< Vendi ku Lufta e Ftohtë kurrë nuk ka marrë fund - Opinione - Kosova Sot
Vendi ku Lufta e Ftohtė kurrė nuk ka marrė fund

Vendi ku Lufta e Ftohtė kurrė nuk ka marrė fund

Shkruan: Eri Hotta

Përkundër tërë debatit rreth asaj se a paraqet ftohja e marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Rusisë një Luftë të re, të ftohtë, maratona e re e presidentit Trump në pesë shtete, me kohëzgjatje 13 ditë, është dashur që ta bëjë të qartë një gjë: Në njërën pjesë të botës, të paktën, Lufta e Ftohtë kurrë në fakt nuk ka marrë fund. Në njëfarë mënyre, ndjenja se kemi ngecur në kohë, është e përshtatshme. Në fund të fundit, shumë kohë para ndalesës së tij në Tokio, për t'u takuar me kryeministrin japonez Shinzo Abe, Trump kishte ringjallur muhabetin e vjetër, rreth praktikave gjoja jo të drejta tregtare të Japonisë. Në fakt, duke shikuar prapa, nga një perspektivë japoneze, njëri ndër momentet më ngatërruese të kampanjës presidenciale të Trump-it ishte ringjallja e kritikave ndaj Japonisë, rreth pozitës kohëshkurtër të Japonisë si superfuqi ekonomike gjatë viteve 1980. Gjatë kampanjës, Trump kishte akuzuar Japoninë se kishte përfituar në mënyrë jo të drejtë nga aleanca e sigurisë midis SHBA-së dhe Japonisë dhe kishte deklaruar se kjo nuk ishte marrëveshje e drejtë. Duke e paraqitur Japoninë si kërcënim të vazhdueshëm për interesat kombëtare të SHBA-së, kandidati Trump dukej tepër anakronik. Duke e shikuar atë në vitin 2016, shumë japonezë nuk mund të mos vërenin se Trump kishte ngecur në kohë. Fundja, pse duhet të kemi frikë nga Japonia, e cila gjatë dekadave të fundit ka pasur vetëm ngecje?

Rreziku që vjen nga Koreja Veriore

Por, përkundër kësaj, udhëtimi i presidentit Trump e bën më se të qartë se, përkundër rënies së Murit të Berlinit, çarmatosjes bërthamore dhe dezintegrimin e perandorisë sovjetike, Lufta e fundit kurrë nuk ka marrë fund në Azinë lindore. Në vend të kësaj, derisa pjesëmarrësit mund të kenë ndryshuar, konceptet e Luftës së Ftohtë të përmbajtjes bërthamore dhe balancimit të forcave, vazhdojnë që të mbesin parimet qendrore në bazë të të cilëve presidenti amerikan dhe liderët e Azisë Lindore, janë duke zhvilluar diplomacinë e tyre sot. Në fakt, kjo nuk është befasuese kur të kihet parasysh se në Azinë Lindore gjenden dy regjimet e fundit komuniste në botë: Kina dhe Koreja Veriore. Se Perëndimi, në fakt, nuk ka 'fituar', mbetet një fakt i cili tepër lehtë lihet anash, meqë Kina është tepër e ngatërruar me interesat ekonomike të Perëndimit. Vetëm kur ndonjë rrezik serioz i sigurisë e len nën hije agjendën ekonomike, arrijmë që të kuptojmë se sa e rrezikshme është situata. Fjalët dhe veprat e Kim Jong Unit na rikujtojnë neve në Perëndim, si dhe në demokracitë liberale të Azisë lindore, për këtë fakt të thjeshtë. Në fakt, përkundër disa shqetësimeve të vogla rreth praktikave tregtare japoneze, është e qartë se rreziku që vjen nga Koreja veriore, është shqetësimi i vërtetë i Trump-it, gjë që ka gjasa t'ia bëjë atij të mundur anashkalimin e frustrimeve rreth çështjeve tjera. Nuk ka dyshim se kjo do të ndihmohet nga një vlerësim gjithnjë e më i madh i aleancës me Japoninë, nga ana e Trump-it. Abe, me ndihmën e Ministrisë japoneze për Punë të Jashtme, e ka bërë të qartë se presidenti i ri amerikan, sikur edhe të tjerët para tij, e kuptojnë rëndësinë e aleancës midis SHBA-së dhe Japonisë në Azinë Lindore, si kështjellë të sigurisë regjionale. Në ndërkohë, Abe - lideri i parë i huaj që kishte takuar Trump-in pas zgjedhjes së tij - ia ka dërguar Trump-it një mesazh besnik dhe konsistent, të simbolizuar nga kapela e bejsbollit të dhuruar presidentit para se dy liderët të takoheshin për një lojë golfi në Saitama këtë fundjavë. Në kapelë shkruante: "Donald & Shinzo: Bëjnë Aleancën edhe më madhështore".

Brendi i ultranacionalizmit

Ndoshta është e natyrshme që qoftë edhe një kritikues i Japonisë, sikur presidenti Trump, të dorëzohet para lajkave të tilla diplomatike dhe, të bëhet në fakt një adhurues i Japonisë. Hapja e dhunshme e Japonisë nga kapiteni i parë amerikan Perry, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, sulmi japonez kundër flotës amerikane në Perl Harbor, si dhe mposhtja e Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, që u pasua nga okupimi i këtij vendi nga Aleatët, kishte dhënë elemente për një fillim jo të mirë. Por, në periudhën e pas Luftës së dytë botërore, raportet midis SHBA-së dhe Japonisë, në tërësi, kanë qenë të mira. Dhe tani, kur duket se Trump ka filluar të kuptojë se çka i lidhë këto dy vende në këtë Luftë të Ftohtë të Azisë Lindore, duket se dyshimet e tij të vjetra nga vitet 1980 do të avullohen. Kështu, duket se për Japoninë nuk do të ndryshojë asgjë në këtë drejtim, vazhdimi i status kuosë të Luftës së Ftohtë ia lejon këtij vendi rendin e vjetër, duke përfshirë edhe vazhdimin e dekadave të sundimit thuajse të pandërprerë nga Partia liberale demokratike. Dallimi i vetëm mund të vijë në formë të një politike më të ashpër, të jashtme, nën Abe, brendi i ultranacionalizmit të të cilit promovon aspektet konservatore të institucionit perandorak, të cilat vet perandori mund të mos dojë t'i ringjallë. Në fund, një aleancë edhe më e madhe, apo më e ngushtë midis SHBA-së dhe Japonisë, është testament për realitetin se fundi i Luftës së Ftohtë është ende larg. Derisa Trump ndërmerr hapin tjetër të udhëtimit të tij në Azi, duke shkuar në Korenë jugore, drama e Luftës së Ftohtë në Azinë Lindore do të vazhdojë, të paktën tani për tani, me pjesë- marrës edhe më bizarë. (Eri Hotta është autore e librit "Japan 1941: Countdown to Infamy")

 (Kosova Sot)

15 orë e 16 minuta më parë