< Kur harrohen varrezat, tjetërsohet indentiteti - Opinione - Kosova Sot
Kur harrohen varrezat, tjetėrsohet indentiteti

Kur harrohen varrezat, tjetėrsohet indentiteti

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Historia e popullit tonë është e ngarkuar vetëm me vuajtje, vrasje, maltretime dhe masakra më çnjerëzore që na shkaktuan ushtritë pushtuese që nga forcat e Persisë të mbretit Dari, e deri te masakra e Reçakut dhe e familjes Jashari në Prekaz. Që nga ajo kohë, e ndoshta edhe më herët, të parët tanë dhe ne të sotmit përmendsh dhe me krenari e kemi mësuar refrenin monoton, se ne shqiptarët kurrë nuk ishim pushtues. Fakti se ne mburremi që nuk ishim agresivë ndaj askujt nuk është shenjë trimërie e as humanizmi, por është një dobësi kolektive dhe mosunitet i forcave tona të brendshme për të mbrojtur territoret tona. Ne jemi treguar luftëtarë trima në dobi të ushtrive pushtuese, kurse në mbrojtje të atdheut tonë kurrë liderët tanë nuk kanë treguar vullnet të bashkojnë forcat për rezistencë të përbashkët, e madje as në luftën e fundit nuk iu bashkuan UÇK-së. Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në mosunifikimin tonë e që njëri prej tyre duhet të jetë ndikimi i Fuqive të Mëdha, por që ky faktor është i vonshëm, i cili nuk na ka ekzistuar para krijimit të Perandorisë romake.

Pse u rrudhën trojet etnike ?

Në bazë të shumicës së shkrimeve të autorëve tanë, ne mburremi më paraardhësit tanë, e në asnjë vend nuk përpiqemi t'i gjejmë dobësitë e tyre që përsëriten deri në ditët tona. Po të ishim aq trima e aq atdhedashës, siç shkruajnë historianët dhe romansierët, ne nuk do ta kishim të rrudhur kufirin tonë e të coptuar në disa shtete. A mund të jetë dobësi jona gjenetike xhelozia ndaj të afërmit tonë dhe e dyta krenaria individuale egoiste që nuk na ka lënë kurrë të bashkohemi? Si pyetja edhe përgjigjja është hipotetike përderisa ne nuk jemi në gjendje të bëjmë një hulumtim shkencor voluminoz për të kaluarën jo se jo, por as për përçarjet e luftës së fundit. Habia më e madhe është se ne pas çdo lufte, trimat i zhvlerësojmë duke i shndërruar në frikacakë dhe i harrojmë, ndërsa bashkëpunëtorët e armikut ngriten masovikisht dhe bëhen trima e strategë të njohur të luftës pa kontribuar asgjë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në kohën kur vendi ynë ishte i sunduar nga princat tanë të ndarë në principata. Kur luftonte një principatë të tjerët nuk i bashkoheshin, e qëndronin të kënaqur që fqinji i tij po dobësohej e po vritej, pa e llogaritur që radhën e kishte ai pak muaj apo vite më vonë. Hiç më burrërisht nuk veproi as Azem Bejta, të cilin armiku e garantoi të jetonte i lirë në dy- tri fshatra të Drenicës, e që tri vjet më vonë ia rrafshuan dhe e vranë. Këto ngjarje na kujtojnë një histori të turbullt e të hidhur, pavarësisht që zhvillonin luftëra dhe rezistencë kundër pushtuesit.

Larg syrit, larg zemrës

Në këtë kontekst do t'ua rikujtoj humbjen e territoreve tona dhe masakrat që iu bënë popullsisë sonë në Sanxhakun e Nishit dhe rrethit të Vranjës, pa i anashkaluar territoret e tjera, si Arta, Janina e Preveza, e as Ulqinin, Tivarin, Hot e Grudë, që u bë spastrim etnik nga forcat e pushtuese, ku kishte qindra mijëra të vrarë, e qindra mijëra të tjerë u shpërngulën. Të shpërngulurit i lanë kufomat e prindërve, fëmijëve e të dashurve në varret e tyre dhe u larguan, ndërsa ata që mbetën iu nënshtruan ligjeve drakoniane të armikut, e një pjesë e madhe u asimilua që t'i përshtateshin sistemit të ri me rregulla të reja. E kurrë më askush nuk tregoi interesim për ato kufoma, për ato varreza, për ato gra, fëmijë e burra të mbuluar nën dheun e zi. E varreza të shqiptarëve të masakruar e të vrarë kishte kudo! E varreza të shqiptarëve të vdekur nga sëmundjet e ndryshme e të vdekjeve të natyrshme kishte në çdo fshat e qytet! E varreza të grave e vajzave të dhunuara të e maltretuara nga pushtuesit kishte në çdo cep të atdheut tonë! E për këto varreza kurrë askush nuk tregoi përkujdesje, as atëherë, e as sot! Ne i harrojmë të vdekurit, sepse nuk i respektojmë as të gjallët. Ne jemi popull specifik! Ne edhe përmes fjalëve të " urta " popullore e kemi trashëguar kulturën e mosrespektimit duke thënë "I vdekuri me të vdekurin, e i gjalli me të gjallin". Harrojmë se ata që kanë vdekur kanë vdekur për të krijuar një lumturi për pjellën e tyre, e pjella e tyre i harron. Varret e tyre i mbulon bari i egër dhe u shembën rrasat e vëra te koka pa asnjë mbishkrim.

Ndalohet epitafi mbi varret tona

Politika e pushtuesit ishte perfide në çdo pore të jetës. Pushtuesit na "edukonin" se nuk duhet të mbjellim pemë, sepse kur rritet pema sa qafa e njeriut ai vdes. E ne nuk mbillnim, sepse jetën e donim më shumë se pemën. Pushtuesit na " edukonin " se nuk duhet të dilnim në fotografi, sepse fotografia e kërkon jetën e njeriut në atë botë. E ne nuk bënim fotografi për të shënuar lindjet, dasmat, trimat e trimëritë. Pushtuesit na " edukonin " se varret nuk duhet të mbanin mbishkrime, por varret tona duhet të kenë një rrasë dhe pak ujë, që të humbim çdo gjurmë shqiptare. Pas një kohe të gjatë në varrezat tona nuk dihet se kush prehet aty; ishte grua apo burrë, ishte fëmijë apo i rritur, ishte luftëtar apo lypsar. Jo në varrezat tona nuk lejojmë të shkruhet historia individuale e që është histori e një populli të tërë. Mbi varret dhe kultet religjioze tona pushtuesit e ndërtonin historinë e tyre e ne do mbetemi rojtarë të përjetshëm të varreve dhe objekteve fetare të pushtuesve.

Ne, rojtarë të varreve të pushtuesve

Me xhelozi i ruajtëm xhamitë e Turqisë e kishat e krajleviqëve të Serbisë, që gjeneratave të ardhshme t'u tregojmë se ne ishim dhe mbetemi me zemra të pushtuara. Edhe sot në fillim të shekullit XXI , ne ende mburremi se si i kemi qëndruar besnikë pushtuesve duke ua ruajtur me fanatizëm primitiv kishën e Deçanit apo varrin e Sulltan Muratit. Kur jeton me shpirt të pushtuar, ndjenja e atdhedashurisë është tretur për t'u shuar e tëra dhe mbetesh vetëm një hije e zezë duke u mburrur më të huajën. Nga zemra e pushtuar, ende sot jehon në shpirtin tonë se si duhet vizituar varrin e pushtuesit, vrasësit dhe dhunuesin e femrave më të bukura shqiptare Sulltan Muratin. Ende sot në këto momente do të zbulojnë kokën hijet e zeza me shpirt të robëruar që të më akuzojnë mua për mosrespekt ndaj emrit të kriminelit Sulltan Murati, sepse të tillët nuk dinë çka është atdhedashuria, ngase në gjakun e tyre rrjedh AND-ja e tradhtisë së trashëguar denbabaden. Zemrat e pushtuara në një të afërme jo të largët do të vrapojnë që të kujdesën për varrin dhe hijen shpirtërore të kriminelit Milosheviq me të njëjtin fanatizëm, siç e mbrojnë sot kriminelin Sulltan Muratin.

Ai që ruan varret e veta e ruan historinë e tij

Zemrat e pushtuara dinë të kurdisin, dhe ende flasin kundër familjes së komandantit legjendar Adem Jashari , sepse ai e kishte shpirtin çlirimtar e jo të robëruar. Ne i ruajmë dhe kujdesemi për varret e pushtuesve, por i harrojmë varret e prindërve dhe stërgjyshërve tanë. Ai që i ruan varret e veta e ruan historinë e tij. Si mund të ruajmë varret tona kur te koka u vëmë një rrasë dhe një shishe ujë, thuajse të vdekurit tanë do t'i merrte etja dhe uria. Në rrasa të gurit ne nuk shkruajmë epitafe, sepse ligjet e pushtuesve thoshin se është mëkat. E ne, si gjithnjë, me shpirt të robëruar të vdekurit i linim me të vdekur që t'u zhdukeshim historitë e tyre individuale dhe kolektive. Epitafi mbetet dëshmi e historisë së një individi, të një fshati dhe të një populli. E ne nuk kemi pasur traditë të shkruanim epitafe për t'i ruajtur historitë individuale që do transmetoheshin gjeneratë pas gjenerate. E serbët edhe aty ku nuk kishin varre, e hapnin një grope, dhe e hidhnin një pulë të ngordhur, që më vonë do ta ruanin dhe emëronin varri i të panjohurit. Nuk është e rastësishme deklarata e kriminelit Milosheviq kur thoshte: "Edhe aty ku gjendet një varr serb, është Serbi!". E ne me qindra mijëra e miliona varre kemi në Serbi, që dikur ishte tokë etnikisht shqiptare, por të dëbuar me dhunë e më vrasje barbare, e askush nuk kujdeset për to. Pse heshtim për varret tona? Që nga viti 1877, nga forcat e knjazit Milan Obrenoviqit shqiptarët u masakruan dhe u dëbuan masovikisht nga trojet e tyre stërgjyshore. Varrezat shqiptare në Nish, shtriheshin nga xhamia e Islam AgësGjakovalisë, duke shkuar përgjatë lumit Nishava, por që të gjitha këto serbët i rrafshuan duke ndërtuar autostradë me katër korsi, për t'i humbur gjurmët se dikur ishte tokë shqiptare. Në pjesën tjetër të mbetur serbët ndërtuan shkollën "Sveti Sava". Ndërsa varrezat shqiptare të Kurshumlisë, Prokuples, serbët i çrrënjosët duke i djegur edhe eshtrat në furra të ndryshme me nxehtësi të larta dhe ndërtuan fabrikën farmaceutike "Zdravlje Leskovac" dhe fusha futbolli që rinia e tyre të luante mbi kokat e stërgjyshërve tanë, të cilët ne i harruam fillimisht nga frika e më vonë nga neglizhenca dhe mungesë e atdhedashurisë.

Kujdesi i pushtuesve ndaj varreve të tyre

Pushtuesit që nga pushtimet romake e deri sot, janë kujdesur për varret e ushtarëve të tyre që ranë në trojet tona. Kjo është një veti shumë fisnike dhe atyre ju lumtë dy herë; një herë që kaluan male e fusha të uritur e të lodhur për të vdekur në tokën tonë, të dytën herë sepse ata i respektojnë të vdekurit dhe nga kufomat e tyre ndërtojnë përmendore që tjerët të vazhdojnë rrugëtimet e tyre pushtuese. Një varrit serb po t'i rrëzohet pllaka e mermerit, ata bëjnë zhurmë deri në OKB, e ne heshtim për miliona varre që Serbia e dikurshme dhe e sotme i shndërroi në autostrada. Serbia e kërkon të drejtën t'i vizitojnë varret e tyre në Kosovë, dhe nëse nënat tona protestojnë jo ndaj serbëve, por ndaj kriminelëve serbë të veshur në petkun fetar, vijnë në Kosovë në pretekst për t'i vizuar varret, ata bëjnë zhurmë deri në OKB! Si është e mundur që asnjë qeveri e jonë kurrë nuk e bëri kërkesën që edhe muhaxherët tanë me qindra mijëra të lirohen e të shkojnë t'i vizitojnë varret e të parëve tanë?! Kur serbët bëjnë zhurmë me kërkesa të tilla, pse ne shqiptarët nuk ngulim këmbë dhe t'i kushtëzojmë se ata mund t'i vizitojnë varret e tyre lirshëm, por edhe ne duhet të shkojmë t'i vizitojmë varret tona në Nish, në Kurshumli, në Leskovc e gjetiu në trojet tona të dikurshme. Ne nuk po kërkojmë që ato vende tani t'i kthehen Kosovës, por të na lejojnë t'i nderojmë miliona viktima që ranë për pavarësinë që e kemi sot. Qeveritë tona jo vetëm që nuk kërkojnë asgjë, por i arrestojnë ata që guxojnë të protestojnë kur kriminelët serbë vijnë t'i vizitojnë varret e gjyshërve të tyre, se stërgjyshërit i kanë në Serbi.

(Kosova Sot)

27 minuta më parë