< Kanceri i ekstremizmit islamik përhapet në botë - Opinione - Kosova Sot
Kanceri i ekstremizmit islamik pėrhapet nė botė

Kanceri i ekstremizmit islamik pėrhapet nė botė

Shkruan: Fareed Zakaria 

Sulmi tragjik terrorist i kësaj jave në Nju- Jork, ishte një incident i izoluar i bërë nga një njeri me probleme, që nuk duhet që të çojë deri te përgjithësimet. Gjatë periudhës prej 16 vjetësh, që nga 11 shtatori i vitit 2001, qyteti në fjalë është dëshmuar shumë i sigurt nga grupet xhihadiste dhe nga individët e tillë. Dhe, përkundër kësaj, duke folur me zyrtarët e kësaj qendre të madhe globale, konkluzionet janë shqetësuese. "Sulmi në Nju - Jork mund të jetë mënyrë për të na rikujtuar se, derisa ISIS është duke u mposhtur në aspektin ushtarak, rreziku ideologjik nga islamizmi radikal është duke u përhapur", thotë ministri i Brendshëm i Singaporit, K. Shanmugam. "Trendi është duke shkuar në drejtim të gabueshëm". Beteja ushtarake kundër grupeve ekstremiste islamike në vendet sikur Siria dhe Afganistani, është një betejë e vështirë, por gjithmonë ka qenë e tillë që ka favorizuar SHBA-në dhe aleatët e saj. Fundja, forcat e përgjithshme ushtarake të disa prej qeverive më të fuqishme në botë, janë duke luftuar kundër një bande të vogël të guerilëve. Në anën tjetër, sfida ideologjike nga ISIS, është treguar të jetë shumë më e vështirë. ISIS dhe grupet e ngjashme me të, kanë qenë në gjendje që të përhapnin idetë e tyre, të rekrutojnë njerëzit e rinj, të pakë- naqur dhe të infiltrohen në vende të ndryshme në botë. Vendet perëndimore mbesin të ndjeshme ndaj sulmeve të rastë- sishme të 'ujqërve të vetmuar', por terreni i ri i përshtatshëm për radikalizëm, janë shtetet dikur të moderuara myslimane në Azinë Qendrore, Jugore dhe Juglindore.

Rritja e valës së politikës islamiste

 Merreni shembullin e Indonezisë, vendit mysliman me numrin më të madh të banorëve në botë, e cila për një kohë të gjatë ishte konsideruar prijëse e moderuar. Këtë vit, guvernatori i Xhakartës nuk ia doli që të rizgjedhej, pasi që nga mbështetësit e vijës së ashpër myslimane, ishte pasqyruar si i papërshtatshëm për këtë post, meqë është i krishterë. Edhe më keq, ai më pas ishte burgosur pasi që ishte dënuar për një akuzë të dyshimtë blasfemie. Përpos rritjes së valës së politikës islamiste, presidenti i moderuar i Indonezisë dhe organizatat 'e moderuara' tradicionale islamike, kanë dështuar që të mbrojnë traditat e vendit, që nënkuptojnë multikulturalizmin dhe tolerancën. Apo, merreni rastin e Bangladeshit, një vend tjetër me një të kaluar të theksuar laike, ku jetojnë rreth 150 milionë myslimanë. I themeluar pas ndarjes nga Pakistani, në baza tërësisht jo fetare, kultura dhe politika e Bangladeshit gjatë viteve të fundit janë duke u bërë gjithnjë e më ekstreme. Ateistët, laikët dhe intelektualët janë sulmuar, bile edhe janë vrarë, janë miratuar ligje kundër blasfemisë dhe disa sulme terroriste kanë lënë me qindra të vdekur. Pse është duke ndodhur një gjë e tillë? Ka shumë shpjegime. Varfëria, problemet ekonomike dhe ndryshimi, shkaktojnë rritje të ankthit. "Njerëzit janë të neveritur nga korrupsioni dhe jokompetenca e politikanëve. Ata lehtë mashtrohen nga ideja se islamizmi është përgjigjja, edhe pse nuk e dinë se çka dmth kjo", më ka thënë një politikan nga Singapori. Dhe, më pas, liderët lokalë bëjnë aleanca me klerikët dhe dalin me platforma për ekstremistët, krejt kjo në kërkim të votave të lehta. Kjo ka ndikuar në ushqyerjen e një kanceri të ekstremizmit islamik.

Reformat religjioze

 Në Azinë Juglindore, gati të gjithë vëzhguesit me të cilët kam biseduar, besojnë se ekziston edhe një shkaktar tjetër esencial - paratë e eksportuara dhe ideologjia nga Lindja e Mesme, kryesisht nga Arabia Saudite. Një zyrtar i Singaporit më ka thënë tash vonë: Udhëto nëpër Azi dhe do të shohësh se sa shumë xhami dhe medrese janë ndërtuar gjatë 30 vjetëve të fundit, me financim nga Gjiri. Këto ndërtesa janë moderne, me klimë, mirë të pajisura dhe janë Wahhabi-ste [versioni puritan i islamizmit në Arabi)". Tash vonë është raportuar se Arabia planifikon që të kontribuojë me rreth 1 miliard dollarë, për ndërtimin e 560 xhamive në Bangladesh. Qeveria e Arabisë saudite e ka mohuar një gjë të tillë, por burimet në Bangladesh më thonë se ka diçka të vërtetë këtu. Si të kthehet ky trend në anën tjetër. Eksperti nga Singapori, Shanmugam, thotë se numri i përgjithshëm i banorëve të këtij qyteti-shtet ( ku 15% janë myslimanë) ka qëndruar i moderuar meqë shteti dhe shoqëria punojnë shumë në lidhje me integrimin. "Kemi zero tolerancë ndaj të gjitha llojeve të militantizmit, por po ashtu mundohemi që myslimanët të mos ndihen të margjinalizuar", thotë ai. Singapori vazhdimisht merr vlerësime të larta globale për transparencë, nivele të ulëta të korrupsionit dhe për sundim të ligjit. Ekonomia e tij ofron mundësi për shumicën. Azia vazhdon që të ngritët, por po ashtu edhe radikalizmi islamik atje. Ky trend mund të kthehet në drejtim të kundërt me anë të një qeverisjeje më të mirë, nga liderët më pak të korruptuar, më kompetentë dhe më të gatshëm që të kundërshtojnë klerikët dhe ekstremistët. Princi i ri i kurorës i Arabisë Saudite, foli javën e kaluar rreth kthimit të mbretërisë së tij kah islamizmi i moderuar. Shumë e kanë vlerësuar këtë deklaratë si strategji të marrëdhënieve me publikun, duke përmendur dominimin e establishmentit ultra ortodoks fetar. Një qasje më e mirë do të ishte që të inkurajohej princi i kurorës, që të mbahet përgjegjës për fjalët e tij dhe që të nxitej ai të kalonte nga fjalët në vepra. Ky është çmimi. Nëse Arabia saudite do të fillonte me reforma religjioze në vend, atëherë kjo do të ishte një fitore shumë më e madhe kundër islamizmit radikal, sesa të gjitha përparimet në fushëbeteja, deri më sot.

(Kosova Sot)

1 orë e 24 minuta më parë