Trump mund ta përsëritë një histori tragjike

Trump mund ta përsëritë një histori tragjike
  • 22 October 2017 - 14:15

Shkruan: Fareed Zakaria 

PRESIDENTI AMERIKAN NEGOCIATAT NDËRKOMBËTARE I SHEH SIKUR MARRËVESHJET NË BIZNES

Që të kenë sukses, negociatat ndërkombëtare duhet të bazohen te një strategji e 'fitores për të dyja palët''

Seria dokumentare gjithëpërfshirëse e Ken Burnsit dhe Lynn Novickut rreth Luftës së Vietnamit është e mbushur me rrëfime dhe zëra të ushtarëve të rëndomtë, nga të gjitha anët e konfliktit. Por, aspekti më tragjik i këtij rrëfimi, për mua, ishte dëgjimi i presidentit Lyndon B. Johnson në kasetë, para angazhimit të plotë të SHBA-së, ku ai pranon se lufta nuk mund të fitohet. Dilema e Johnsonit është ajo dilemë nga e cila frikësohen të gjithë presidentët dhe ajo dilemë të cilën e bartë mbi vete presidenti Trump me Korenë Veriore dhe Iranin. Në maj të vitit 1964, kur SHBA-ja kishte më pak se 20,000 trupa në Vietnam, që shërbenin si këshilltarë dhe trajnerë, Johnson i kishte thënë këshilltarit të sigurisë kombëtare, McGeorge Bundy, "Nuk kam fjetur tërë natën, duke menduar për këtë gjë... ajo më shqetëson tepër shumë. Nuk shoh çka mund të shpresojmë që të fitojmë atje, pasi që të angazhohemi. Nuk mendoj se mund t'i mposhtim nga një largësi prej 10,000 miljeve. Nuk mendoj se kjo luftë ia vlen dhe nuk mendoj se mund të tërhiqemi". "Sot në mëngjes shikoja këtë rreshterin tim", vazhdonte Johnson. "Ai ka gjashtë fëmijë të vegjël... Për çfarë dreqin jam duke e çuar atë atje? Çfarë dreqin vlere ka Vietnami për mua... Çfarë vlere ka Vietnami për këtë vend"?

Rritja e trupave amerikane

Johnson bënte të gjitha pyetjet adekuate. Ai kuptonte se Vietnami nuk kishte rëndësi vitale dhe se shumë lehtë mund të shndërrohej në 'baltovinë'. Por, përkundër kësaj, ai nuk mundi të arrinte deri te përfundimi logjik - tërheqja. Sikur edhe shumë presidentë të tjerë para dhe pas tij, ai nuk di si ta pranojë dështimin. Asnjë president nuk mund ta bëjë këtë. Në një bisedë tjetër, me mentorin e tij nga Senati, Richard Russell, Johnson spekulonte se "nëse një president do të vendoste që të tërhiqej nga Vietnami, ai do të ballafaqohej me një akuzë, apo jo"? Dhe kështu, meqë presidenti i SHBA-së nuk mund ta gjente një rrugë për të pranuar se SHBA-ja duhet ta ndryshojë kursin, Johnson rriti numrin e trupave amerikane në Vietnam nga më pak se 20.000, në më shumë se 500.000, duke copëtuar Indokinën, shoqërinë amerikane dhe presidencën e tij. Ky shembull është dramatik, por në politikën e jashtme është një e vërtetë e përgjithshme se, kur SHBA-ja ballafaqohet me një vendim midis tërheqjes dhe dyfishimit të trupave, ajo përcaktohet për opsionin e dytë. Në dy zona të rëndësishme, Kore veriore dhe Iran, Trump ka rritur në mënyrë dramatike rrezikun për SHBA-në, pa ndonjë arsye të mirë. I vendosur që të tregohet më i ashpër sesa paraardhësi i tij, ai ka marrë pozicione maksimaliste ndaj këtyre dy vendeve. Ai dëshiron një Kore veriore tërësisht të denuklearizuar dhe një Iran i cili nuk do të prodhojë më raketa balistike dhe nuk do të mbështetë forcat aleate të tij në vendet, si Siri, Irak dhe Jemen. Ekziston një mundësi shumë e vogël që Koreja veriore dhe Irani, thjeshtë të kapitullojnë për shkak se Uashingtoni e kërkon një gjë të tillë. Dhe, nëse ato nuk e bëjnë një gjë të tillë, çka do të bëjë Trump? A do të tërhiqet, apo do ta dyfishojë qëndrimin e vet? Dhe ku do të mbaronte një eskalim i tillë? 

Mënyra e rinegocimit

Duket që Trump i sheh negociatat ndërkombëtare sikur marrëveshjet në biznes. Ai duhet të fitojë. Por, këtu ka një dallim të madh. Në fushën ndërkombëtare, edhe personi tjetër shqetësohet rreth politikave vendore. As ai nuk mund t'ia lejojë vetes humbjen. Një biznesmen i suksesshëm më tha tash vonë, "Trump është duke bërë negociata si me dy njerëz, duke menduar se është vetëm ai dhe njeriu tjetër, dy drejtorë që arrijnë një marrëveshje, sikur në biznes. Por, në fakt, ka edhe njerëz jashtë dhomës - opinioni publik i të dy vendeve - të cilët kufizojnë në një masë të madhe negociatorët. Kjo nuk është aspak lojë e dy personave". Që të kenë sukses, negociatat ndërkombëtare duhet të bazohen te një strategji e 'fitores për të dyja palët'. Përndryshe, pala tjetër thjesht nuk do të mund ta 'shet' këtë marrëveshje në shtëpi. Por, duket që Trump mendon dhe beson se ai duhet të fitojë, e pala tjetër të humbë. Një zyrtar i lartë meksikan më tha se duhet të ketë një mënyrë për rinegocimin e Marrëveshjes së tregtisë së lirë të Amerikës veriore, bile edhe të gjendet një mënyrë për ta financuar murin në kufi, "por Trump duhej që edhe neve të na lejonte që ta shpallnim njëfarë fitoreje, të na bënte ca lëshime. Në vend të kësaj, ai filloi duke na poshtëruar dhe duke e bërë të pamundur për presidentin Enrique Pena Nieto arritjen e një marrëveshjeje. Në fund të fundit, asnjë qeveri meksikane nuk mundet, thjesht, të dorëzohet para Uashingtonit". Mënyra e Trumpit për të bërë negociata, mund të ketë funksionuar në të kaluarën edhe pse edhe këtu ka disa dyshime. Por, ai më nuk ka të bëjë me marrëveshje të ndërtimtarisë dhe patundshmërisë. Ai gjendet në një fushë tjetër, me rrethana shumë më komplekse dhe me rreziqe shumë më të mëdha, astronomike. 

(Kosova Sot)