< Sa zallamahi? - Opinione - Kosova Sot
Sa zallamahi?

Sa zallamahi?

SHKRUAN: FATMIR LOHJA

Seriali i "Sajes" po konkurron në shikueshmëri edhe telenovelat indiane

Në këtë fund tetori, në Shqipëri, nuk mund të hapësh televizorët dhe gazetat. Seriali i "Sajes" po konkurron në shikueshmëri edhe telenovelat indiane!? Betejat epike, për ta futur apo për të mos e futur në burg qyqarin, nuk pushojnë as ditën, e as natën. Debatet janë nxehur nga drogat e forta dhe të buta. Hashashi më i mirë është në Lazarat, jo në Labëri, me cilësori në Skrapar, më i liri në Veri. Për ta vërtetuar se kush ka të drejtë, u mboll hashashi në tërë Shqipërinë. Toka pjellore, temperaturat mesdhetare i rritën bimët bukur mirë. Në këto dy vitet e fundit, vetëm në " Republikën e Lazarit" nuk i lejuan mjeshtrit të mbillnin asnjë bimë. Pse ky fenomen u bë masiv? Fitimi kapi majat e paparashikushmërisë. Gjindja u punësua për bukuri. "Zgjidhja" trumbetonte se eksperiencën e fituar do ta ligjëronte me nxitim. Në këtë gëzim, u përfshinë me entuziazëm ,politikanë, policë, ushtarakë,qytetarë e katundarë."Deti u bë kos, të fusim lugën të hamë të tërë nga një çikë." Holandezët , stërnipat e Princ Vidit ,u shqetësuan të parët. Hashashit, në tregjet e Evropës, i ra çmimi nga shqiptarët. Na kërcënuan me integrimin dhe lëvizjen e lirë, nëse çmimi nuk shkon atje ku ka qenë. Pensionistja Doris Pak, nga Gjermania e largët, është revoltuar pse nuk mbillet droga në Lazarat. Italianët edhe grekët nuk janë më pak xhelozë se të parët. Gjindja, në bare, nuk mund ta gjerbin kafenë pa llafe. Bëhen pyetje të shumta: Pse? Si? A ka faj? A ka përgjegjësi? Kush e ka?Kush nuk e ka? Përgjigjet, për këto pyetje, jepen me shumë agresivitet. Më të qetët janë të bindur se këtë zallamahi e bëjnë politikanët për të dalë në televizor dhe për të fituar "cazë" pushtet. Në këtë epidemi është përfshirë bukur mirë edhe drejtësia, e cila, më përpara nuk bëzante aspak. Në muajin e fundit të mandatit është nxehur edhe kryeprokurori. Për pse vjet, në atë detyrë, shumëkush ka shprehur se është burrë; zotëri;i paftë; …… . Në fakt,dosjet kapi,në prokurori,i ka mbyllur me shumë ndjeshmëri. Ishin dosje për vjedhje, vrasje, tradhti kombëtare, …..Po tani në fund ç'pati? Kjo tymnajë vetëm shqiptarëve nuk u intereson. Shumë e ndjekin me neveri, ka disa që e shohin me shpresë. Me sa duket, kodosh vetingu, me të gjitha stërkëmbësit, që i janë vënë rrugës pabesisht, po shkon në finish. Do të zgjasë edhe ca kohë. Opozita do të shkojë të ngujohet përsëri tek çadra e "lirisë",përpara se të shkojë në bankat drejtësisë. E gjithë kjo e pati edhe një të mirë. Nuk u bë zallamahi kombëtare, se vëllezërit kosovarë janë përqendruar në zgjedhjet lokale.

(Kosova Sot)

7 orë e 30 minuta më parë