Vazhdon haraçi qeveritar ndaj mërgimtarëve

Vazhdon haraçi qeveritar ndaj mërgimtarëve
  • 29 July 2015 - 08:09

Shkruan: Florim Zeqa

Vijnë me gëzim, kthehen të zhgënjyer

Çmimet, më të larta se në vendet nga vijnë

Qeveritarëve të pangopshëm kosovarë sikur nuk po u mjaftojnë qindra miliona euro të mërgimtarëve të hyra për çdo vit në Kosovë, por po "shpikin" mënyra të reja për plaçkitjen e tyre

Çdo vit, në muajt korrik-gusht, numër i madh i bashkatdhetarëve që jetojnë në Diasporë kthehen në vendlindje, për t'i kaluar pushimet me familjet e tyre, vizitojnë të afërmit, miqtë dhe farefisin e gjerë, përkujdesën për fëmijët e tyre, që përveç njohjes me bukuritë e atdheut, të përvetësojnë gjuhën shqipe, të mësojnë për rrënjët e etërve të tyre, me shpresën se një ditë do të bëhet mirë në vendin e lindjes, për t'u kthyer qoftë edhe në moshën e pleqërisë për të kaluar ditët, javët, muajt dhe vitet e fundit të jetës në vatrat e tyre stërgjyshore.

Mirëseardhje bashkatdhetarëve me çmime të larta

 

Në këto ditë verore ngado që shkojnë bashkatdhetarët hasin në pankarta gjigante "Mirë se vini bashkatdhetarë". Bashkatdhetarët janë të mirëseardhur në të gjitha ofiqaritë dhe zyrat e regjistrimit civil. Haraçi qeveritar në emër të përshpejtimit të dokumenteve të udhëtimit për fat të keq prapë po vazhdon!

Sigurisht së është një ndjenjë e mirë për të gjithë bashkatdhetarët, me të hyrë në shtetin e tyre kur hasin në mirëseardhje të pankartave gjigante më mbishkrimin: "Mirë së vini në Republikën e Kosovës", mirëpo vetëm pak metra më tutje e përjetojnë "mirëseardhjen" (zhgënjimin) e parë me "sigurimin" e policave të automjeteve të tyre.

Me të hyrë në brendi të territorit të Republikës së Kosovës, në kilometrat e parë, bashkatdhetarët i hasin pankartat e tjera gjigante në hyrje të supermarketeve më mbishkrimin tjetër: "Mirë së vini bashkatdhetarë".

Ngase edhe këtë vit, sikurse viteve të mëparshme, tregtarët dhe biznesmenët iu gëzuan pa masë ardhjes së bashkatdhetarëve në vendlindje. Për "mirëseardhjen" e tyre kanë  përgatitur super çmime, më të larta së në vendet perëndimore. Ndoshta ketë e kanë bërë që bashkatdhetarët që të mos e vërejnë dallimin e madh nga vendet e pasura, kur vijnë në Kosovën e varfër.

Po ashtu, edhe zyrtarët komunalë "kujdesën" për shërbime cilësore e të shpejta për bashkatdhetarët e tyre, ku varësisht prej kërkesave i rrisin edhe ofertat; 5-20 euro për një certifikatë (varësisht prej llojit), 50-100 euro për përshpejtim të procedurave të nxjerrjes së letërnjoftimeve dhe pasaportave digjitale, duke mos përfshirë në këto shuma drekat e darkat në këmbim të nxjerrjes së dokumenteve me vulën e Republikës së Kosovës.

Ata mërgimtarë që nuk pranojnë t'u nënshtrohen procedurave të përshpejtimit të nxjerrjes së dokumenteve u ofrohet Margarina si "ilaç" për trashjen e gjurmëve të gishtërinjve derisa t'u skadojnë biletat e fluturimeve!!!

Kjo është "mirëseardhja" dhe "përcjellja" e mërgimtarëve që nuk i pranojnë rregullat e pushtetit ( haraçit qeveritar).

Qeveritarëve të pangopshëm kosovarë, sikur nuk po u mjaftojnë qindra miliona euro të mërgimtarëve të hyra për çdo vit në Kosovë, por po "shpikin" mënyra të reja për plaçkitjen e tyre.

Pas përgjysmimit të plaçkës mbi policat e automjeteve në kufi, qeveritarët sikur e kanë gjetur mënyrën tjetër (më të shëmtuar) për plaçkitjen e mërgimtarëve përmes "tatimit në pronë", për shtëpitë e ndërtuara viteve të fundit, qofshin ato të banuara apo të pabanuara,...pa dallime qyteti apo fshati.

Nxjerrja e dokumenteve të udhëtimit 

Caktimi i tatimeve të larta për shtëpitë e porsandërtuara të bashkatdhetarëve jo vetëm që është skandaloze, është antihumane edhe antikombëtare.

Kudo në vendet perëndimore, objektet që janë të pa shfrytëzuara lirohen nga tatimi, ndërsa tek ne, për bashkatdhetarët që vijnë një here në vit (për vetëm 2-3 javë) të çmallen në vatrat e tyre, u caktohen tatime (gjoba)të larta varësisht prej madhësisë, lartësisë dhe modelit të shtëpive. 

Për realizimin e kësaj gjobe, qeveritarët pagesën e tatimit në pronë e kanë kushtëzuar me nxjerrjen e dokumenteve të udhëtimit (pasaportave).

Pra, ky ishte produkti i pankartave gjigante "Mirë së vini bashkatdhetarë", që i përkthyer në gjuhën e mërgimtarëve të plaçkitur i bie: "Po vjen cjapi të kasapi". Kështu jemi bërë ne bashkatdhetarët që vijmë të çmallemi më vendlindjen, diku më pak e diku më shumë për ditë rrjepemi nga qeveria për "shërbimet" që na i ofron ky gjysmë-shtet!

Ky nuk është tatim, por është plaçkitje ordinere bashkë me plaçkitjet e sipërpërmendura përmes të cilave qeveria aktuale (e kaluar) ka shkaktuar hidhërim dhe thyerje të mëdha shpirtërore tek bashkatdhetarët.

Një shtëpi e ndërtuar nga një bashkatdhetarë në Kosovë, është një mbjellje e shpresës për kthim në vendlindje, është një ringjallje shpirtërore, është fillim i realizimit të një ëndrre të gjatë për kthim në vendlindje.

Është tepër e dhimbshme kur dëgjon një bashkatdhetarë tëndin të dëshpëruar me pritjen në Kosovë të thotë: "Që sa vite nuk isha në Kosovë, por edhe në mos u kthefsha më kurrë, malli s'më merr për ketë vend".

Qoftë ky dëshpërim edhe i vetëm një bashkatdhetari duhet të jetë shqetësim për pushtetarët aktualë, t'i vënë gishtin kokës e të mendojnë. Të jenë të vëmendshëm nga mallkimi i mërgimtarëve, sa më i madh të jetë mallkimi i tyre aq më i rëndë do të jetë ndëshkimi për ta nga i madhi Zot.

Kush më tepër së bashkatdhetarët ka kontribuar për lirinë e këtij vendi, si me mjete financiare ashtu edhe më gjakun e derdhur në vijat e frontit për çlirimin e Kosovës. Andaj, respekti e kujdesi ndaj mërgimtarëve është amanet i gjakut të dëshmorëve.

Nëse nuk vjen deri te ndërrimi i pushtetit, një Zot e di vitin tjetër çka do t'u servohet mërgimtarëve në këmbim të rregullimit të dokumentacionit!