Si do të mundeshin paratë t'i zhbllokojnë bisedimet Brexit

Si do të mundeshin paratë t'i zhbllokojnë bisedimet Brexit
  • 25 October 2017 - 10:51

S ikur edhe shumë biseda shkurorëzimesh, negociatat e Britanisë me BE-në kanë hasur në një ngecje e cila mund të tejkalohet vetëm me anë të një kompromisi. Zgjidhja kërkon nga të dyja palët që të pranojnë se, një raport i ri i qëndrueshëm nuk mund të dakordohet gjatë kohës së shkurtër që ka mbetur deri te afati i fundit i Brexitit, në mars të vitit 2019. Prandaj, bisedimet tani duhet të përqendrohen te një 'tranzicion' i përkohshëm, të cilin kryeministrja Theresa May e kërkoi zyrtarisht muajin e kaluar dhe të cilin e kërkon tani një konsensus i fortë i liderëve britanikë të biznesit dhe i publikut. Mbi të gjitha, negociatorët duhet të përqendrohen menjëherë te kontributet buxhetore britanike të cilat do të kërkohen për ta mundësuar një tranzicion të rregullt.

Marrëveshja e përkohshme

Një marrëveshje rreth një tranzicioni në të mirë të dyja palëve, do të kërkonte disa kompromise nga të dyja anët. Por, as Britania, e as BE-ja nuk do të ishin të detyruar që të hiqnin dorë nga ndonjë parim fundamental. Për Evropën, zhvendosja e përqendrimit të negociatave te një marrëveshje e përkohshme, me gjasë të modeluar në bazë të marrëdhënieve të BE-së me Norvegjinë, do të shkaktonte vetëm pak 'humbje të fytyrës': liderëve të BE-së do t'iu duhej që të pranonin se, hapat e propozuar më parë nga ta, për bisedimet Brexit, tani duhet të riorganizohen. Në vend të dakordimit rreth një marrëveshjeje financiare në fillim, e më pas të kalohet te marrëdhëniet tregtare, financat dhe tregtia do të duhet të njihen si të pavarura, prandaj duhet të diskutohen në të njëjtën kohë. Për Britaninë, një ndryshim i përqendrimit nga marrëveshjet permanente, te kushtet për një tranzicion të rregullt, mund t'i transformojnë çështjet buxhetore, të cilat tani e pengojnë progresin, në një çelës i cili do t'i zhbllokonte bisedimet. Në një fjalim të mbajtur në Firence, muajin e kaluar, May ofroi mundësinë e pagimit të kontributeve ndaj BE-së prej rreth 10 miliardë euro në vit, për një periudhë kalimtare prej, të paktën, dy vjet pas afatit përfundimtar të Brexit-it, si dhe ta vazhdojë lirinë e lëvizjes të punës dhe të zbatojë të gjitha rregullat e BE-së. May shpresonte që premtimi i saj do t'i bënte për vete liderët evropianë, sidomos kontribuuesin më të madh, Gjermaninë, si dhe marrësit më të mëdhenj, sikur që janë Polonia dhe Portugalia. Por, oferta e saj nuk shkaktoi mbresat e pritura, me gjasë për shkak se liderët e BE-së janë më pak të shqetësuar rreth boshllëkut financiar, të shkaktuar nga Brexiti në vitin 2019 dhe 2020, sesa që janë të shqetësuar rreth ciklit të ardhshëm buxhetor, nga viti 2021 deri në vitin 2026.

Oferta buxhetore Të sugjerosh që Britania duhet të vazhdojë të paguajë kontributet buxhetore edhe gjatë dekadës së ardhshme, mund të duket tërësisht jo realiste, duke pasur parasysh kundërshtimin e ashpër ndaj të gjitha pagesave bërë ndaj BE-së, nga euroskeptikët në Partinë konservatore të kryeministres May. Por, në një shikim më të afërt, bërja e një oferte afatgjate buxhetore, mund të ketë dy përparësi të mëdha për May-in. Së pari, kontributet tranzitore buxhetore mund të prezantohen si pagesa komerciale për të mbështetur programet evropiane nga të cilat Britania përfiton, në vend të emërtimit që tingëllon si ndëshkim, "marrëveshja rreth divorcit" prej 50-60 miliardë euro, sa kërkon aktualisht BE-ja. Sikur pagesat tranzitore britanike të vazhdonin afër nivelit aktual prej 10 miliardë eurosh, për 5-6 vjet, sa nevojiten për të negociuar një marrëveshje permanente tregtare, ata do të arrinin te shuma e njëjtë. Së dyti, një ofertë britanike e buxhetit do të ishte mjet i fortë për krijimin e një "partneriteti të thellë dhe të veçantë" me Evropën, gjë që Merkel thotë të jetë qëllimi i saj përfundimtar. Deri muajin e kaluar, May i kishte ikur përcaktimit të kësaj shprehjeje, nga frika e kundërshtimit nga eurofobët ekstremë nga radhët e partisë së saj. Por, në fjalimin e saj të mbajtur në Firence, May iu premtoi bizneseve britanike diçka të ngjashme me nivelin aktual të qasjes ndaj tregjeve të BE-së. Ajo po ashtu pranoi se, çdo qasje e privilegjuar ndaj tregjeve të BE-së, do ta kërkonte kontribute buxhetore, sikur në rastin e Norvegjisë dhe Zvicrës. Implikimi ishte i qartë: diçka e afërt me nivelin aktual të qasjes në tregjet e BE-së do të kërkonte diçka të ngjashme me nivelin aktual të kontributeve buxhetore. Por, çka nëse May nuk e ka seriozisht rreth këtij partneriteti të thellë dhe të veçantë? Çka nëse qëllimi i saj kryesor është kënaqja e konservatorëve me qëndrim të ashpër, duke folur rreth një 'ndarjeje të qartë' nga BE-ja? Edhe në atë rast, Britania do të kishte nevojë që të vazhdonte me pagesën e kontributeve buxhetore për shumë vjet, nëse do ta donte një Brexit të rregullt dhe jo të keq.

Partneriteti i veçantë

Evitimi i kësaj të keqeje është i tërë qëllimi i propozimit të May'it për një periudhë kalimtare nga viti 2019 deri në vitin 2021. Por, arritja e këtij objektivi do të kërkojë pauzë edhe në aranzhimet e Britanisë me BE-në derisa marrëveshjet e reja globale të ishin të gatshme për t'u implementuar. Mundësia që negociatat komplekse me dhjetëra vende mund të përfundojnë brenda vetëm dy viteve nga Brexiti, është tejet e vogël. Prandaj, edhe nëse politikanët britanikë dhe votuesit britanikë me të vërtetë duan një Brexit të rëndë, duke shkaktuar një shkëputje të plotë nga Evropa, bizneseve të Britanisë do t'iu duhej që të vazhdonin marrëveshjet e tyre të veçanta tregtare me BE-në, bashkë me kontributet buxhetore, për të paktën disa vite pas vitit 2021. Esenca është se, pa marrë parasysh çfarë lloji të Brexitit preferon Britania, çdo tërheqje e rregullt do të kërkojë vazhdim të pagesave buxhetore ndaj BE-së edhe pas-Brexitit. Pyetja e vetme është se a do të jenë këto pagesa të përhershme, sikur që ka mundësi të bëhen nëse May me të vërtetë dëshiron "një partneritet të thellë dhe të veçantë", apo të vazhdojnë vetëm për 5-7 vjet, sa nevojiten për të negociuar marrëveshjet e reja tregtare, pas një Brexiti të vështirë. Sido që të jetë, May duhet të pranojë se pagesat në buxhetin e BE-së do të jenë të paevitueshme për shumë vjet pas Brexitit. Për më tepër, ajo duhet ta përdorë këtë për ta bërë një ofertë financiare afatgjatë për të zhbllokuar bisedimet rreth Brexitit.

(Anatole Kaletsky është ekonomisti kryesor dhe bashkëkryesues i "Gavekal Dragonomics") Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për 'Project Syndicate', pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

 

(Kosova Sot)