Një agjendë për bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit

Një agjendë për bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit
  • 01 November 2017 - 15:19

Në vend të kësaj, ajo duhet të zhvillojë negociata bilaterale, të cilat do ta trajtonin esencën e mosbesimit dhe antagonizmit midis dy vendeve. Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur që të mos konfirmojë se Irani është duke i respektuar kushtet e Planit të përbashkët të veprimit (JCPOA), marrëveshjes që kufizon programin bërthamor iranian. Në fakt, Trump ka sfiduar Kongresin që ta bëjë atë që, zakonisht, është përgjegjësi e degës ekzekutive: ta krijojë politikën e jashtme. Se çfarë do të jetë ajo politikë, mbetet çështje e hapur. Derisa Kongresi tanimë është duke përgatitur sanksionet, ato, si të vetme, nuk do ta përbëjnë një strategji gjithëpërfshirëse ndaj Iranit. Në vend të kësaj, SHBA-ja dhe Irani do të duhet që të negociojnë direkt rreth shumë çështjeve jo bërthamore. Ashtu sikur që duket, janë të paktë ata që vlerësojnë se Irani është duke dështuar në respektimin e obligimeve të tij në kuadër të JCPOA-s. Bile edhe sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, i cili nuk e ka mbajtur fare të fshehtë neverinë që ndjen ndaj Iranit, ankohet vetëm se liderët iranianë janë duke dhunuar 'shpirtin, frymën' e marrëveshjes. Por, JCPOA në mënyrë të qartë dhe të qëllimshme ishte përqendruar te prodhimi i armëve bërthamore nga ana e Iranit, duke mos u marrë me programet e tij raketore, ambiciet regjionale, apo animozitetin karshi Izraelit.

Lidhjet pasuese të Amerikës me Shahun

 Administrata Trump po ashtu përmend aspektet kohore të marrëveshjes JCPOA, ku disa provizione të saj - sikur që është kufizimi strikt rreth kërkimeve dhe prodhimit të centrifugave të përparuara - vlen vetëm për dhjetë vjet. Denoncimi i kësaj marrëveshjeje nga ana e Trump'it ka ngjallur debat rreth përshtatshmërisë së limiteve të saj kohore, edhe pse diskutimet e tilla shpesh nuk arrijnë që të kuptojnë se Irani ka pranuar standardet e Agjencisë ndërkombëtare të energjisë atomike, duke përfshirë edhe protokollet e saj të inspektimit. Sido që të jetë, çelësi për parandalimin e recidivizmit pasi që të skadojnë provizionet e JCPOA-s, do të jetë te lëvizja e Iranit kah politikat e fqinjësisë së mirë dhe kah sigurimi që interesat e tij ekonomike, të tejkalojnë ambiciet e tij që të bëhet hegjemon regjional. Këtu vjen në shprehje rëndësia e negociatave bilaterale. Një arsye pse JCPOA nuk kishte mbuluar çështjet jo bërthamore, ka të bëjë me faktin se si disa partnerë dhe aleatë të tjerë - në rend të parë Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Britania, por edhe BE-ja - ishin përfshirë, ku secili prej tyre kishte perspektivat dhe vërejtjet e veta. Fuqitë regjionale, me vend në rreshtat e parë të bisedimeve, sikur psh Arabia Saudite, po ashtu kishin shumë për të thënë. Pajtimi i interesave kontradiktore të këtyre vendeve dhe kërkesave që kishin të bënin me disa çështje të rëndësishme, do të ishte i pamundur. Negociatat bilaterale midis SHBA-së dhe Iranit, megjithatë, mund ta lejojnë SHBA-në që të arrijë progres në çështjet që kanë rëndësi për të, por që janë edhe të rëndësishme për ta kuptuar më mirë Iranin modern. Negociatat e tilla me gjasë do të fillonin me një diskutim të gjatë të të dyja palëve rreth interpretimeve kundërshtuese të historisë së marrëveshjes midis tyre, me fjalë të tjera, me ankesat e secilit vend ndaj njëri-tjetrit. Për Iranin, ankesat e tilla përfshijnë mbështetjen nga ana e SHBA-së të puçit të vitit 1953 në Iran dhe lidhjet pasuese të Amerikës me Shahun dhe me policinë e tij sekrete brutale, "Savak".

Irani nuk është i vetmi që duhet ta shpjegojë strategjinë e tij ndaj Sirisë

SHBA-ja, në anën e saj, me gjasë do ta ngrente çështjen e rrëmbimit të stafit të ambasadës së saj në Iran, në vitin 1979 nga ana e regjimit islamik revolucionar dhe, ngjarjen më të re, të sulmeve kundër trupave amerikane nga grupet militare shiite në Irakun verior. Këto bisedime duhet të përfshijnë çështjet konkrete dhe të ofrojnë përgjigje specifike. Mund të krijohen grupe punuese me qëllim të tentimit të dakordimit të qëndrimeve. Negociatat po ashtu do të duhej që të përfshinin çështjet e kohëve tona, duke përfshirë edhe një "tour d'horizon" të pikave aktuale të nxehta. Çka është duke bërë Irani në Jemen, Liban, Irak dhe, veçanërisht, në Siri? Si i kufizon ai interesat e tij në këto vende? A e sheh me të vërtetë ai veten si mbrojtës të arabëve shiitë, sikur që vlerësojnë shumë arabë sunitë? Në Irak SHBA-ja kishte investuar shumë në rrëzimin e regjimit të Saddam Hussein'it, e më pas në mbështetjen e një procesi politik, i cili rezultoi me një qeveri të udhëhequr nga shiitët, gjë që nga perspektiva iraniane është zhvillim pozitiv. Për këtë shkak, çështja kryesore është pse Irani vazhdon mbështetjen ndaj grupeve militare të cilat shpesh sfidojnë qeverinë e Irakut. Sa i përket Sirisë, Irani nuk kishte vonuar që ta mbështeste qeverinë e presidentit Bashar al-Assad. Mbështetja iraniane ndaj administratës së dominuar nga pakica alavite (sekt shiit) ka nervozuar shumë shtete sunite arabe, sidomos Arabinë saudite, e cila me shqetësim të madh shikon këtë 'rilindje shiite' përtej kufirit të saj verior. Irani nuk mund të presë që sauditët të jenë indiferentë ndaj një ndryshimi të tillë të pozitës së tyre gjeostrategjike. Por, Irani nuk është i vetmi që duhet ta shpjegojë strategjinë e tij ndaj Sirisë. Edhe SHBA-ja deri më tani ka ndjekur politika të cilat, thënë butë, nuk kanë pasur gjithmonë një racionale evidente. Tani është koha që SHBA-ja t'i qetë letrat mbi tavolinë. A kërkon ajo ndërrim të regjimit, apo do të pajtohej me ndryshime politike pa marrë parasysh çfarë qeverie do ta zgjidhnin sirianët? Dhe, çka në lidhje me Izraelin? Gjatë presidencës së tij, midis viteve 2005 - 2013, Mahmoud Ahmadinejad kishte ndezur opinionin botëror duke vënë vazhdimisht në pikëpyetje ekzistimin e Holokaustit. A mbretëron në mesin e lidershipit aktual iranian një lloj i këtillë i injorancës dhe neverie ndaj popullit çifut? Çështja e fundit vitale, e cila do të duhej që të adresohej në çdo bisedë bilaterale midis SHBA-së dhe Iranit, ka të bëjë me aktivitetet ushtarake të Iranit dhe, në veçanti, me programet raketore të tij. Irani shpesh aludon te e drejta e tij që ta ketë një ushtri moderne, me raketa të përparuara por, për dallim psh nga Koreja veriore, ai nuk kërkon të drejtën për të pasur armë bërthamore. Më pas, këto bisedime bilaterale do të mund të përcaktonin rolin adekuat dhe aftësitë e ushtrisë iraniane, sikur që u bë në bisedimet që SHBA-ja zhvilloi me Kinën. SHBA-ja nuk mund të vazhdojë që ta bazojë politikën e saj ndaj Iranit - një vendi të madh me më shumë se 80 milionë njerëz, me një ekonomi në rritje dhe me një ndikim të madh regjional - te sanksionet dhe sarkazmi. Ngjashëm me këtë, Irani duhet të tërheqë sloganet helmuese, sikur "Vdekje Amerikës" dhe, në vend të kësaj, të punojë me SHBA-në për të çuar përpara interesat dhe aspiratat e veta. Ndoshta mali i mosbesimit mund të tregohet i pakalueshëm për këto dy vende, por kjo ia vlen që të provohet.

(Christopher R. Hill aktualisht është dekan i Shkollës Korbel, të studimeve ndërkombëtare, të Universitetit të Denverit) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot

(Kosova Sot)