe atyre më të varfra. Por, në fund të fundit, gjithmonë arrihet një marrëveshje, e cila qëndron derisa të paraqitet një mosmarrëveshje tjetër, në ç'moment fillojnë përsëri negociatat. Thënë të vërtetën, paratë janë të rëndësishme. Por, ato nuk janë më të rëndësishme sesa përkushtimi i bashkuar i evropianëve për liri, demokraci dhe sundim të ligjit. Prosperiteti i Evropës varet nga paqja dhe stabiliteti dhe, paqja e stabiliteti në Evropë, në rend të parë, varen nga ajo se a do të luftojnë evropianët për mbrojtjen e këtyre vlerave.

(Joschka Fischer ishte ministër i Jashtëm dhe zëvendëskancelar i Gjermanisë midis viteve 1998-2005)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për 'Project Syndicate', pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)