Pensionistët e zhgënjyer

Pensionistët e zhgënjyer
  • 27 October 2017 - 08:22

Shkruan: Hilmi Hajra

 

Një marrëveshje e nënshkruar nga Qeveria qëllim pati zgjidhjen e një çështjeje me interes për punëtorët, që paguhen nga Qeveria. Ajo duhet të respektohet e zbatohet në të gjitha nivelet, në përputhshmëri me të gjitha pikat që i përmban. Zbatimi i pjesshëm dhe selektiv, shpreh joseriozitet dhe papërgjegjësi, e tek qytetarët shkakton pakënaqësi. Qytetari i pakënaqur detyrohet t'i drejtohet gjykatës për të realizuar të drejtën e tij, brenda marrëveshjes së nënshkruar nga Qeveria. Qytetari ka besim në institucionet e drejtësisë, derisa kupton i zhgënjyer se besimi nuk mjafton për të realizuar të drejtën e tij. Ne mendojmë se drejtësia (gjykata dhe gjyqtari) kanë vetëm një kut, për të vendosur drejt për një çështje, të njëjtë që ka të bëjë me shumë persona, në rrethana dhe pozita, po ashtu tërë- sisht të njëjta. Po ashtu besojmë se drejtësia ka të vërtetën e argumentuar, të vetmin mjet për të vendosur drejt

Edhe gjyqtari ndodh se nuk mbështetet në drejtësi

Mirëpo, në praktikë jo rrallë institucionet e drejtësisë, nuk dëshmohen as të përgjegjshme, as racionale, si në respektim e kohës, për vendosjen e lëndëve. Si duket në vendimmarrje po ndikojnë së paku tre faktorë: pala e paditur, paditësi dhe me keqardhje dhe fatkeqësisht detyrohem të them edhe gjyqtari, i cili ndodh se nuk mbështetet në drejtësi, sa në varësi nga dëgjueshmëria e imponuar, duke kërkuar e gjetur hapësirë në interpretime të ndryshme, e cila çon në vendimmarrje selektive, për çështje plotësisht të njëjta, por për persona të ndryshëm. Për të konkretizuar këtë që përmenda më lart, po i theksoj vendimmarrjet e ndryshme, lidhur me pagat jubilare dhe përcjellëse të mësimdhënësve të pensionuar. Vendimmarrje selektive ka edhe në aspektin regjional, në disa komuna janë kryer obligimet ndaj mësimdhënësve, e në disa jo.

Selektivitet ka edhe në shumën e pagesës

Selektivitet, sipas individëve, ka edhe në kuadër të komunave, disave u njihet kjo e drejtë, pa pasur nevojë për të ushtruar padi në gjyq, të tjerët duhet të ushtrojnë padi. Selektivitet ka edhe në shumën e pagesës, madje nga e njëjta gjykatë. Në kuadër të së njëjtës marrëveshje, dhe të njëjtit ligj, por sipas gjyqtarëve të ndryshëm disa mësimdhënësve nuk u njihet kjo e drejtë, disave u njihet e drejta vetëm për tri paga e disave gjashtë paga. A nuk lexohet e respektohet dhe interpretohet njëjtë një ligj nga të gjithë gjyqtarët për një çështje të njëjtë? Në vendimet e gjykatave të shkallës së parë, pala e pakënaqur ankohet. Edhe atje shqyrtimet vonohen. Madje, te mësimdhënësit e pensionuar është e pranishme bindja se selektivitieti individual në shkallën e parë vetëm aprovohet, pa e përmirësuar fare atë. Mendoj se mësimdhënësit e pensionuar, që i plotësojnë të gjitha kushtet pikë për pikë të marrëveshjes së nënshkruar, nga Qeveria dhe Sindikata e Arsimit janë në pozita plotësisht të njëjta, prandaj duhet të kompensohen plotësisht, në mënyrë të barabartë, sidomos në aspektin e shumës së paguar. Nuk mjafton vetëm të besojmë për çështje plotësisht të njëjta dhe me rrethana të njëjta, por për regjione, persona të ndryshëm, drejtësia ka dhe zbaton vetëm një kut standard. Duhet të bindemi për këtë?!...

(Kosova Sot)