< A e ka kapur Trump Bankën Qendrore Amerikane? - Opinione - Kosova Sot
A e ka kapur Trump Bankėn Qendrore Amerikane?

A e ka kapur Trump Bankėn Qendrore Amerikane?

Shkruan: Joseph E. Stiglitz 

Njëri ndër autorizimet më të rëndësishme të cilitdo president të SHBA-së, nënkupton përzgjedhjen e pjesëtarëve dhe krerëve të agjencive të shumta, të cilat kanë përgjegjësi për implementimin e ligjeve dhe rregullave të vendit dhe, në shumë raste, për ta qeverisur ekonominë. Ndoshta në këtë aspekt nuk ka institucion më të rëndësishëm sesa Banka qendrore. Duke ushtruar këtë autorizim, Donald Trump ka thyer një sjellje të kamotshme, të vjetër gati gjysmë shekulli, e cila nënkuptonte që të riemërohej kryesuesi aktual i Bankës qendrore, pa marrë parasysh përkatësinë partiake, nëse ai ka bërë deri atëherë një punë të mirë. Me gjasë asnjë funksionar nuk ka pasur rezultate më të mira të punës sesa Janet Yellen. Derisa dy paraardhësit e saj të drejtpërdrejtë kishin lënë dukshëm nën hije, duke kërkuar masa të tjera derisa grumbullohej rreziku masiv dhe mashtrimi masiv brenda sektorit financiar, Yellen ia riktheu Bankës qendrore famën e saj. Dora e saj e qetë dhe e balancuar ushqeu një konsensus më të gjerë në Bordin e Bankës qendrore, të karakterizuar nga filozofi të ndryshme ekonomike dhe ajo e udhëhoqi ekonominë drejt një rimëkëmbjeje të ngadalshme në një periudhë kur politika fiskale ishte e kufizuar pa nevojë, derisa republikanët mashtrues rritën rreziqet e deficitit.

Trump përzgjodhi një të moderuar

Thënë të vërtetën, Trump përzgjodhi një të moderuar, derisa ishin të shumtë ata në partinë e tij që anonin kah përzgjedhja e një ekstremisti. Trump, i cili kurrë nuk mërzitet për konfliktet e interesit, ka një aftësi të çuditshme për të përqafuar politika ekonomike, sikur që është shkurtimi i propozuar tatimor, të cilat shkojnë në dobinë e tij personale. Ai kuptoi se një ekstremist do të rriste normat e interesit, gjë që është ankthi i çdo ndërtimtari. Trump theu precedentin edhe në një mënyrë tjetër: përzgjodhi një jo ekonomist. Banka qendrore do të ballafaqohet me sfida të mëdha gjatë pesë vjetëve të ardhshme, derisa të kthehet kah politikat më normale. Normat më të larta të interesit mund të ndikojnë në rritjen e shqetësimeve në treg, derisa çmimet e aseteve t'i nënshtrohen një 'korrigjimi' të konsiderueshëm. Dhe, janë të shumtë ata që presin një rënie tjerët të madhe gjatë pesë viteve të ndryshme, përndryshe ekonomia do të kishte përjetuar një periudhë të paparë deri më tani të një dekade e gjysmë të ekspansionit. Derisa fushëveprimi i Bankës qendrore është zgjeruar dukshëm gjatë dekadës së fundit, normat e ulëta të interesit të Bankës qendrore, si dhe një rritje masive e mundshme e borxhit, nëse Trump ia arrin që ta miratojë shkurtimin tatimor, do të sfidonin edhe ekonomistët më të zottë. Ajo që ka më shumë rëndësi, ka pasur një përpjekje dypartiake dhe globale për ta depolitizuar politikën monetare. Banka qendrore, me anë të kontrolleve të furnizimeve me para, ka një fuqi të madhe ekonomike dhe, në fuqi e tillë lehtë mund të abuzohet për qëllime politike, psh për të krijuar më shumë vende të punës në një kohë të shkurtër. Por, mungesa e besimit te bankat qendrore në një botë ku bankat qendrore mund të prodhojnë para sipas dëshirës, dobëson performancën afatgjate ekonomike, pjesërisht për shkak të frikës nga inflacioni. Edhe në mungesë të politizimit direkt, Banka qendrore përballet me një problem të 'kapjes së vetëdijshme' nga "Wall Street". Kjo ndodhi kur në detyrë ishin Alan Greenspan dhe Ben Bernanke. Të gjithë ne i dimë pasojat: kriza më e madhe në tre çerek shekuj, e zbutur vetëm me anë të një intervenimi masiv qeveritar.

Praktikat mashtruese të Trump-it

Duket se, kushedi si, administrata Trump ka harruar çka ndodhi më pak se një dekadë më parë. Si të shpjegohen ndryshe përpjekjet e saj për të shfuqizuar reformat rregullatore Dodd-Frank të vitit 2010, të përpiluara me qëllim të parandalimit të një gjëje të tillë? Konsensusi përtej "Wall Street"-it është se Dodd-Frank nuk shkoi mjaft larg. Ndërmarrja më e madhe e rrezikut dhe sjellja grabitqare vazhdojnë që të paraqesin probleme reale. Asgjë prej kësaj nuk e shqetëson Trump-in, i cili, si një biznesmen, është i njohur me praktikat mashtruese. Fatmirësisht, duket se Powell njeh rëndësinë e rregullave adekuate financiare. Por, politizimi i Bankës qendrore duhet të shihet vetëm si një pjesë tjetër e betejës së Trump'it kundër atij që dikur strategu i tij kryesor, Steve Bannon, e kishte quajtur "shtet administrativ". Kjo betejë duhet të shihet si pjesë e një lufte më të madhe kundër trashëgimisë iluministe të shkencës, qeverisjes demokratike dhe sundimit të ligjit. Nuk kalojnë shumë ditë, që Trump të mos bëjë ndonjë gjë për të dëmtuar shoqërinë amerikane dhe për ta rritur përçarjen edhe ashtu të thellë sociale dhe partiake. Rreziku real dhe i pranishëm është që vendi është duke u mësuar aq shumë me zemërimet e Trump-it, sa që ato tani duken normale. Për më shumë se shtatë dekada Amerika ka luftuar që t'i rikthente vlerat e saj të përmendura, duke luftuar paragjykimet, fashizmin dhe nativizmin në të gjitha format e tyre. Tani, presidenti i Amerikës është urrejtës i femrave, një ksenofob racist, politikat e të cilit manifestojnë një shpërfillje ndaj të drejtave të njeriut. Dikush mund të pranojë, apo mos pranojë propozimet tatimore të republikanëve, përpjekjet për ta reformuar kujdesin shëndetësor dhe përkushtimin për derregullim financiar. Por, derisa Banka qendrore mund të jetë e sigurt tani për tani, të gjitha përfitimet ekonomike që mund të dalin nga kjo agjendë, do të jenë të zbehta krahasuar me shkallën e rreziqeve sociale dhe politike, që del nga sulmet e Trump-it kundër institucioneve dhe vlerave më të çmueshme të Amerikës.

(Joseph E. Stiglitz është laureat i Nobelit për ekonomi dhe profesor në Universitetin "Columbia")
Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)

8 orë e 14 minuta më parë