Katalonia, Kosova dhe Shqipëria

Katalonia, Kosova dhe Shqipëria
  • 01 November 2017 - 08:54

SHKRUAN: NEXHMEDIN SPAHIU

Rruga e pavarësimit të një vendi

Kosova dhe Shqipëria janë shumë të vogla dhe shumë të pafuqishme që të deklarohen nëse e njohin apo nuk e njohin pavarësinë e Katalonisë. Qoftë deklarimi për njohje, qoftë për mosnjohje do të ishte prepotencë kulmore. Kosova dhe Shqipëria duhet të deklarohen se dëshirojnë që problemet në relacionin Barcelonë -Madrid dhe anasjelltas të zgjidhen me dialog dhe jo më dhunë. Nëse Amerika, Rusia, Anglia, Franca, Italia, Gjermania deklarohen se nuk e njohin pavarësinë e Katalonisë, kjo nuk do të thotë se ato nuk do ta njohin asnjëherë.

Formimi i një kombi është i gjatë dhe përplot rreziqe

Natyrisht, nëse Amerika do ta njihte sot pavarësinë e Katalonisë, këtë duhej ta bënin po të njëjtën ditë, një orë më pas, edhe Kosova edhe Shqipëria. Por, deklarimin e Fuqive të Mëdha për mosnjohje nuk kanë nevojë ta përsërisin as Kosova dhe as Shqipëria. Rruga e pavarësimit të një vendi, përkatësisht formimit të një kombi, është e gjatë dhe përplot rreziqe. Të mos harrojmë se slogani "Kosova Republikë" është paraqitur më 1968, vit në të cilin u lindën Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Enver Hoxhaj. U deshën 40 vjet që Republika e Kosovës të bëhet realitet.

Kosova ishte krahina më e pazhvilluar në Serbi e Jugosllavi

Lidershipi kosovar dhe ai shqiptar nuk duhet të nxitohen me deklarata të tepërta, se rastet e Kosovës dhe Katalonisë dallojnë, sepse ato vërtet dallojnë, por edhe kanë ngjashmëri të mëdha. Madje disa dallime shkojnë në favor të Katalonisë. Kosova ishte 8% e popullsisë dhe 4% e sipërfaqes së ish- Jugosllavisë, 16% e popullsisë së Serbisë dhe 12% e sipërfaqes së Serbisë. Ndërsa, Katalonia është 7 milionë banorë e 32.000 km2, që do të thotë 4 herë më e madhe se Kosova me banorë e me sipërfaqe. E kjo përbën 16 % e popullsisë dhe 16 % sipërfaqes së Spanjës. Kosova ishte krahina më e pazhvilluar në Serbi e Jugosllavi, Katalonia është krahina më e zhvilluar në Spanjë. Të gjitha këto janë përparësi të Katalonisë karshi Kosovës. Të vetmet argumente pro Kosovës janë gjaku i derdhur dhe dhuna që Beogradi ka ushtruar ndaj Kosovës, që janë edhe më të rëndësishmet argumente në këtë mesele.

(Kosova Sot)