Zbulohet sekreti JFK - megjithatë nuk ka intriga

Zbulohet sekreti JFK - megjithatë nuk ka intriga
  • 30 October 2017 - 13:39

Shkruan: Henry Mance

Këto dosjet rreth vrasjes së John F Kennedy-së janë tmerruese. Me të vërtetë. Mesa mund të shohin të gjithë, nuk kishte konspiracion. Në vitin 2017, që të gjithë ne kemi nevojë për një konfirmim se një intrigë sekrete, e gjithëfuqishme është duke e kontrolluar botën. Tani, njëfarë idioti publikon dokumente të cilat e thonë të kundërtën. Një gjë më rrëqethëse sesa vrasja e presidentit amerikan me njohuri paraprake nga mafia, si dhe nga J Edgar Hoover dhe Fidel Castro, është vrasja e presidentit amerikan pa diturinë paraprake nga mafia, J Edgar Hoover ose Fidel Castro. Mendoni rreth implikimeve. Nëse dosjet janë udhëzues i besueshëm, atëherë ka shumë të ngjarë që askush të mos jetë duke koordinuar vrasjen e Donald Trump. Apo, të paktën, nxjerrjen e tij para gjyqit. Apo, ndoshta vetëm konstruktimin e një kutie të padepërtueshme të çimentos, e cila do ta ndante atë nga 'futbolli bërthamor'. Për çka e paguajmë FBI-në? Njoh ca njerëz të cilët kanë vështirësi që ta pranojnë qoftë edhe vetëm ekzistencën e ndonjë intrige sekrete. Këshilla ime është që të paramendohen 12 pleq të racës së bardhë, rreth një tavoline në një zyrë të "Goldman Sachs", në Uajoming, të cilët pjesën më të madhe të kohës e kalojnë duke biseduar rreth përfitimeve nga diversiteti i nivelit të bordeve. Paramendoni ata si një dorë të padukshme, me rrudha - një forcë të së mirës, për të cilën vrasja e JFK-së me të vërtetë ishte jashtë karakterit.

Pengimi i demokracisë dhe sekretet e bisedimeve

Ekzistimi i intrigës është ngushëllim i madh. Pa të, këto ditë të ngrohta tetori në Londër do të mund t'i interpretoja si dëshmi se e kemi transformuar planetin në një furrë me ventilim. Në vend të kësaj, unë e di se kjo është thjesht mënyra e zotërinjve (mjeshtërve) që të na e tërheqin vërejtjen nga seria e 13-të e "The Apprentice". Sikur të mos ekzistonte asnjë elitë sekrete, atëherë do të mund të kisha frikë se, njeriu më i fuqishëm, i dukshëm, në botë - Mark Zuckerberg - ka vizituar familjet në Ajova, gjatë turneut të tij në SHBA, meqë ai planifikon që, një ditë, pasi të dalë në pension, të bëhet president i tyre. Në vend të kësaj, e di se mjeshtërit e kukullave me penj kanë zgjedhur kandidatin fitues dekada më parë dhe se themeluesi i "Facebook"-ut thjesht, ka nevojë që të bisedojë me dikë. Ngjashëm me këtë, disa njerëz brengosen mos vet mediat sociale janë duke shkatërruar shoqërinë njerëzore, duke zvogëluar produktivitetin, duke penguar demokracinë dhe duke na mësuar sekretet e bisedimeve. Por, unë fle rehat duke ditur se dikush, diku fshehurazi, është duke u përpjekur që ta ndreqë politikën globale. Një botë pa intriga do të ishte tmerruese. Imagjinoni sikur universitetet britanike të mos ishin plot me akademikë anti-Brexit për shkak të ndonjë plani të madh, por për shkak se largimi nga BE-ja ishte një ide aq e keqe, sa që gati askush me titull PhD nuk besonte në të. Imagjinoni sikur 1.4 milion njerëz nuk e blejnë gazetën "Daily Mail" çdo ditë për shkak të përmbajtjeve argëtuese, por për shkak se atyre me të vërtetë iu pëlqen mbulimi i lajmeve. Në një shikim të dytë, duket se mjeshtërit e marionetave paskan fjetur në vendin e punës. Kriza financiare, Siria, Harvey Weinstein.

Intrigat sekrete janë shëndosh e mirë

 Dikur isha i sigurt se mund ta fajësonim Luftën e Irakut për përzierjen e Tony Blairit të përbërë nga rrenat e pacipa dhe pasthirrmat e pakuptimta. Alternativa - të cilën urrej edhe ta sugjeroj - është se, përgjegjësinë e pjesshme në këtë drejtim e kishte nevoja jonë e tepërt që të ndërmerrnim veprime ushtarake në vende të largëta. Është e qartë se jemi thellë në hipoteza. Ende kam besim se intrigat sekrete janë shëndosh e mirë. Ne, njerëzit e rëndomtë, kurrë nuk do të mund të dilnim me mrekulli aq komplekse, sikur që është interneti, apo kremi i kafenjtë i njelmët i karameles "Ben & Jerry". Duhet të ketë një forcë të fshehtë. Ka ende dosje sekrete rreth JFK-së të cilat mund ta dëshmojnë një gjë të tillë. Nëse jo, atëherë ato dokumente ka shumë mundësi që të jenë 'korrigjuar' nga një grup i vogël i njerëzve me teknologji printuese të nivelit botëror dhe me një qasje të pakufizuar në Arkivat kombëtare të SHBA-së. Por, një gjë e tillë do të ishte qesharake: të kuptuarit se ngjarjet botërore nuk përcaktohen nga fuqitë e jashtëzakonshme të atyre nën hije, por nga veprimet e papritura të njerëzve të rëndomtë. Disave do t'iu duhej goxha kohë që të mësoheshin me këtë. Dhe, pastaj, kanë kaluar 54 vjet që nga vrasja e JFK-së; kemi pasur kohë të mjaftueshme.

(Kosova Sot)