A mund të bëhen bashkë Franca dhe Gjermania?

A mund të bëhen bashkë Franca dhe Gjermania?
  • 31 October 2017 - 14:43

POPULIZMI ËSHTË RIKTHYER NË EVROPËN QENDRORE DHE LINDORE

Elitat franceze dhe gjermane kanë gjetur një shkak të përbashkët për t'u shqetësuar

Shkruan: Dominique Moisi

Shtatë muaj më parë, kur Marine Le Pen nga Fronti Nacional i ekstremit të djathtë, kishte gjasa për ta fituar presidencën franceze, Gjermania kishte frikë për të ardhmen e Francës. Por, pas mbajtjes së zgjedhjeve federale gjermane, në shtator, Franca nuk ka qenë kushedi sa e frikësuar për fqinjin e saj. Partia e ekstremit të djathtë, Alternative fur Deutschland (AfD), përkundër rritjes së mbështetjes, nuk ka gjasa që të vijë në pushtet. Fundja, Gjermania nuk është Austri. Sido që të jetë, elitat franceze dhe gjermane kanë gjetur një shkak të përbashkët për t'u shqetësuar: Gjermania mund të mos jetë në gjendje që ta shfrytë- zojë mundësinë e jashtëzakonshme, të krijuar nga fitorja e presidentit francez Emmanuel Macron. Më parë, problemi nuk qëndronte te fakti që Gjermania ishte tepër e fortë, por që Franca ishte tepër e dobët. Tani, problemi nuk është që Franca është tepër ambicioze për Evropën, por që Gjermania nuk është mjaft ambicioze. Me vite të tëra, gjermanët janë ankuar rreth asaj se Franca nuk ishte e aftë për reforma të brendshme dhe se francezët nuk kuptonin domethënien e fjalës "federalizëm" në kontekstin e BE-së. Në një ambient të tillë Macron mori pushtetin, duke e prezantuar veten si një president-filozof aktiv. Ai është dishepull i filozofit francez Paul Riceour, dhe flet rreth "sovranitetit evropian" në të njëjtën mënyrë sikur filozofi gjerman Jurgen Habermas flet për 'shtetësinë evropiane'. Do të jetë vështirë të arrihet një balancë harmonike midis një presidenti francez, me popullaritetin e tij në ngritje e sipër, dhe kancelares gjermane Angela Merkel, e cila duket se është duke përjetuar rënien e popullaritetit të saj. Mbi të gjitha, kjo do të kërkojë nga Gjermania që të përshtatet me guximin e ri të Francës.

Integrimi evropian përsëri duhet të kthehet në binarë

Natyrisht, dyshimi i Gjermanisë për një ndarje më të madhe të rrezikut në eurozonë, gjë që agjenda reformatore e Macronit duket ta përfshijë, është i kuptueshëm. Për gjermanët, kjo tingëllon si një version i freskuar i parullës së vjetër të BE-së: "Gjermania do të paguajë". Por, dallimi në nivelin e entuziazmit midis dy qeverive, nuk duhet që të jetë një pengesë e pakapërcyeshme. Le Pen shpesh thoshte gjatë kampanjës parazgjedhore se, "Pa marrë parasysh rezultatet e zgjedhjeve, Franca do të qeveriset nga një grua: nga unë, apo nga kancelarja e Gjermanisë". Kjo thënie ishte e mprehtë dhe provokative, por ishte edhe e gabueshme. Sot, Le Pen është në rrugë e sipër që të mbetet vetëm si një detaj i historisë. Dhe, derisa Merkel ende është 'burrështetasja' e mençur, nga e cila pjesa më e madhe e Evropës presin udhëheqje, ajo nuk është më në pozicion që ta caktojë njëanshëm agjendën e BE-së. Është e qartë që politikat franceze dhe gjermane gjenden në trajektore të ndryshme emocionale. Gjermania, pak a shumë, është e kënaqur me veten e saj dhe me pozitën e saj në botë. Vendimi i Merkelit për të hapur kufijtë e vendit në vlugun e krizës së refugjatëve, nuk ka dyshim se i kushtoi asaj me vota në zgjedhjet e mbajtura në shtator. Por, marrë në tërësi, gjermanët mbeten jo të gatshëm që ta ndryshojnë një status quo evropian, i cili është dëshmuar si tepër i suksesshëm për vendin e tyre. Në anën tjetër, Franca ndjen se ai ndryshim duhet të ndodhë tani, apo kurrë. Nëse Franca dhe Evropa presin deri nesër për ta bërë atë që do të duhej ta bënin sot, atëherë do të humbin që të gjithë. Nga perspektiva e Francës, duket sikur historia të jetë duke u përshpejtuar. Britania e Madhe aktualisht është duke i negociuar kushtet e daljes nga BE-ja; parlamenti regjional i Katalonisë ka shpallur pavarësinë nga Spanja; dhe populizmi është rikthyer në Evropën Qendrore dhe Lindore. Nëse Franca dëshiron që të mbetet e rëndësishme në Evropë, ajo duhet ta përdorë momentin aktual për ta reformuar vetveten. Dhe, nëse BE-ja dëshiron që të mbetet relevante në botë, sidomos tani kur Amerika e ka humbur udhën në oborr, ajo duhet që ta rikthejë integrimin evropian përsëri në binarë. 

Macron dhe Merkel paraqesin demokracinë liberale evropiane

Hendeku midis Gjermanisë dhe Francës është më i thelli kur flitet për mbrojtjen dhe sigurinë, për shkak të një ndarjeje të thellë kulturore midis këtyre dy vendeve. Thënë të vërtetën, pjesa më e madhe e qytetarëve francezë dhe gjermanë identifikohen si evropianë, për dallim nga qytetarët britanikë, të cilët identifikohen si britanikë, apo bile edhe si anglezë, skocezë, irlandezë dhe uellsianë. Për këtë shkak kritikat franceze dhe gjermane rreth BE-së në përgjithësi përqendrohen te performanca e bllokut, derisa kritikat britanike kanë të bëjnë me vet projektin evropian. Por, kur të vijë puna te sigurimi dhe mbrojtja, afinitetet e tyre janë të kundërta: Franca dhe Britania janë goxha të ngjashme, derisa Gjermania, për shkak të së kaluarës së saj historike, një kohë të gjatë kishte evituar çdo variant ushtarake. Natyrisht, ka shumë dallime midis Britanisë dhe Francës në lidhje me atë se si ato iu qasen SHBA-së dhe NATO-s. Natyrisht, Britania e Madhe është më e afërt ndaj NATOs sesa Franca. Por, Britania e tmerruar nga presidenti amerikan Donald Trump, është bërë më e largët nga SHBA-ja, derisa Franca, nën Macronin, është bërë disi më e afërt. Për dallim nga Macroni, kryeministrja britanike Theresa May nuk është e bindur se mund ta sharmojë presidentin Trumpin. Partneriteti franko-gjerman një kohë të gjatë ka qenë shtylla e stabilitetit të BE-së. Dhe, duke pasur parasysh thellimin e krizës në Kataloni dhe fuqinë e populistëve evropianë, atëherë kjo marrëdhënie ka më shumë rëndësi sesa më parë. Thënë më qartë, Macron dhe Merkel paraqesin demokracinë liberale evropiane, bazuar në arsye dhe hapje, për dallim nga vizioni populist i përfaqësuar nga kryeministri hungarez, Viktor Orban dhe lideri de facto polak, Jaros?aw Kaczy?ski. Me zgjedhjet e fundit në Austri dhe me Çekinë, e cila është duke e lëvizur Evropën qendrore kah asaj që mund të quhet Perandori populiste Austro-Hungareze, Gjermania duhet të jetë po aq e interesuar sa edhe Franca për një reformë të suksesshme të BE-së. Sikur që thonë amerikanët, topi gjendet në fushën e Merkelit. 

(Dominique Moisi është këshilltar i lartë në Institutin "Montaigne" në Paris)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)