Fantazmat e Lezbosit, TURPI I EVROPËS

Fantazmat e Lezbosit, TURPI I EVROPËS
  • 03 November 2017 - 10:58

Shkruan: Yanis Varoufakis dhe George Tyrikos-Ergas

Në vitin 2015, me qindra mijëra refugjatë arritën në brigjet e ishujve grekë. Shumë prej tyre u mbytën në det. Sot, publiku ndërkombëtar është nanurisur që të besojë se kriza greke me refugjatë është qetësuar. Në fakt, ajo është bërë një kamxhik i përhershëm që dëmton shpirtin e Evropës dhe krijon probleme për të ardhmen. Ishulli Lezbos ishte dhe mbetet epiqendër e kësaj krize. Rrëfimi rreth Shabbirit demonstron se sa ashpër realiteti ndeshet me variantin zyrtar të Evropës. Shabbir, 40 vjeç, jetonte me gruan dhe dy fëmijë të vegjël në një qytet mesatar të Pakistanit, ku kishte një biznes "rent a car". Një natë të dhjetorit të vitit 2015, një grup lokal i ekstremistëve islamikë, sulmoi me bomba të naftës shtëpinë e fqinjit të Shabbir-it, duke pritur jashtë që të dilnin familjarët. Fqinjët e Shabbir-it ishin të krishterë, prandaj ekstremistët donin që t'i përzinin ata, për ta shndërruar shtëpinë e tyre në medrese. Në mënyrë instinktive, Shabbir iu kishte dalë në ndihmë fqinjëve të tij të krishterë. I etiketuar si 'femohues', atij iu dogj biznesi, vëllain ia vranë në mënyrë brutale, gruaja me fëmijët i ikën në një fshat tjetër derisa Shabbir, bashkë me të atin plak, morën rrugën e gjatë e të mundimshme, nëpërmes Iranit dhe Turqisë, drejt sigurisë së imagjinuar në Evropën e civilizuar. Përgjatë rrugës, i ati i Shabbir-it vdiq nga lodhja në një mal turk, të mbuluar me borë. Disa muaj më pas, pasi që arriti që të hipte në anijen e trafikuesve në brigjet turke të Egjeut, ai përjetoi fundosjen e anijes, me shumë refugjatë të tjerë. I shpëtuar në brigjet e ishullit Lezbos, ai u soll në kampin Moria. Këtu për të filluan peripeci të reja

"Ne jemi si fantazma që sillen vërdallë"

Asnjë perëndimor, i cili e pa kampin Moria gjatë dimrit të vitit 2016/2017, nuk mund ta bënte këtë pa u ndier i dehumanizuar. Balta, mbeturinat dhe fekalet formonin një magmë të mizorisë, të rrethuar me tel gjembor dhe të shoqëruar me indiferencë të zyrtarëve, të reflektuar nëpërmes furnizimeve të mangëta të siguruara nga BEja dhe autoritetet greke. Refugjatët sikur Shabbir duhet të presin të paktën nëntë muaj, para se ta kenë rastin që të bisedojnë me ndonjë zyrtar, i cili merr kërkesën e tyre për azil. Brenda kampit, një zyrë e vogël e improvizuar, e rrethuar me tela gjemborë shtesë dhe nga qindra refugjatë të dëshpëruar, pranon një deri dy refugjatë në orë, për intervistën e tyre të parë. "Nëse jeni paksa i sëmurë, afgan, apo pakistanez, atëherë mund të kalojnë 12 muaj para se të të jepet rasti që të bisedosh me ndonjë zyrtar", thotë një refugjat. "Ne jemi si fantazma që sillen vërdallë, pa na vërejtur askush", shton ai. "Më mirë do të ishte sikur të kishim vdekur në luftë". Duke shëtitur nëpër kamp, bie në sy një segregacion i qartë. Disa familje ishin vendosur në 'luksin' e kontejnerëve, të vendosur prapa rrethojave të larta. Edhe pse aty nuk ka ujë, ngrohje, apo diçka tjetër, banorët e kontejnerëve mund ta konsiderojnë veten të privilegjuar. Duke ecur në veriperëndim dukej sikur ngriteshe në çnjerëzi. Së pari binte në sy qyteti-barakë i afganëve, i zhytur në baltë, me një erë të padurueshme. Në majë të kodrës ishin pakistanezët, në kushte të njëjta, të vështira, duke djegur çkado që mund të gjenin, për ta përgatitur ushqimin. Afër tyre ishin algjerianët, të cilëve të gjithë ua kishin frikën dhe të cilët ishin të rrethuar me një rresht të trefishtë të telave gjemborë. Më tej ishin 'afrikanët' midis tendave të të cilëve rridhnin ujëra të zeza. Një vit pasi Shabbir arriti në Lezbos dhe tre muaj pas intervistës së tij të parë, kërkesa e tij për azil u refuzua dhe u lëshua urdhri për përzënien e tij. Ankesa e tij u refuzua pa hezitim dhe, kur ai tentoi që të gjente strehim në një fshat të afërt, policia doli në kërkim të tij. Ai u dorëzua dhe u kthye nga policia përsëri në Turqi. Më nuk kemi dëgjuar për të. Shabbir na thoshte se kishte imagjinuar që, "përkundër asaj që ishte mysliman", Evropa do t'i jepte azil, "nëse për asgjë tjetër, atëherë pse kisha mbrojtur fqinjët e krishterë, në dëm të familjes time". Por, "Evropa" kishte ide të tjera. Marrëveshja e BE-së me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdo?an, e negociuar në vitin 2016 nga kancelarja gjermane Angela Merkel, kishte një qëllim të vetëm: ndaljen e rrjedhës së refugjatëve nga Turqia për në Greqi, me të gjitha mënyrat e mundshme. Nëse kjo kërkonte që BEja t'i jepte ryshfet Erdo?anit disa miliarda euro, për ta thyer ligjin ndërkombëtar në lidhje me refugjatët, sikur Shabbir, atëherë në rregull. Vetëm në muajin shtator, në ishullin Lezbos arritën edhe 2,238 refugjatë, përkundër tentimeve të Turqisë për ta ndalur këtë rrjedhë. Një kamp i paraparë për 2,000 njerëz, tani strehon trefishin e këtij numri, prapa radhëve të telave me gjemba, në një kaos të baltës, mbeturinave dhe fekaleve. Në fillim të tetorit, stuhitë e para vjeshtore e shndërruan përsëri kampin Moria në fushë balte. Evropa shtiret se ky krim kundër njerëzimit nuk është faji i askujt. Autoritetet greke fajësojnë BE-në për mos ndarjen e fondeve, BE-ja e fajëson Greqinë se nuk bën aq sa duhet, me fondet ekzistuese, derisa OJQ-të e mëdha janë të preokupuara me ruajtjen e linjës së tyre të komandimit dhe financimit. Të mbijetuarit e vetëm në këtë katrahurë morale janë ekipet lokale, të përbëra nga vullnetarë nga e mbarë bota dhe OJQ-të e vogla, të cilat e kanë mbajtur gjallë shpirtin e njerëzimit

Lajthitja e Evropës

Ndërkohë, Perëndimi në përgjithësi, si dhe BE-ja në veçanti, vazhdojnë faktorët ekonomikë, ambientalë dhe ushtarakë që shkaktojnë fatkeqësinë aktuale humanitare. Galrim, një refugjat tjetër pakistanez në Lezbos, na e shpjegon lajthitjen e Evropës: "Ekstremistët islamikë kanë një plan. Duke përhapur frikë dhe urrejtje, ata duan getoizimin e refugjatëve në Evropë, për t'i izoluar ata nga shoqëritë evropiane, me qëllim që t'i bëjë ata viktima të ksenofobisë evropiane. Kjo është strategjia e tyre e rekrutimit, që ka për qëllim ndezjen e zjarrit të urrejtjes midis Lindjes dhe Perëndimit, gjë që i bën ata figura të rëndësishme". Galrim duhet ta dijë. Një demokrat i cili kundërshtoi mashtrimin zgjedhor në qytetin e tij, përfundoi i vrarë nga mafia në Turqinë "e sigurt", pasi që u torturua në kërkim të parave. Edhe kërkesa e Galrim-it për azil u refuzua, duke e vënë atë në listën e personave që do të kthehen në Turqi. Rreth 2,500 vjet më parë, poetesha Sappho nga Lezbosi, shkroi: Zemra e tyre u ftoh Ata lëshuan krahët Me qëllim të parandalimit që kjo t'iu ndodhë humanistëve në tërë Evropën, kemi nevojë për një lëvizje të re, për të bërë kampanjë për lirimin e refugjatëve nga kushtet e tmerrshme dhe duke iu afruar atyre një proces më të shpejtë të azilit. Përpos kësaj, kemi nevojë t'iu japim fund politikave të cilat janë duke kontribuuar në ikjen e tyre të dëshpëruar.

(Yanis Varoufakis është profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës. George Tyrikos-Ergas është folklorist që jeton në Lezbos)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)