A jemi bërë robër të barbarëve politikë?

A jemi bërë robër të barbarëve politikë?
  • 01 November 2017 - 08:49

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQI

Po, duhet më në fund të pranojmë së jemi bërë robër të pushteteve të pasluftës. Kemi qenë robër të pushteteve shtypëse të regjimeve të huaja serbosllave, por kurrë nuk jemi nënshtruar. Nuk jemi nënshtruar para dajakut, burgut dhe vrasjeve të xhelatëve serbë për 90 vjet. Këto vlera dhe këto tipare duket së gjithnjë e më shumë po i humbim. Po i humbim ngadalë mundin dhe sakrificën tonë ndër shekuj e mote! Po humb dashuria e ndërsjellë dhe po humb uniteti aq shumë i nevojshëm. Ne jemi bërë robër edhe të vetvetes, jemi bërë robër të historisë, jemi bërë robër të besimeve fetare, jemi bërë robër të burokratëve të Evropës dhe në fund jemi bërë robër të regjimeve tona, të cilët nuk po e drejtojnë mirë shtetin. Por, nuk duhet harruar atë se jemi bërë shumë edhe robër të budallallëqeve tona, të paragjykimeve dhe ksenofobisë tanë etj. Kur kjo klasë politike po grabit nga duart tona gjithë të mirat materiale, ne po pajtohemi me një kore bukë që po na lënë ata. Ne jemi duke ëndërruar me sy qel se "barbarët" gjithsesi do të kenë mëshirë… Dhe, kjo mëshirë nuk po vjen as nuk do të vjen kurrë, kur ne nuk interesohemi për fatin tonë, nuk interesohemi për lumturinë e fëmijëve tanë. Kemi mbetur duke bërë sehir.

Për 18 vjet të shohim më shumë surrate bajate

Po na godasin çdo ditë të këqijat, e ne po sillemi si budallenj, duke i duruar të rënat nën brez. Barbarët, të cilët na kanë rënë në qafë tash e shumë kohë, nuk po kanë mëshirë karshi "viktimës" së tyre. Nga barbarët politikë dhe ekonomikë na erdhën krizat politike, krizat ekonomike, krizat sociale dhe varfëria e skajshme...Nga këta hileqarë dhe manipulatorë na erdhën krimi i organizuar dhe korrupsioni, dy fenomene të cilat po e gërryejnë nga brenda shtetin tonë. I sollëm në pushtet besa erdhën edhe vetë, barbarët të cilët nuk po pranojnë të zbresin nga ky pushtet. Pas secilës palë të zgjedhjeve bëmë selektime negative, të cilat selektime nuk i sollën të mira popullit dhe Kosovës. A ka më taksirat së për 18 vjet të shohim më shumë surrate bajate, të cilët po defilojnë në skenën tonë politike. A ka gjë më rrezik për një shtet të ri dhe për një popull që të pazotët për politikë të dalin në ballë të politikës? A ka gjë me keq së një popull ta udhëheqin ata që po e zhvatin përditë pasurinë shoqërore? 

Sikur jemi mësuar që punët tona t'i kryejë dikush tjetër

Po na udhëheqin ata të cilët kanë zgjedhur rrugën e gabuar për shumicën, e rrugën e mirë për vete. Barbarët nuk dinë dhe as nuk duan t'i dërgojnë proceset zhvillimore përpara, por janë duke na kthyer mbrapa. Ata po e sjellin mjerimin politik dhe po tentojnë ta eliminojnë edhe Zotin mbi tokë! Ne sikur po kërkojmë zgjidhje diku jashtë nesh dhe sikur gjithçka na rrethon po e konsiderojmë se nuk ka të bëjë me ne. Ne sikur jemi mësuar që punët tona t'i kryejë dikush tjetër. Po mendojmë së ndërkombëtarët duhet të bëjnë shtet dhe të bëjnë mirëqenie e zhvillim për ne dhe "të na bëjnë edhe njerëz". Kështu sikur jemi duke ia bërë hyzmetin punëve, as nuk do të kemi zhvillim, as nuk do të kemi shtet ligjor e demokratik, as nuk do të bëhemi pjesë e strukturave të BE-së dhe as nuk do të hyjmë në NATO. Si shtet dhe si popull po e luajmë mirë rolin e statistit. Kemi mbetur në margjina, larg civilizimit, se nuk po dimë ta ruajmë dhe ta zhvillojmë as qenien tonë kombëtare. Deri kur do të përballemi me antivlera në të gjitha sistemet një Zot i madh e di… 

(Kosova Sot)