Sovraniteti, i cili me të vërtetë ka rëndësi

Sovraniteti, i cili me të vërtetë ka rëndësi
  • 24 October 2017 - 10:06

VIZIONI EVROPIAN 

Vitaliteti i shoqërisë ndërkombëtare varet nga dialogu

Shkruan: Javier Solana 

Në të famshmen "trilemë politike të ekonomisë botërore", ekonomisti i Harvardit, Dani Rodrik thotë me insistim se, integrimi global ekonomik, shteti kombëtar dhe demokracia, nuk mund të bashkëjetojnë. Në rastin më të mirë, mund t'i kombinojmë dy prej tyre, por gjithmonë në dëm të njërës. Deri tani vonë, i ashtuquajturi Konsensus i Uashingtonit, me theksin e tij te liberalizimi, derregullimi dhe privatizimi, formësonte politikën ekonomike në tërë botën. Edhe pse kriza financiare globale e vitit 2008 e dëmtoi kredibilitetin e tij, vendet e G20-tës me të shpejtë u pajtuan që të evitonin politikat proteksioniste kundër të cilave ishte konsensusi. Ndërkohë, BE-ja mbeti (dhe mbetet) eksperimenti i vetëm demokratik i nivelit mbinacional, duke u krenuar me përparësitë e saj premtuese, përkundër asaj se ishte e ngarkuar me defekte të shumta. Me fjalë të tjera, integrimi ekonomik, i bazuar te shteti kombëtar, mbeti në favor në aspektin global, derisa demokracia kishte kaluar në plan të dytë, krahasuar me dinamikat ndërkombëtare të tregut. 

"Konsensusi i Pekinit"

Edhe pse viti 2016 ishte një pikë kthyese, ne nuk e dimë se në ç'drejtim. U paraqit një "Konsensus i Pekinit", të cilin disa e shohin si model alternativ të zhvillimit, të bazuar te një intervenim më të madh qeveritar. Por, ishte vota e Brexit-it dhe zgjedhja e Donald Trumpit në postin e presidentit të SHBA-së, që reflektonin lëvizjen për t'i dhënë fund balansit të vjetër midis globalizimit, shtetit nacional dhe demokracisë. "Le kthejmë kontrollin në duart tona", ky ishte slogani fitimprurës i Brexiter-ve, që shprehte një ndjenjë që rezononte qartë me shumicën e vogël të votuesve britanikë, që mbështetën daljen nga BE-ja. Ngjashëm me këtë, shumë nga ata që e votuan Trumpin, ishin të bindur se, fuqia e grumbulluar e "Wall Street"-it, lojtarëve transnacionalë, si dhe ai i vendeve të tjera, duhej frenuar, me qëllim që të bëhej "Amerika përsëri madhështore". Nuk do të ishte me mend injorimi i kësaj diagnoze, të cilën e mbështetë edhe vetë Rodrik (të paktën pjesërisht), vetëm pse mund të mos na pëlqejnë propozimet e bëra nga Trump dhe nga disa prej ithtarëve konservatorë të Brexitit. Qasja e tyre konsiston në pengimin e globalizimit - duke mbajtur, apo edhe forcuar aspektet e tjera të Konsensusit të Uashingtonit, sikur që janë derregullimi financiar - si dhe duke forcuar demokracinë nëpërmes shtetit komb. Në paraqitjen e tij të parë para Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, Trump mbajti një fjalim 42-minutësh, në të cilin ai përdori fjalët "sovranitet", apo "sovran" për 21 herë, që i bie mesatarisht një herë çdo 2 minuta. Dhe, në Evropë, Britania nuk është vendi i vetëm që është përfshirë nga një rrymë neoWestphaliane: Polonia dhe Hungaria janë në kthetrat e saj, po ashtu. Bile edhe lëvizja katalonase pro-pavarësisë, e udhëhequr nga parti të ndryshme, shumica e të cilave nuk do të ndiheshin mirë po të etiketoheshin si 'antiglobaliste', ndjek një logjkë tëë ngjashme të kthimit te nacionalizmi.  

Rritja e sovranitetit

Që të gjitha këto forca mbivlerësojnë kapacitetin e tyre për të zbutur, apo anashkaluar integrimin ekzistues ekonomik, i cili gjatë dekadave të fundit është forcuar nga një zhvillim i hovshëm i zinxhirëve të vlerave ndërkufitare. Përpos nëse e ndryshojnë kursin, këto forca kanë të ngjarë që ta zbusin ndikimin të cilin shtetet e tyre nacionale mund ta ushtrojnë ndaj globalizimit. Thënë shkurt, një rritje e sovranitetit formal mund të rezultojë paradoksalisht me humbje të sovranitetit efektiv, i cili është ai që edhe është i rëndë- sishëm me të vërtetë. Merreni shembullin e Britanisë: duke dalë nga BE-ja, britanikët nuk do ta ketë asnjë ndikim ndaj tregut më të rëndësishëm eksportues të tyre. Sa i përket Katalonisë, një lëvizje e supozuar pro-pavarësisë dhe pro-sovranitetit, mund të përfundojë duke krijuar një politikë e cila është më pak sovrane dhe më shumë në mëshirë të ngjarjeve ndërkombëtare. Vetëm një javë pas fjalimit të Trumpit në OKB, presidenti francez Emmanuel Macron prezantoi vizionin e tij të së ardhmes së Evropës, gjatë një fjalimi të mbajtur në Sorbonë. Macron po ashtu e përmendi shpesh fjalën 'sovranitet', duke e bërë të qartë se ajo paraqet bazën e vizionit të tij për Evropën. Por, për dallim nga populistët, ai favorizon një sovranitet efektiv dhe përfshirës evropian, të mbështetur në dy shtylla tjera esenciale: uniteti dhe demokracia. Raportet midis shteteve përcaktohen nga bashkëpunimi, konkurrenca dhe ballafaqimi. Nuk ka shumë dyshim se një shkallë e caktuar e konfrontimit do të vazhdojë gjithmonë të jetë e pranishme në aspektin ndërkombëtar. Por, BE-ja qartazi ka demonstruar se paraqitja e saj mund të zvogëlohet duke rritur në mënyrë eksponenciale koston oportune të dinamikës konfliktuese. Fatkeqësisht, lëvizjet të cilat e kuptojnë sovranitetin në aspektin izolacionist, zakonisht kthehen kah nacionalizmi ekstrem, i cili nuk promovon hapësirat e përbashkëta të cilat lejojnë prosperitetin e shoqërisë ndërkombëtare. 

Konkurrenca konstruktive

Preferenca e disa vendeve për t'u izoluar brenda kufijve të tyre, është anakronike dhe vetëdëshpëruese, por do të ishte gabim i madh që vendet e tjera, duke u frikësuar nga 'infektimi', të reagojnë duke evituar marrëdhëniet me këto shtete. Shpirti i bashkëpunimit, bashkë me një konkurrencë konstruktive, duhet të përbëjë marrëdhëniet midis të gjithë pjesëmarrësve që posedojnë legjitimitet ndërkombëtar. Bile edhe në shtetet të cilat kanë marrë kurse redukcioniste, pjesa më e madhe e popullsisë nuk e ka bërë një gjë të tillë. I tillë është rasti i 48% të votuesve britanikë, të cilët kundërshtuan Brexitin, apo i 49% të turqve që votuan kundër zgjerimit të pushtetit të presidentit, duke refuzuar kështu një narracion i cili e përdorte BE-në në rolin e kurbanit. Shumë prej këtyre votuesve do të zhgënjeheshin nëse BE-ja do t'ua kthente shpinën. Vitaliteti i shoqërisë ndërkombëtare varet nga dialogu. Dhe, me qëllim të evitimit të evitimit të përsëritjes së deficiteve të Konsensusit të Uashingtonit, të cilat ishin bërë mëse të qarta në vitin 2016, ky dialog duhet të zhvillohet brenda kornizave të një sfere të përbashkët dhe demokratike publike. Nëse ne e kultivojmë këtë sferë të përbashkët publike, duke zvogëluar rolin e shtetit nacional, atëherë mund të shkojmë hap pas hapi në drejtim të anës më pak të eksploruar të triadës të përshkruar nga Rodrik: demokracisë globale. Natyrisht, një demokraci universale do të ishte një objektiv i vështirë për t'u arritur (edhe vet Rodrik e përjashton një gjë të tillë). Por, me zhvillimin teknologjik dhe me shumimin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore, një gjë e tillë nuk paraqet më ndonjë përbindësh. Në këtë aspekt, BE-ja tanimë ka paraqitur një rrugë të re, e cila ka për qëllim zgjerimin e demokracisë përtej aspektit të shtetit komb. Për Evropën, si dhe për regjionet e tjera, kjo është një rrugë që ia vlen të bëhet. 

(Javier Solana aktualisht është president i ESADE, Qendrës për ekonomi globale dhe gjeopolitikë)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për 'Project Syndicate', pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)