Dosja rreth John F. Kennedy, jo komplete!

Dosja rreth John F. Kennedy, jo komplete!
  • 29 October 2017 - 07:48

PRAPASKENA E AGJENCISË AMERIKANE TË INTELIGJENCËS

Trump edhe vetë është ithtar i teorive të konspiracionit dhe sekreteve

Shkruan: Stephen Collinson 

Gjatë viteve në vijim, askujt nuk do t'i kujtohet se ku ishte kur kishte dëgjuar rreth publikimit të dokumenteve, deri atëherë, sekrete, rreth vrasjes së JF Kennedy-s, në vitin 2017. Në fund, ajo që pritej të ishte publikim i sekreteve qeveritare rreth vrasjes së presidentit John F. Kennedy në vitin 1963, nuk ishte as për së afërmi ajo që kishte premtuar presidenti Donald Trump. Në fakt, një ditë intrigash dhe manovrimeve të prapaskenës nga agjencitë amerikane të inteligjencës, ka të ngjarë që të ushqejë vetëm teoritë famëkeqe të konspiracionit, të cilat publikimi i dokumenteve kishte për qëllim t'i heshtte njëherë e mirë. Janë bërë 54 vjet qyshkur vdiq Kennedy dhe ka kaluar një çerek shekulli që nga koha kur Kongresi caktoi këtë të enjte, si ditën kur të gjitha dokumentet sekrete, që kishin lidhje me këtë vrasje, do të bëheshin publike. Trump, me zellin e një sipërmarrësi, me ditë të tëra ka ushqyer shpresat e tilla, sikur të ishte duke promovuar njërin prej kontesteve të Mis Universit, të organizuar nga ai, derisa kishte të bënte me një perspektivë të freskët të njërit prej momenteve më traumatike në historinë e SHBA-së. Në qendër të dramës me regji të tij, Trump, edhe vetë një ithtar i teorive të konspiracionit dhe sekreteve, sidomos rreth refuzimit të publikimit të kthimeve të tij tatimore, pritej që ta sillte transparencën e premtuar dhe të publikonte çdo gjë që qeveria vazhdonte të fshihte në lidhje me atë që ndodhi në Dallas, më 22 nëntor të vitit 1963.

Manovrat burokratike bllokuese

Pasi që të 2,800 dokumentet përfundimisht dolën në ueb-sajtin e Arkivave kombëtare, në orën 7:30 të mëngjesit, u panë disa 'copëza' interesante historike në lidhje me vrasësin e Kennedy-s, Lee Harvey Oswald, vrasësin e tij, Jack Ruby, bile u pa diçka edhe rreth aktores Marilyn Monroe. Por, elementet kryesore të kësaj ngjarjeje ende vazhdojnë që të mungojnë, të jenë të panjohura dhe sekrete. Zbulimi i madh nuk ndodhi, meqë agjencitë e spiunëve me sukses kërkuan nga Trump që të mos i publikojë rreth 300 dosje, duke e detyruar atë që ta caktonte edhe një proces tjetër të rishikimit të dokumenteve sekrete, i cili kësaj here do të zgjatë gjashtë muaj. Drama rreth publikimit të dokumenteve në fjalë ishte e tillë, sa që ngjante me nëntë muajt e Trumpit në pushtet, duke përfshirë një premtim të madh të cilin nuk arriti ta përmbushte dhe një nguti e kaosit të momentit të fundit në Shtëpinë e Bardhë. Pati edhe disa manovra burokratike bllokuese, të favorizuara nga qendrat e mëdha në pushtet, në Uashington - në këtë rast CIA dhe FBI - të cilat ia vështirë- suan tej mase Trumpit që ta ndriçonte këtë çështje. Gjatë tërë kohës, cinikët kishin thënë se agjencitë e spiunimit do të intervenonin, për të lënë në errësirë, të paktën një pjesë të dokumenteve historike, që kanë të bëjnë me vrasjen e presidentit. Ata kishin të drejtë. Derisa ofrohej momenti i fundit, i së enjtes, spiunët vërshuan Shtëpinë e Bardhë me qindra kërkesa të momentit të fundit për redaktime, duke ia pamundësuar presidentit që të vendoste, ose të publikonte çdo gjë, duke tjetërsuar edhe më shumë komunitetin e spiunazhit, apo t'ia mundësonte vetes që të fuqizohej nga spiunët e tij. Duke qenë se FBI dhe CIA e kanë ditur për 25 vjet se kur do të ndodhë ky moment, kërkesat e bëra në momentin e fundit për sekreci, është vështirë të shihen ndryshe, pos si tentim për ta performuar një vrapim përfundimtar rreth presidentit. "Mendoj se kjo është e turpshme", deklaroi analisti kryesor i çështjeve ligjore, i CNN-it, Jeffrey Toobin. "Kjo është diçka me të cilën agjencitë e inteligjencës kanë pasur jo vetëm vite, por dekada të tëra që të merreshin me të".

Mbështetësit e teorive të konspiracionit

Mbrojtësit e komunitetit të inteligjencës thanë se, disa prej informatave që nuk janë publikuar, ka mundësi që kanë të bëjnë me informatorët dhe asetet e inteligjencës në vendet sikur Kuba, apo Meksika, të cilët ende mund të ishin gjallë dhe të rrezikuar nga reprezaljet. Ka mundësi edhe që dokumentet e tilla, do të mund t'i turpëronin shërbimet e inteligjencës, të cilat ende kanë lidhje me komunitetin klandestin të SHBA-së. Por, i tillë është rrjeti i pafund i intrigave dhe teorive të konspiracionit rreth vrasjes së Kennedy-s, sa që çdo dykuptimësi nga qeveria, kishte të ngjarë që përsëri ta vinte në lëvizje makinerinë e thashethemeve. "Mospublikimi i këtyre dokumenteve vetëm sa do t'i fuqizojë teoritë e konspiracionit, të cilat janë të pranishme kudo", thotë Robert Baer, ish-oficer i operacioneve të CIA-s dhe analist i sigurisë. Roger Stone, provokues politik dhe aleat i Trumpit, nuk vonoi për t'ia hedhur fajin "shtetit të thellë", për mbulimin e informatave të dëmshme. "Problemi është se bëhet e ditur tradhtia e CIA-s, e cila e kishte rekrutuar Lee Harvey Oswald-in, e kishte trajnuar dhe e kishte vendosur atë", ka deklaruar Stone. Shtëpia e bardhë e bëri të qartë se Trump nuk ishte i lumtur për dështimin e planeve të tij për një publikim gjithëpërfshirës të dokumenteve, ku një zyrtar i lartë i Shtëpisë së bardhë tha se procesi në fjalë ishte "kaotik". "Ai nuk ishte i kënaqur me nivelin e redaktimit", tha një zyrtar tjetër i Shtëpisë së bardhë, duke shtuar se Trump besonte që agjencitë nuk ishin duke e respektuar shpirtin e ligjit. Duke pasur parasysh intervenimin 11 orë të gjatë, nga agjencitë e spiunimit, askush nuk mund ta thotë me siguri se Shtëpia e Bardhë mund ta evitojë një kaos të ngjashëm në prill, kur pritet të përfundojë procesi i rishikimit, i caktuar nga presidenti Trump. Megjithatë, në mesin e 2,800 dokumenteve të publikuara të enjten, kishte disa elemente intriguese për të ushqyer industrinë e ndërtuar rreth vrasjes së Kennedy-s. Në një raport të vitit 1975, thuhet se CIA kishte tentuar që të angazhonte kriminelë për ta vrarë liderin e Kubës, Fidel Castro. Në një deklaratë, prokurori i atëhershëm i përgjithshëm, Robert Kennedy, kishte marrë vërejtjen se një libër, i cili pritej të dilte, do të thoshte se ai kishte pasur një aferë me aktoren Monroe. Një dokument tjetër, i bërë publik, përfshin transkripton e një bisede ku ishte i përfshirë J. Edgar Hoover, në të cilën bisedë drejtori i atëhershëm i FBI-së zbulonte se Byroja kishte marrë një thirrje një natë para se pronari i një klubi nate, Jack Ruby, vrau Oswald-in, me të cilën telefonatë CIA ishte informuar se i dyshuari për vrasjen e presidentit Kennedy tani vet ishte cak i vrasjes. Në dokumentet e publikuara flitet edhe për kontaktet e Oswaldit me ambasadën sovjetike në Uashington, si dhe bisedat e zhvilluara në Meksiko Siti, informata të cilat ofronin informata rreth gjendjes mendore të tij. "Hoover shpjegon pse nuk dëshiron një hetim të pavarur rreth vrasjes së Oswaldid nga Ruby dhe rreth vrasjes së presidentit nga Oswald", thotë historiani presidencial i CNN-it, Timothy Naftali. "Këtu tregohet niveli i marifeteve federale dhe shkalla deri te e cila FBI, dy ditë pas vrasjes së Kennedy't, tani ishte duke menduar rreth një 'mbulese', jo pse ajo e kishte vrarë Kennedyn, por për shkak se nuk kishte ndërmarrë atë që ishte duhur, për ta shpëtuar presidentin". Aty është edhe dëshmia nga ish-drejtori i CIA-s, Richard Helms, i cili thotë se presidenti Lyndon Johnson kishte zakon të thoshte se, arsyeja pse u vra Kennedy, kishte të bënte me urdhrin e tij për vrasjen e Ngo Dinh Diem, presidentit të Vietnamit jugor. Në një dosje nga viti 1975, të dorëzuar në Komisionin Rockefeller, përmendet një avokat i cili kishte hetuar Helmsin, në lidhje me përfshirjen eventuale të CIA-s në një varg tentimvrasjesh globale, për të parë mos Oswald mund të kishte pasur lidhje me CIA-n. "A ka ndonjë informatë në lidhje me vrasjen e presidentit Kennedy, që në çfarëdo mënyre tregon se Lee Harvey Oswald ishte në njëfarë dore agjent i CIA-s, apo agjent..." përfundon dokumenti, pa dhënë ndonjë përgjigje. Mendimi se institucionet sekrete, thellë në qeverinë e SHBA-së, edhe pas tërë këtyre dekadave, kanë diçka për të fshehur, vetëm sa do të forcohet edhe më shumë nga vendimi i Trumpit që të mbajë sekrete rreth 300 dokumente të tjera. Mbështetësit e teorive të konspiracionit rreth presidentit JFK sapo morën një arsye tjetër për të jetuar, të paktën edhe gjashtë muaj.  

(Kosova Sot)