Balotazhi, sfidë e mundimshme për liderët partiakë

Balotazhi, sfidë e mundimshme për liderët partiakë
  • 24 October 2017 - 08:18

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Ashtu siç i dhashë fjalën në prag të pushimeve verore mikut tim të çmuar Reshat Muratit, i cili jeton dhe vepron prej vitesh në Konstanz të Gjermanisë, se do të takohem me secilin që më jepet mundësia, përveç politikanëve dhe liderëve partiakë,...ashtu e mbajta fjalën e dhënë edhe para qytetarëve të Kosovës në fillim të fushatës së zgjedhjeve lokale, për mosmbështetje dhe as kundërshtim të asnjërit nga kandidatët e subjekteve politike. Fushata e gjatë dhe e mundimshme 30- ditore, sikurse në zgjedhjet paraprake edhe kësaj radhe, u përcoll me parregullsi të shumta, siç janë: përdorimi i resurseve publike nga ana e subjekteve politike, abuzimi me fëmijët në tubimet zgjedhore, gjuha e fyerjes dhe urrejtjes, e cila në ditën e 9-të rezultoi me konflikt verbal dhe fizik në një studio televizive mes dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqi e Milaim Zeka. Po ashtu, edhe dita e zgjedhjeve u përcoll me parregullsi të njëjta nga zgjedhjet e kaluara; votim i dyfishtë, votime familjare, fotografim të votës, mospërputhje të nënshkrimeve me numrin e fletëvotimeve si dhe arrestime për marrje dhe dhënie ryshfeti në këmbim të votës.

Qytetarët do të gjenden në situatë të vështirë

Tani pas rezultateve të para zgjedhore, gjegjësisht pas raundit të parë zgjedhor e ndjej të nevojshme t'u drejtohem qytetarëve të vendit lidhur me situatën e krijuar paszgjedhore në Kosovë, për të dhënë një vlerësim të pavarur dhe real të situatës paszgjedhore. Sikurse herëve të tjera, edhe kësaj radhe parashikimet e mia zgjedhore dolën të jenë të sakta. Pra, shumica e komunave të Kosovës do të shkojnë në raundin e dytë apo siç po i thonë në zhargonin politik, balo(sh)tazh për nxjerrjen e kryetarëve të rinj komunalë. Fillimisht i uroj të gjithë kandidatët për kryetar të komunave që dolën fitues të zgjedhjeve të 22 tetorit, ndryshe shkuarja në balotazh e shumicës së komunave të Kosovës, përveçse nuk është fitore e partive politike, siç e pretendojnë, mund të shkaktojë përmbysje rezultati në shumicën e komunave, thyerje shpirtërore të elektoratit dhe kosto të lartë financiare për buxhetin e varfër të shtetit të Kosovës. Ndryshe, balotazhi, përveçse përballje mes rivalëve politikë, do të sjellë edhe përballje mes partnerëve në koalicionin qendror, i cili sikurse herëve të tjera do të shkaktojë kontrabandë dhe vjedhje industriale të votës së qytetarëve, indinjatë dhe thyerje të thellë në mesin e elektoratit të partive politike. Pra, përballja e kandidatëve në balotazh do ta vërë në sprovë të madhe vullnetin e qytetarëve dhe votën e tyre të lirë. Qytetarët do të gjenden në situatë të vështirë, për të kapërdirë hipokrizinë dhe mashtrimin e liderëve partiakë.

Edhe pas 22 tetorit 2017, qytetarët nuk do të kenë ndryshim në qeverisje nëpër komunat e tyre

Nëse bazohemi në rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale, në shumicën e komunave të Kosovës do të vazhdojë sistemimi i dajave e tezeve, nipave e mbesave, miqve e kushërinjve të kryetarëve nëpër institucionet e komunale! Edhe në këto zgjedhje, shprehja e pakënaqësisë qytetare ndaj klasës politike sa të korruptuar po aq të inkriminuar u shfaq në dy aspekte; me mosdalje të elektoratit në zgjedhje dhe prishje të fletëvotimeve. Përveç abstenimit dhe zvogëlimit të daljes në zgjedhje, qytetarët tek kutitë e votimit i ndëshkuan edhe më keq partitë e dështuara politike, duke mos votuar kandidatët e asnjërit subjekt politik. Rënia e daljes së elektoratit në zgjedhje është pasojë edhe e largimit të popullatës së lodhur nga varfëria ekstreme dhe degradimi social, pa asnjë shpresë për ardhmëri, e cila e braktisi Kosovën për të mos u kthyer më asnjëherë në "tokën e nëmur" të zaptuar nga krimi i organizuar i bastardëve politikë, nga kusarët e pangopshëm, nga mafio-oligarkët politikë dhe ekonomikë, të pasuruar nga paraja e pistë dhe mbi kurrizin e qytetarëve.

Njerëzit që kanë tendencë për të premtuar shumë, ashtu kanë tendencën edhe për të harruar shpejt

Mbajtja e premtimeve të subjekteve politike fillon nga mbajtja e vijave programore, profileve politike dhe ideologjike. Subjekte serioze politike konsiderohen ato subjekte që mbrojnë parimet dhe pikëpamjet e tyre politike të deklaruara për një muaj rresht para elektoratit të tyre. Mbajtja e premtimeve elektorale, sfidë e mundimshme për liderët partiakë! Po ashtu, politikanë të sinqertë dhe seriozë mbesin ata që u qëndrojnë besnikë fjalëve të tyre, që sakrifikojnë poste e privilegje për mbrojtjen e interesave të popullit dhe vendit të tyre. Pas raundit të parë zgjedhor, brenda partive politike fillojnë ethët e koalicioneve për balotazh,...pasi shumica e komunave që do t'i nënshtrohen raundit të dytë zgjedhor. Lidhja e koalicioneve do të vijë jo si dëshirë, por si domosdoshmëri për marrjen apo mbajtjen e pushtetit,...me çka dhënia e premtimeve elektorale dhe mbajtja e linjave programore mbetën vetëm një mashtrim ndaj elektoratit dhe kontrabandim i votës së lirë. Të qenit opozitë e fortë është të qënurit kujdestar i përhershëm i gabimeve të pozitës, i mbrojtjes së ligjshmërisë dhe interesave vitale të qytetarëve të vendit. Respektimi i verdiktit të popullit është shprehje e nivelit të demokracisë dhe vlerave universale të të drejtave të njeriut. Parime këto, të respektuara në vendet e zhvilluara dhe demokratike. Ketë shkrim më pëlqen ta përfundoj më thënien e Alan Tournier për politikanët aventurierë që politikën e bëjnë për para e jo për ideale; "Politikanët që bëjnë politikën për para, janë sikurse dashuria që bëjnë prostitutat në zanatin e tyre".

 (Kosova Sot)