< Si u bë Uzbekistani truall i përshtatshëm për rekrutim nga ISIS-i? - Opinione - Kosova Sot
Si u bė Uzbekistani truall i pėrshtatshėm pėr rekrutim nga ISIS-i?

Si u bė Uzbekistani truall i pėrshtatshėm pėr rekrutim nga ISIS-i?

Shkruan: Sajjan Gohel

Derisa zyrtarët amerikanë të kundërterrorizmit janë duke analizuar planin që kishte qëndruar prapa sulmit terrorist të së martës në Menhetën dhe rreth lidhjeve të mundshme midis dorasit uzbek dhe ISIS-it, vëmendja është përqendruar te roli që Uzbekistani dhe Azia Qendrore kanë luajtur si baza rekrutimi dhe vende për lansimin e grupeve terroriste transnacionale. Sulmi në Menhetën nuk është unik në aspektin e taktikës së shndërrimit të një automjeti në armë vrastare, por nuk është unik as për faktin që një shtetas uzbek të ishte përfshirë në një sulm të madh terrorist në vitin 2017. Në fakt, kjo tragjedi nuk është një pikënisje origjinale, por një vazhdim i sulmeve të mëparshme në aspektin e nivelit, qëllimit dhe regjionit nga ku vinte vrasësi. Pesë ish-republika sovjetike - Uzbekistani, Kazakistani, Turkmenia, Taxhikistani dhe Kirgizia - konsiderohen si zona të fuqishme të rekrutimit për ISIS-in. Vlerësohet se rreth 5,000 luftëtarë nga Azia qendrore kanë shkuar në Irak dhe Siri, me rreth 1,500 sish nga Uzbekistani. Përgjatë një periudhe prej 16 muajsh, shtetasit uzbekë të frymëzuar, drejtuar, apo anëtarësuar në ISIS, kanë bërë sulme të shumta masive në Perëndim.

Sukseset e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it

 Në prill, Rakhmat Akilov, një shtetas uzbek që nuk kishte marrë të drejtën për azil, kishte shkelur me kamion kalimtarët në Stokholm, duke vrarë katër njerëz. Më 1 janar, 39 njerëz u vranë dhe 70 u plagosën në një sulm në një klub nate në Stamboll, ku me qindra njerëz ishin duke festuar Vitin e ri. Kryesi i veprës ishte Abdulgadir Masharipov, një shtetas uzbek, i cili më pas u zu. Në shtëpinë e tij u gjetën dy revole, disa kartela SIM, si dhe një sasi e konsiderueshme e dollarëve. Në qershor të vitit 2016, 45 njerëz u vranë dhe më shumë se 230 të tjerë u plagosën në një sulm të koordinuar në Aeroportin "Atatürk" në Stamboll. Sulmuesit ishin nga regjioni verior rus i Kaukazit, nga Uzbekistani dhe Kirgizia. Nuk janë të gjithë luftëtarët e ISIS-it nga Azia qendrore thjesht, mish për top - disa prej tyre kanë pasur poste të larta brenda infrastrukturës terroriste. Koloneli Gulmurod Ghalimov nga Taxhikistani ishte bërë njëri ndër zyrtarët më të lartë të ISIS-it nga regjioni. Më parë, ai ishte kreu i një njësiti policor taxhik, por kishte dezertuar duke shkuar në ISIS, në vitin 2015. Ghalimov ka luajtur një rol instrumental në rekrutimin e taxhikëve dhe të luftëtarëve të tjerë të huaj nga Azia qendrore, për t'iu bashkuar më pas ISISit. Sukseset e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it, si dhe puna në terren nga ushtria irakiane dhe luftëtarët kurdë në Irak dhe Siri, kanë çuar deri te kapja, apo vrasja e disa luftëtarëve nga Azia qendrore. Ata që kanë mbijetuar dhe kanë ikur nga beteja, mendohet ose të jenë kthyer në atdheun e tyre, përmes Turqisë, apo kanë tentuar që të shkonin në Evropë. Meshkujt nga Azia qendrore nuk kanë qenë kontribuuesit e vetëm të ISIS-it. Brigada Al-Khansaa - divizioni femëror i formuar nga ish- themeluesi i ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi - po ashtu përmbante gra uzbeke, taxhike, kirgize dhe kazake. Përdorimi gjithnjë e më i madh i fëmijëve nga Azia qendrore, si sulmues vetëvrasës me bomba, është bërë një trend shqetësues i përdorur nga ISIS. Në nëntor të vitit 2016, ISIS publikoi një video ku shiheshin katër fëmijë duke shtënë dhe duke vrarë të burgosurit irakianë dhe kurdë. Njëri prej tyre ishte djalë 10 vjeç nga Uzbekistani. Një tjetër ishte nga Kazakistani. Fëmijët në video ishin të veshur me uniforma ushtarake, derisa të burgosurit me kostume të portokallta. Edhe grupe të tjera terroriste kanë përdorë fëmijët nga Azia qendrore në materialet e tyre propagandistike. Rënia e kalifatit të ISIS-it ka ndikuar në lëvizjen e luftë- tarëve në dhe nga Azia qendrore, sidomos Uzbekistani. Si pasojë, 'momentumi' i atyre që largohen për të shkuar në frontet e luftës në Siri dhe Irak, nga Azia Qendrore, ka rënë ndjeshëm. Por, rekrutimi me anë të mesazheve të koduara dhe 'uebit të errët' është duke vazhduar, apo edhe duke shënuar rritje, sidomos në mesin e uzbekëve që gjenden në Evropë dhe Amerikën veriore. Për këtë qëllim, ISIS themeloi "Istok", një revistë në gjuhën ruse, dedikuar kryesisht aziatikëve qendrorë, ku paraqiten njerëzit nga regjioni që i janë bashkuar ISISit. ISIS po ashtu është duke përdorë edhe "Furat Media", një media sociale në gjuhën ruse, për ta zgjeruar boshtin e tij në Azinë qendrore.

Sulmet që kushtojnë pak

 Aparati i inteligjencës i ISIS-it, "Emni", po ashtu kryen rolin e rekrutuesve për Azinë qendrore, qoftë me anë të rrjeteve fizike, apo virtuale. Ata kryesisht targetojnë të varfrit dhe regjionet e pazhvilluara. Reagimet e qeverisë ndaj radikalizimit në Azinë qendrore, ka qenë shpesh paradoksal dhe jo efikas. Në Uzbekistan, dështimi i qeverisë autoritare për të bërë reforma, bashkë me qasjen e saj të ashpër ndaj sigurisë, kanë shkuar për shtati me qëllimet e grupeve terroriste sikur ISIS dhe Lëvizja islamike e Uzbekistanit (IMU). Më 30 tetor, ISIS publikoi disa porosi, në disa gjuhë, ku apelonte për kryerjen e sulmeve gjatë festës së Hallouinit. Pa marrë parasysh a do të konstatohet se ky grup terrorist kishte ndihmuar kryerjen e sulmit në Menhetën, ai incident përshtatet me strategjinë më të gjerë të ISIS-it dhe me mesazhet e tij ndaj Perëndimit: rënia e Rakas mund të rezultojë me shkatërrimin fizik të kalifatit, por kalifati virtual do të jetojë dhe do të zgjerohet. Me të vërtetë, gjatë vitit të kaluar ISIS ia kishte dalë që të krijonte një kuadër të ri të xhihadistëve, të përgatitur për të luftuar kundër Perëndimit pas një kohe të shkurtër nga dhënia e urdhrit, duke përdorë sulme që kushtojnë pak dhe që nuk përdorin ndonjë teknologji të lartë, por që janë të intensitetit të lartë. Rekrutimi i uzbekëve nga Azia Qendrore luan një rol të rëndë- sishëm në këtë. Aftësia e ISIS'it për të zgjeruar degët e veta brenda sferës së tij të ndikimit në Azinë qendrore, pjesërisht varet nga raporti i tij me bashkëpunëtorët. Në janar të vitit 2015, ISIS themeloi një degë në Afganistan, Vilajeti i Korasanit, i cili ka marrë territore si nga qeveria afgane, po ashtu edhe nga "Quetta Shura Taliban". ISIS ka pasur edhe humbje në këtë drejtim. Në vitin 2014, Lëvizja islamike e Uzbekistanit u largua nga Al Kaida, për ta shpallur mbështetjen e tij ndaj ISIS-it, por dy vjet më vonë, disa prej atyre që i kanë shprehur besnikërinë ISIS-it, janë kthyer përsëri te Al Kaida. Derisa territori fizik i ISIS-it vazhdon që të tkurret, një vëmendje e madhe duhet t'i kushtohet Azisë Qendrore. Duke e injoruar problemin, vetëm krijohet potenciali që regjioni të përdoret si truall për rekrutim, trajnim dhe planifikim të sulmeve terroriste në tërë botën. Historia ka një mënyrë shqetësuese për ta përsëritur vetveten.

 (Sajjan Gohel është drejtor i sigurisë ndërkombëtarenë Fondacionin "Asia-Pacific")

(Kosova Sot)

8 orë e 32 minuta më parë