Ja pse do të funksionojë marrëveshja me Greqinë

Ja pse do të funksionojë marrëveshja me Greqinë
  • 29 July 2015 - 08:20

Shkruan: Anatole Kaletsky

Kriza me borxhet

Asnjëherë nuk është folur nëse valuta e përbashkët do të shpërbëhej

Në bazë të shumicës së komentuesve politikë dhe ekonomikë, asistenca e fundit financiare për Greqinë ka qenë pak më shumë sesa një qetësues. Ky qetësues do ta largojë dhimbjen për një periudhë të shkurtër, mirëpo problemi i thellë i euros do të përhapet

Tani që bankat në Greqi janë rihapur dhe qeveria i ka caktuar datat për pagesa ndaj Bankave Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, shumë njerëz mendojnë që eksperienca pranë vdekjes e Greqisë ka shënuar fundin e krizës në Greqi. Mirëpo, një gjë e tillë është e qartë që nuk është e vërtetë.

Në bazë të shumicës së komentuesve politikë dhe ekonomikë, asistenca e fundit financiare për Greqinë ka qenë pak më shumë sesa një qetësues. Ky qetësues do ta largojë dhimbjen për një periudhë të shkurtër, mirëpo problemi i thellë i euros do të përhapet, me një prognozë negative për valutën e përbashkët dhe Bashkimin Evropian në tërësi.

Mirëpo, kjo urtësi konvencionale, me shumë gjasë, do të dalë të jetë e gabuar. Marrëveshja në mes të Greqisë dhe autoriteteve evropiane është e mirë për të dyja palët. Në vend të shënimit të fillimit të një faze të re të krizës së euros, marrëveshja mund të kujtohet si kulmim i serive të gjata të kompromiseve politike që, nëpërmjet përmirësimit të gabimeve në dizajnimin e euros, ka krijuar kushte për rimëkëmbjen ekonomike në Evropë.

Për ta shprehur optimizmin për marrëveshjen greke nuk do të thotë se po e harrojmë arrogancën e ish-ministrit të financave në Greqi, Yanis Varoufakis, apo justifikimet e kota të ministrit gjerman të financave, Wolfgang Schäuble. Për më tepër, nuk duhet mohuar as kritikat ekonomike të prezantuara nga Joseph Stiglitz dhe konservatori, Hans-Werner Sinn.

Adaptimi i valutës së përbashkët

Argumentet kundër krijimit të valutës së përbashkët evropiane e më pas lejimit të Greqisë për ta gjetur rrugën drejt anëtarësisë kanë qenë valide në vitet e 1990-a, e, në teori, ekzistojnë edhe sot e kësaj dite. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që shpërbërja e euros do të ishte e dëshirueshme, apo e tolerueshme. Pranimi i euros ka qenë shkatërruese për Greqinë, mirëpo, siç kishte thënë Adam Smith-i para 250 vjetësh, kur kolonitë amerikane po e kërcënonin gjendjen financiare të Britanisë, gjithmonë ekziston mundësia e shkatërrimit brenda një kombi.

Virtyti i madh i kapitalizmit është që i përshtatet kushteve shkatërruese dhe madje gjen rrugë për përshtatjen e tyre. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, kanë qenë shumë pak të përshtatshme për adaptimin e valutës së përbashkët dhe strukturës së përbashkët ekonomike, siç është evidentuar edhe në Luftën Civile, që ishte provokuar nga tensionet e shkaktuara nga valuta e përbashkët aq sa nga skllavëria. Italia, me shumë gjasë, do të kishte qenë shumë më mirë sot, sikur Garibaldi të mos e kishte pranuar unifikimin.

Mirëpo, pasi unifikimi të jetë bërë, dhimbja e çmontimit politik dhe ekonomik shpeshherë është më e madhe sesa përfitimet që merren nga ndarja. Ky duket të jetë rasti me Evropën, pasi që shumica e votuesve, në shumë shtete evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Greqinë, po e thonë pikërisht këtë gjë.

Atëherë, çështja kurrë nuk ka qenë nëse valuta e përbashkët do të shpërbëhej, mirëpo çfarë masash politike do të ndërmerreshin për ta mbajtur atë të bashkuar. Lajmi i mirë është që Evropa tani ka disa përgjigje për këtë.

Në fakt, Evropa e ka tejkaluar atë që mund të konsiderohet si ‘mëkati origjinal’ i projektit të valutës së përbashkët: ndalesa e Traktatit të Mastrihut për dhënien e financimeve monetare për qeveritë në deficit nga ana e BQE-së. Në janar, presidenti i BQE-së, Mario Draghi, i kishte anashkaluar pengesat duke lansuar një program të lehtësimeve në masë, që do t’i financojë të gjitha deficitet e qeverive të Eurozonës (përfshirë këtu edhe Greqinë).

Për më tepër, qeveritë evropiane së fundmi e kanë kuptuar principin më bazik të financave publike. Borxhet qeveritare kurrë nuk kanë pse të kthehen, pasi që ato mund të shtyhen në një mënyrë bashkëpunuese apo edhe mund të blihen nëpërmjet parave të reja, që lëshohen nga bankat e besueshme.

Mirëpo, në mënyrë që një gjë e tillë të jetë e mundshme, pagesat e interesave gjithmonë duhet të bëhen në kohë dhe paprekshmëria e marrëveshjeve të borxhit gjithmonë duhet të bëhet e qartë në premtimet elektorale. Tani që qeveria e kryeministrit Alexis Tsipras është detyruar ta pranojë që borxhi ka prioritet mbi gjërat tjera, kjo qeveri mund të përfitojë nga mbështetja e palimituar monetare e BQE-së. Greqia duhet të ketë probleme të vogla në lidhje me mbështetjen e ngarkesës së vetë të borxheve, pasi që, kjo ngarkesë, nuk është më e rëndë sesa ajo e Japonisë apo Italisë.

Përulja radikale ndaj politikanëve dhe votuesve grekë

Përfundimisht, Gjermania, Spanja, Italia dhe disa shtetet të Evropës veriore kanë kërkuar, për arsye të brendshme politike, një përulje radikale ndaj politikanëve dhe votuesve grekë, të cilët i kanë kundërshtuar haptas kërkesat e institucioneve të BE-së. Pasi që e kanë arritur këtë, liderët e BE-së nuk kanë arsye që të imponojnë masa më të rënda shtrënguese mbi Greqinë apo t’i ndryshojnë kushtet e asistencës së fundit sociale. Për më tepër, ata i kanë të gjitha premisat për t’u mburrur me suksesin e ‘dashurisë së tyre të fortë’, që, nëpërmjet çlirimit të ashpërsisë, kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik.

Kjo e ngrit një tjetër çështje, për të cilën qeveria e Tsipras-it dhe shumë tjerë e kanë keqkuptuar gjatë krizës në Greqi: roli i hipokrizisë konstruktive në ekonominë politike të Evropës. Dallimet në mes të deklaratave publike dhe qëllimeve private hapen në të gjitha sistemet politike, mirëpo ato bëhen shumë komplekse në struktura multi-kombëtare, si puna e BE-së. Në letër, asistenca financiare për Greqinë do ta imponojë një shtrëngim fiskal, mirëpo, në praktikë, caqet e buxhetit do të lejohet të rrëshqasin, nëse konsiderojmë që qeveria do t’i realizojë premtimet në fushën e privatizimit, tregjeve punëtore dhe reformave të pensioneve.

Këto reforma strukturore janë shumë më të rëndësishme sesa caqet fiskale, edhe në aspektin simbolik, për pjesën tjetër të Evropës edhe në aspektin ekonomik, për Greqinë. Për më tepër, rritja e mbështetjes monetare nga ana e BQE-së për Greqinë do ta përmirësojë transformimin financiar: ratat e interesit do të rriten, bankat do të rikapitalizohen dhe krediti privat gradualisht do të bëhet i gatshëm për herë të parë pas vitit 2010. Nëse caqet e buxhetit do të detyroheshin nga monitoruesve financiarë, që nuk duket e mundshme, ky përmirësim i kushteve për huadhënësit privatë, mund të kompensohet nga një shtrëngim modest i politikave fiskale.

Me pak fjalë, kushtet kryesore tanimë duket të jenë plotësuar, duke i hapur rrugë një rimëkëmbje të qëndrueshme të Greqisë. Urtësia konvencionale në mesin e ekonomistëve dhe investitorëve ka një histori të gjatë të dështimit për t’i vërejtur momentet e rëndësishme të kthimit. Andaj, bindja, pothuajse globale, që Greqia po ballafaqohet me një depresion permanent, nuk është arsye për t’u dëshpëruar.

Anatole Kaletsky është drejtor në Institutin për Mendim të Ri në Fushën e Ekonomisë.

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”