Thaqi kërcënon me shqiptarizim!

Thaqi kërcënon  me shqiptarizim!
  • 20 October 2017 - 10:52
Shkruan: YMRET RESHITI

Sa herë që Hashim Thaqit nuk i dalin llogarit, gjithmonë fajtorin e gjënë tek të tjerët. Thellë në egon e tij patriarkale e ka të fiksuar  bindjen  se, ai është “ i pafajshmi” i politikës. I njohur si politikan që tëra  punët i kryen në prapaskena sipas parimit Makiavelistë, publikisht shfajësohet  mëshirshëm, sa herë që i dalin në shesh,  dritë hijet.  Zhgënjimi i tij deri në masën e një qortimi të rreptë  publik ndaj miqve ndërkombëtar për mos mbajtjen e do farë “premtimesh”, po shfaqin më së miri prapaskenat e politikës kosovare, ku kryefjalën e ka pasur politikani Thaqi.

 

Nëse shikojmë në retrospektiv, do të na kujtohet maskarada e Kuvendit të Kosovës,  i cili në votimin e parë nuk e miratoi formimin e gjykatës speciale por pas presionit dhe trysnisë që dinë ta bëjë vetëm mjeshtri Thaqi, edhe ata deputet të PDK-së që kundërshtuan gjykatën special në votimin e parë, ndërruan mendimin dhe votuan formimin e gjykatës speciale, edhe pse të bindur se po gabojnë dhe po e dëmtojnë Kosovën! Ishte Hashim Thaqi, i cili  propagandonte se,  formimi i kësaj gjykate do t’i hapte rrugë Kosovës në integrimet ndërkombëtare . Ai qortonte fort politikanët kosovarë se, nëse  nuk e miratojnë formimin e gjykatës, atë do ta bëjë Këshilli i Sigurimit të OKB-së, dhe për ne do të jetë shumë keq. Tha edhe shumë  broçkulla të tjera të zakonshme. Nëse jemi të sigurt se gjykata speciale aktuale do të gjykojë me  profesionalizëm krimet e supozuara  të pjesëtarëve të UÇK-së, atëherë shtrohet pyetja, çka   nëse  gjykata do ishte  formuar nga KS e OKB-së,  a do të ishte ma pak profesionale dhe politikisht ma e ndikueshme  ?!  Si mund të krijohet një perceptim i tillë, i padrejtë ndaj një organi si KS e OKB-së,   i cili nxori rezolutën 1244 që e  çliroi  Kosovën!?  Bindja, se kjo gjykatë me formatin për të gjykuar vetëm një etni –shqiptarët, ka mundur të mos realizohej për shumë arsye. E para, praktika kërkon që shteti duhet të jep pëlqimin. E dyta, ka qenë gjykata ndërkombëtare  e Hagës për krimet e luftës në ish Jugosllavi. E treta,  me veton Amerikane nuk kishte mundur assesi me kaluar në KS  të OKB-së. E katërta, së paku nuk  do të ishin ndjekur vetëm shqiptarët por edhe serbët, dhe pakicat tjera që kanë  bërë krime.  

 

Atlet i famës në politik

Hashim Thaqi, njihet si politikani  që më së shumti ka vrapuar dhe “shqelmuar” për të marr meritat për formimin e shtetit dhe kombit kosovarë, bile  duke e quajtur  vetën Xhorxh  Ëashngtoni  i Kosovës!

Hashim Thaqi ishte ideatori, dizajneri dhe miratuesi i simboleve të Kosovës si;  flamurit, himnit e Kosovës, emblemës etj, pa pyetur askënd dhe as një institucion. Edhe pse praktikat shtete formuese kudo  në botë,  kanë praktikuar që deklaratën e pavarësisë t’a lexojnë presidentët ose kryetarët e Parlamenteve, në rastin e Kosovës u shkel kjo praktik nga Hashim Thaqi ish kryeministër, i cili kushtëzoi shpalljen e pavarësisë, vetëm nëse ai e lexon deklaratën. Por veprimet e tij arbitrare nuk përfundojnë këtu , ato vazhduan tutje, deri te ato që e kanë dëmtuar dhe rrezikuar shtetësinë e Kosovës.

Hashim Thaqi, pa e pyet asnjë institucion më ta lartë se pozita e tij,  pranoi  fusnotën e cila merret si “tatëpjeta “e  shtetit të Kosovës. Ishte ai që  duke u thirr në “emër të  marrjes së perspektivës euro atlantike “ bëri një mori kompromisesh në dialogët me Serbinë, të cilat veç sa ia komplikuan rrugëtimet e republikës së Kosovës në integrimet ndërkombëtare.  

Hashim Thaqi është politkan i magjepsur pas famës, prandaj pika e tij e dobët është  epitetit  “Xhorxh Ëashnigtoni Kosovës “.

Një epitet që kur e kujton natën, mbetët pa gjumë. Kur e dëgjon ditën,  dërdëllitet ma shumë se kur  pi  “shlivovicë” me komshinjtë.

 

Ëndrra e trishtë e Thaqit

Në debatin “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale: rreziqet dhe mundësitë”, Thaqi  reagon  sikur të zgjohet nga një ëndërr e trishtë.  Ndoshta pafuqia e tij që ta heq emrin e tij nga lista e të akuzuarve të gjykatës speciale, ka zhgënjyer shumë Xhorxh Ëashintonin e Kosovës, sa  të  akuzoj për “tradhti”   dhe për do farë “premtimesh“ që miqtë ndërkombëtarë mohojnë se i kanë dhënë ndonjëherë. Miqtë ndërkombëtar ia sqaruan Hashim Thaqit se, në të drejtën ndërkombëtarë  ka kritere që Kosova duhet t’i përmbush si shtet, nëse do që të integrohet në mekanizmat ndërkombëtar dhe  në diplomaci nuk vlen “fjala e dhënë nga 40 burra”  sipas kanunit të Xhemajl Obrisë- pleqnarit të Drenicës, alias frymëzuesi shpirtëror i Hashim Thaqit.

 

Çka ka faj bota pse ka kritere dhe rregulla në diplomaci. Pse ne nuk treguam se cilët ishin kriteret tona që të formohej gjykata speciale? Bile, edhe dialogjet me Serbinë i kemi bërë pa asnjë kriter dhe jemi dorëzuar pa kushte!

Sa i pjekur dhe konsekuent në politik është Hashim Thaqi, tregon fakti se, sa herë që gabon  fajëson miqtë ndërkombëtar dhe i kërcënon  sikur se Daçiqi e Vuqiqi me tezën për “ Shqipërinë e madhe”.  Tani kosovari Hashim Thaqi, kërcënon Bashkimin Evropian se, nëse nuk bëhet  liberalizimi i vizave për Kosovën, të gjithë kosovarët do t’i  pajis me pasaporta të  Shqipërisë! Do të merr fund kosovarizmi sepse do t’i shqiptarizoj të gjithë kosovarët!

Hashim Thaqi, për shkak të paaftësisë dhe  gabimeve të tija,varg e vij, tani  si një mulla beduin “thërret miletin kosovarë në  shqiptarizëm “.

Njëri që më së shumti u tallë me shqiptarët e  LVV-së,  të cilët i akuzonte se nuk “pranonin realitetin Hashimian të kosovarizimit’’por po insistojnë që të mbetën shqiptarë të  Shqipërisë së bashkuar!

 

Çfarë po  mendon Hashim Thaqi, se ne, populli, jemi lodër në duart e tij, që sa herë t’i shkojë mendja të na ndërroj identitetin kombëtar?! 

 (Kosova Sot)