< A është duke i dalë Putinit kontrolli nga duart? - Opinione - Kosova Sot
A ėshtė duke i dalė Putinit kontrolli nga duart?

A ėshtė duke i dalė Putinit kontrolli nga duart?

TË ÇARA NË REGJIMIN E PRESIDENTIT RUS 

Tani, Rusia mund të ballafaqohet me një valë të re të ikjeve

Shkruan: Anders Aslund

Gjatë dekadave të kaluara, derisa presidenti Vladimir Putin e forconte autoritetin e tij, dukej se Rusia ishte duke shkuar prapa, në aspektin social dhe ekonomik. Por, derisa Kremlini e di se duhet ta ndryshojë këtë trajektore, reformat e vërteta nuk mund të jenë kompatibile me karakterin kleptokratik të regjimit të Putinit. Në vitin 1984, pak para se Mikhail Gorbachev të vinte në pushtet, në Moskë mbretëronte ndjenja se BRSS-ja ishte ngurtësuar dhe se asgjë nuk mund të ndryshojë. Më pas, çdo gjë ndryshoi, duke vënë në pah gamën e transformimit i cili ishte zhvilluar nën sipërfaqe. Sot, në Moskë mbretëron një ndjenjë e ngjashme, ku regjimi i presidentit Vladimir Putin duket stabil, bile edhe i pathyeshëm. Por, sikur edhe atëherë, një shikim më i afërt zbulon disa të çara. Në shumë mënyra, gjatë dekadave të kaluara Rusia ka shkuar prapa. Gjatë viteve 1990, Rusia ishte një vend 'sallamadi', ku thuajse lejohej çdo gjë. Moska ka 20 gazeta të përditshme, me pikëpamje që luhaten nga liberalet, deri te stalinistet. Sot, shoqëria civile ruse është tepër e shtypur dhe, nëse vendosë që ta shikosh TV-në në Moskë, atëherë do të gjesh 20 kanale të kontrolluara nga Kremlini.

Rusia ka ecur prapa edhe në frontin ekonomik

Në vitin 1991, Boris Yeltsin, me njërin nga vendimet e tij të para si president, e ndau KGB-në e vjetër në disa agjenci, përgjysmoi stafin e saj dhe po ashtu edhe buxhetin. Sot, pasardhësja e KGB-së, Shërbimi federal i sigurisë (FSB), ka marrë kontrollin e plotë mbi aparatin e sigurisë në Rusi, duke përfshirë edhe arrestimin e gjeneralëve të nivelit të lartë në agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit. Rezultat i kësaj është një shërbim i vetëm i sigurisë, i cili është më i fuqishëm sesa ndonjëherë, që nga Stalini dhe që konsiderohet si i pavarur nga Kremlini. Rusia ka ecur prapa edhe në frontin ekonomik. Në vitin 2003, sektori privat i Rusisë prodhonte 70% të vendit të GDP-së. Sot, sektori shtetëror prodhon pjesën më të madhe të gjësendeve në vend, duke ndrydhur sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Pesë banka të mëdha shtetërore dominojnë tregun financiar. Për më tepër, politika e Putinit kundër dukurisë "offshoring" (shpërnguljen e prodhimtarisë në vende të tjera, për shkak të kostove më të ulëta), ka imponuar kontrolle aq të ashpra ndaj liderëve të biznesit të viteve 1990, saqë shumica i kanë shitur asetet e tyre në Rusi, duke ikur në Londër apo Monako. Ky trend është përshpejtuar nga mungesa e të drejtave reale pronësore në Rusi, gjë që ia ka mundësuar Kremlinit që të përfitojë. Parashikimet për rritje të GDP-së kanë mbetur te 1.5 - 2%.

Regjimi dëshiron ta ndryshojë këtë gjë. Në maj të vitit 2016, Putini ka kërkuar nga tri grupe të ekspertëve që të rekomandojnë programe të reformave ekonomike: një grup liberal i kryesuar nga ishministri i Financave Alexei Kudrin; nga një grup teknokratik të kryesuar nga ministri i ekonomisë Maxim Oreshkin; si dhe nga grupi më statist, "Stolypin Club", të kryesuar nga ombudsmani i Putinit për biznes, Boris Titov. Secili prej këtyre tri grupeve ka dorëzuar me mijëra faqe raporte ekspertësh. Nuk ka gatishmëri për ndryshime Por, çdo shkarje kah respektimi i ligjit nuk do të përputhet me karakterin kleptokratik të regjimit të Putinit. Për këtë shkak, mandati që iu është dhënë tri grupeve, duket të ketë qenë shumë pak më shumë sesa një terapi për shkencëtarët socialë, një mënyrë për t'i angazhuar ata dhe për të mos iu dhënë kohë që të paraqesin opozitë.

Larg të qenit i gatshëm për ndryshime, Putini do të mundohet që ta marrë një mandat të katërt në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm - një garë të cilën ai do ta fitojë pa problem, duke pasur parasysh kontrollin e Kremlinit ndaj medieve dhe gjykatave. Por, për ta bërë fitoren e tij të besueshme, Putini ka nevojë që në zgjedhje të dalin sa më shumë votues rusë. Ka thashetheme se Sergei Kiriyenko, zëvendësi i parë i shefit të stafit në Kremlin, parasheh që Putin të marrë 70% të votave. Kjo nuk do të jetë lehtë e arritshme. Në zgjedhjen për Dumën shtetërore, në shtator të vitit 2016, votuan vetëm 47.8% të votuesve të regjistruar. Në zgjedhjet lokale, të mbajtura muajin e kaluar, pjesëmarrja ishte edhe më e vogël, ku në Vladivostok u raportua një pjesëmarrje prej vetëm 13%.

Nëse dëshirohet që në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm të del një numër më i madh i votuesve, atëherë ata duhet të besojnë se ndryshimi real është i mundshëm. Putini duhet ta ketë një rival kredibil, e jo kandidatët e moçëm të lidhur me Kremlinin - komunisti Gennady Zyuganov, klouni nacionalist Vladimir Zhirinovsky, si dhe liberali i supozuar Grigory Yavlinsky. Figura sociale, Ksenia Sobchak, e cila paralajmëroi kandidaturën e saj, pas takimit me Putinin, mund të duket e aftë që të injektojë farë jete në kampanjë. Por, ekziston vetëm një opsion real për ta siguruar daljen në zgjedhje të një numri të madh të votuesve: kundërshtuesi i korrupsionit dhe kritiku i zëshëm i Kremlinit Alexei Navalny.

Putini duhet të vendosë se kush do ta trashëgojë Medvedevin

Në shtator të vitit 2013, kur Navalny kishte konkurruar për kryetar të Moskës, kishte marrë 27% të votave. Por, anketbërësi i pavarur, "Levada Center", thotë se, përkundër një mbështetjeje të fortë për Navalnyn në Moskë, ai nuk do të merrte shumë vota sot.

Duke pasur parasysh këtë, disa këshilltarë të Kremlinit duan që ta lënë Navalnyn që të garojë, por duke mos e lejuar atë që të paraqitet në TV nacional. Dhe, ka mundësi që Kremlini ta ketë mu këtë gjë në mend, meqë ka lejuar Navalnyn që të mbajë tubime të mëdha me rreth 10,000 pjesëmarrës, në 100 qytete. Por, të tjerët nga rrethi i brendshëm i Putinit, do të preferonin arrestimin e Navalnyt për të katërtën herë me radhë - gjë që nuk do të befasonte duke pasur parasysh aftësinë e tij të dëshmuar për ta dëmtuar kredibilitetin e Kremlinit. Për shembull, në mars Navalny doli me një dokumentar 50-minutësh rreth korrupsionit, duke zbuluar se kryeministri Dmitri Medvedev ka përdorë 1.3 miliard dollarë në formë ryshfeti, për të blerë gjashtë pallate dhe dy vreshta. Filmi, i shikuar në "YouTube" nga rreth 25 milionë njerëz, në mënyrë efikase vrau karrierën politike të Medvedevit.

Tani, Putini duhet të vendosë se kush do ta trashë- gojë Medvedevin. Në të kaluarën, ai rëndom në atë post instalonte persona besnikë dhe, në këtë aspekt, ai mund të ketë shumë kandidatë potencialë, sikur që është kryesuesi tejet jo efikas i kompanisë "Gazprom", Alexei Miller. Pyetja është se kryeministri i ri a do të ketë lidhje më të forta me Putinin, apo me FSB-në. SHBA-ja mund ta luajë një rol të papritur në këtë dramë. Vendimet e marra tash së fundmi me anë të Aktit të sanksioneve, ku kërkohej një raport rreth 'oligarkëve dhe entiteteve parashtetërore të Rusisë' brenda 180 ditësh, ia ofrojnë SHBA-së një mundësi unike për të ndikuar ndaj Kremlinit para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale.

Shumë nga pasuria e Rusisë tanimë ka dalë jashtë shtetit, për shkak të frikës nga FSB-së. Tani, Rusia mund të ballafaqohet me një valë të re të ikjeve, meqë ata që janë të afërt me Kremlinin, mund të frikësohen se Putini nuk mund t'i mbrojë më. Putin mund ta marrë një mandat tjetër presidencial, por një regjim i cili nuk mund t'i kënaqë as edhe sundimtarët e tij, zor se mund të jetë i qëndrueshëm.

(Anders Åslund është bashkëpunëtor i Këshillit Atlantik në Uashington, i cili aktualisht është duke shkruar një libër rreth kapitalizmit nepotist në Rusi)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për 'Project Syndicate', pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)

22 orë e 10 minuta më parë