< Krimi dhe tribalizmi politik në Shqipëri dhe në Kosovë - Opinione - Kosova Sot
Krimi dhe tribalizmi politik nė Shqipėri dhe nė Kosovė

Krimi dhe tribalizmi politik nė Shqipėri dhe nė Kosovė

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Shqipëria është si gjithnjë, edhe tani, sot, në fokusin dhe në vëmendjen e ndërkombëtare me atë se çfarë po ndodh këtu, ku po rrezikohet të dështojnë edhe dekriminalizimi i politikës, edhe VETTING-u. Rasti është çështja e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri, të cilin njëra palë politike, opozita (PD), e sulmon ashpër dhe pala tjetër (PS) në pushtet e mbron, pra të dyja politikat e njëjta gjë, PD e PS, kanë marrë rolin edhe të gjyqtarit, prokurorit dhe të avokatit , duke e nxjerrë jashtë loje drejtësinë, por që edhe te kjo farë Drejtësie e cila është akoma pronë e PD-së, te këta prokurorë jo se ka ndokush besim tek ata, pasi pothuajse të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë janë ata të cilët i kanë ato poste krejtësisht si meritë dhe si shërbëtorë e avokatë të politikës, të bandave politike, dhe të korrupsionit ashtu sikurse është edhe drejtësia në Kosovë. Këtë sistem drejtësie me këta gjyqtarë dhe prokurorë e ngriti regjimi i PD me Sali Berishën për ta përdorur politikisht drejtësinë në shërbim të pushtetit të tij. Shumica e shqiptarëve janë mosbesues ndaj kësaj drejtësie, pasi shumë e shumë dhe për të mos thënë se të gjitha dosjet e politikanëve dhe e 'peshkaqenëve të mëdhenj' të krimit janë mbyllur, si ajo e abuzimit me paranë publike, rreth 250 milionë euro për "Rrugën së Kombit", ajo e Marrëveshjes me Greqinë për ujërat territoriale ku ish-Qeveria shqiptare i dhuroi Greqisë 350 km2 dhe autorët kanë marrë pafajësinë. Pra këto dhe shumë e shumë shembuj si këto kanë krijuar një opinion tejet negativ dhe janë bërë tashmë të pabesueshëm gjyqtarët dhe prokurorët aktualë, aq sa me të drejtë kreu i EURALIUS-it në Tiranë pati deklaruar se zgjidhja më e mirë do të ishte sikur të largoheshin nga drejtësia të 400 prokurorët dhe të 400 gjyqtarët aktualë të Shqipërisë. Këtu vlen të theksohet fakti shembullor i politiko-krimotribalizmit edhe në drejtësi i kryeprokurorit Llalla, i cili ka mbyllur mbi 20 dosjet më skandaloze të ministrave dhe ish-ministrave politikë, dosje administratorësh dhe drejtorësh drejtorish të rëndësishme, të Avokaturës së Shtetit, të Guvernatorit të Bankës etj. Ky fakt e venit dhe e skarcitetizon seriozitetin dhe besueshmërinë e Prokurorisë së tij ndaj ish-ministrit Tahiri, por që në asnjë mënyrë nuk duhet që të mos hetohet ai dhe askush tjetër më mos të jenë të paprekshëm nga ligji, por këtë rast si dhe të gjithë të tjerat duhet t'i bëjnë prokurorët dhe gjyqtarët e tjerë, të cilët do të vijnë pasi t'i kalojë në sitë dhe t'i seleksionojë VETTING-u.

Realisht ky sistem i tillë drejtësie është produkt dhe ka për autor Sali Berishën dhe ish-regjimin e tij

Duhet të sjellim në kujtesë edhe atë se çfarë deklaroi para ca kohesh, në shkurt 2017, promotori i Reformës në Drejtësi, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, për kryeprokurorin aktual Adriatik Llalla se: Për më shumë se 18 muaj ai ka folur me zë të lartë kundër Reformës në Drejtësi… dhe se Prokurori i Përgjithshëm dhunoi Kushtetutën. Realisht ky sistem i tillë drejtësie është produkt dhe ka për autor Sali Berishën dhe ish-regjimin e tij, i cili që kur ishte president i Shqipërisë e organizoi drejtësinë në mënyrë të tillë që ta kontrollonte ai, ashtu sikurse edhe ndërmori një nismë personale me referendumin për Kushtetutën në vitin 1994, referendum të cilin e humbi dhe kjo humbje i tha Jo autokratit dhe diktatorit të ri Berisha. Drejtësia që ngriti Berisha rezultoi gjatë gjithë tranzicionit si një drejtësi e cila i mbrojti politikanët shqiptarë, të cilët kanë kryer krime të tmerrshme. Ja se çfarë deklaron edhe ambasadori amerikan Donald Lu tani në tetor 2017: "Në këto 27 vitet e fundit ky vend është përballur me problemin e turpshëm të politikanëve të fuqishëm, nga e Majta dhe e Djathta, të cilët kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë". Z. Ambasador pse nuk e thoni hapur emrat se cilët janë këta politikanë të fuqishëm që kanë i kanë kryer këto "krime të tmerrshme". Kur opinioni dëgjon këtë fakt nga Ju, i Nderuari Ambasador, logjika dhe arsyeja pyet se a janë apo nuk janë ata edhe Berisha, Meksi e Basha nga e Djathta dhe Nano, Meta e Rama nga e Majta. Por këta më kryesorët e politikës shqiptare, nëse nuk janë të tillë atëherë do të jenë politikanët dhe qeveritarët, gjyqtarët dhe prokurorët, bashkëpunëtorët e tyre, apo jo, të zgjedhurit, të preferuarit dhe të mbrojturit prej tyre, gjë për të cilën logjika përsëri konkludon se këta kryesorët nuk mund të jenë të përjashtuar nga përgjegjësia kryesore për këtë gjendje të rëndë gjatë këtij tranzicioni. Dhe po në Kosovë a janë apo nuk janë të kriminalizuar ata më kryesorët, kryetarët e krye të parët e politikës dhe të pushtetit dhe atje të cilët e kanë dominuar politikisht Kosovën e pasluftës. Prandaj, pra edhe miratimi i VETTING-ut në Shqipëri u pengua dhe prandaj ai edhe vazhdon të pengohet dhe po prandaj edhe në Kosovë nuk ka vullnet politik për Lustracion dhe as për një VETTING.

Sjellje e egër politiko-tribaliste dhe patriarkalo-kanunore

Në Shqipëri autori kryesor mbetet Berisha, për të cilin duhet të kujtojmë edhe një shembull tipik të tij; sjelljen e pa etikë, të pahijshme të tij deri me fyerje e me fjalë banale kundër ishkryeprokurores së Shqipërisë, zonjës së nderuar Ina Rama, pas lëshimit të urdhër-arresteve për gardistët e akuzuar për vrasjen e protestuesve para kryeministrisë të 21 janarit 2011. Hakmarrjen e verbër politike, paturpësisht e vazhdoi KLD-ja berishiste duke ia mohuar zonjës, Ina Rama, pas mbarimit të mandatit si kryeprokurore të drejtën e kthimit të saj në detyrën e mëparshme, derisa pas tre vjetësh këtë të drejtë ajo e fitoi me një betejë të stërmundimshme gjyqësore. Kjo sjellje e egër politiko-tribaliste dhe patriarkalo-kanunore e një kryeministri kundër një femre fisnike, e cila për herë të parë në historinë e Shqipërisë si femër në krye të këtij institucioni, u sulmua verbalisht prej tij vetëm pse ajo e kreu detyrën me korrektësi, konform ligjit dhe Kushtetutës dhe nuk iu nënshtrua vullnetit dhe urdhrit politik të ish-kryeministrit. Berisha e kreu Reformën e famshme në Drejtësi me prokurorët dhe gjyqtarët e kurseve 6 mujore, me qëllim të kapjes prej tij të drejtësisë. Kështu që tashmë dihet pra se edhe ky kryeprokurori aktual dhe prokurorët e tij, KLD-ja dhe tërë sistemi i drejtësisë në Shqipëri janë jo vetëm publikisht nga opinioni i brendshëm, por edhe ndërkombëtarisht janë të pabesueshëm. Nuk ka besim te prokurorët, sepse ata me të vërtetë nuk janë të motivuar për këtë çështjen e Tahirit ligjërisht, por më shumë politikisht, ndoshta se mund të jenë edhe përkohësisht aty ku nuk duhet të ishin, përderisa kërkohet urgjentisht nga SHBA dhe nga BE fillimi punës së organeve të VETTING-ut, pra të pastrimit të drejtësisë prej tribalizmit politiko-kriminal. Kjo përplasje e zhurmë hipokrizie, publike dhe mediatike, politike dhe gjyqësore, tregon se politika shqiptare, e gjitha, duke përfshirë edhe pozitën e "rilindjes" së Edi Ramës, i cili edhe ai synon ta kapë ai tashmë drejtësinë nën maskën kinse sikur ai është për VETTING-un, por realisht është kundër tij. Pra nuk janë të besueshme as Prokuroria, as opozita dhe as Qeveria se me të vërtetë e duan VETTING-un. Këtu sjellim në kujtesë dyfytyrësinë dhe dy standardet e politikës duke krahasuar se si iu hoq mandati ishdeputetit socialist, Koço Kokëdhima, me mosheqjen e imunitetit të ish-ministrit Tahiri. Heqja e mandatit të Kokëdhimës ishte një punë matrapazllëku dhe intrigë e ngritur nga PD, por i parapëlqyer edhe nga kryeministri për ta dëbuar nga Parlamenti deputetin, i cili nuk njihte nënshtrimin verbal, as servilizmin ndaj kryetarit të PS-së, ndaj kryeministrit, por ai ishte zëdhënësi më i shquar në historinë e Parlamentit pluralist shqiptar në mbrojtjen dhe përfaqësimin dinjitoz të të drejtave dhe të interesave të elektoratit, i cili ia kishte dhënë atij mandatin e përfaqësimit. Këtë përfaqësim me dinjitet dhe me personalitet e integritet moral, ligjor, patriotik dhe demokratik e bënte Kokëdhima, ish-deputeti socialist i atëhershëm edhe duke debatuar ashpër me kryeministrin, me ministrat e Partisë Socialiste më shumë sesa deputetët e opozitës. Madje kritiku i Kokëdhimës në atë kohë ishte vetë ish- ministri Tahiri, të cilin tani e mbrojti PS dhe nuk ia dorëzoi atë prokurorisë, por atëherë e "shitën" ish- deputetin Kokëdhima për interesa politike dhe servilizmi. E dëbuan nga Parlamenti Kokëdhimën për ta larguar atë nga skena politike shqiptare, ku bashkëpunoi në "mirëkuptim" aleanca pozitë-opozitë (PD, PS dhe LSI). Objektiv tjetër ishte qëllimi si për ta izoluar e për ta larguar pastaj edhe nga PS, sepse Kokëdhima ishte për demokratizimin e PS-së, për zgjedhje demokratike brenda saj, ishte për zgjedhjen e deputetëve nga anëtarësia, nga baza e Partisë dhe jo nga një listë e caktuar dhe e zgjedhur nga kryetari. Pra, Kokëdhima kërkonte integrimin dhe funksionimin demokratik të PS së pari dhe të politikës shqiptare në tërësi për t'u shkëputur nga modeli autokratik, klientelist, klanor, korruptiv, grupal, lokalist dhe tribal që i karakterizon të gjitha partitë politike shqiptare.

Mafia krimo-korruptive kurrë nuk guxon të ngrihet dhe të sfidojë shtetin

Pra këtu solla shembullin Kokëdhima nga politika ashtu si edhe rastin Ina Rama nga drejtësia për të treguar se sa mirë funksionojnë puçet dhe intrigat e krimit, korrupsionit, klientelizmit dhe tribalizmit politiko-juridik në Shqipëri. Bandat dhe grupet kriminale ekzistojnë dhe prova ka, por ato nuk i di publiku shqiptar. Publiku ato i mëson nga media, opinionistët dhe gazetarët e guximshëm, profesionistë dhe të aftë logjikisht dhe me intuitë. Bandat, grupet kriminale dhe provat i njohin dhe i dinë pushteti, politika, drejtësia dhe policia shqiptare. I dinë, por heshtin, i fshehin dhe i asgjësojnë ato, sepse ata janë vetë krimi dhe korrupsioni. Tipike kjo si sjellje e politikës dhe e drejtësisë është edhe në Kosovë. Publiku shqiptar më së shumti i mëson kur informacionet vijnë nga policia, prokuroria dhe madje edhe nga diplomatët dhe ambasadorët e huaj. Kështu sot është edhe rasti "famoz" sipas Prokurorisë i implikimit në trafikun e drogës të ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri. Mafia krimo-korruptive kurrë nuk guxon të ngrihet dhe të sfidojë shtetin, ligjin dhe drejtësinë po qe se ajo nuk ka mbështetjen dhe mbrojtjen e politikës dhe të drejtësisë, të bashkëpunojë me to, ose mafia të jenë vetë ata. Edhe nëse ka individë me personalitet dhe integritet moral, patriotik dhe profesional në nivelet e larta shtetërore, politike, pushteti, drejtësie dhe në institucionet e tjera administrative të cilët në Shqipëri dhe Kosovë, ata janë të paktë dhe tjetra është se ata janë edhe "frikacakë", pasi nuk guxojnë të përballen me krimin dhe me kriminelët e fuqishëm të pushtetit, sepse mund ta pësojnë shumë keq prej tyre dhe as që mendohet se mund ta mbajnë vendin e punës po dolën kundër rrymës. Një tjetër aspekt, i cili ndikon shumë në mosefikasitetin e konsolidimit të demokracisë dhe të shtetit ligjor në Shqipëri dhe në Kosovë, është edhe mentaliteti politiko-tribal i shoqërisë shqiptare. Shqiptarët akoma nuk janë shkëputur dhe as nuk janë integruar demokratikisht, civilizisht dhe juridikisht me kulturën demokratike dhe as me njohjen me ligjet e botës moderne. Ka 100 vjet shtet Shqipëria, e cila sundohet dhe keqqeveriset nga injorantët dhe nga provincializmat e preferencat krahinore, miqësore dhe me lidhje krushqie. Kështu ka qenë gjithnjë politika dhe pushteti në Shqipëri si një sundim tribalizmi krahinor, kështu kanë vepruar Ahmet Zogu, Emver Hoxha, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama. Pra, nuk jemi shkëputur akoma nga mentaliteti kanunor, fisnor, patriarkal, nepotik dhe krahinor. Pra, duhet ndëshkuar përfundimisht kjo trashëgimi e vijimësi e dëmshme politike me pasoja të rënda kombëtare. Shqiptarëve u duhen reforma që të zgjidhin pothuajse gjithçka, pasi ka vetëm probleme shteti dhe shoqëria dhe i gjithë kombi shqiptar, ku më kryesori është problemi kombëtar shqiptar. Armiku më i madh i kombëtarizimit shqiptar sot janë politika dhe drejtësia, të dyja këto janë realisht krim, korrupsion, padrejtësi dhe tradhti.

Virtytet më të larta për një shoqëri politike dhe për një shtet modern janë: drejtësia, e vërteta, morali dhe patriotizmi

Lufta për pushtet dhe për politikë bëhet vetëm për të kapur poste, detyra dhe për të siguruar pushtet, privilegje, para e pasuri qoftë ai president, kryeministër, deputet, kryetar e sekretar komune, bashkie dhe administrator, gjyqtar, prokuror dhe avokat. Mirëpo jo vetëm kjo, por të gjithë ata të cilët i marrin këto poste të larta, ata punësojnë në shtet, në institucionet e tij vetëm fisin, tribunë,të afërmit e vet: vëllezër, motra, dajë, teze, nipa, mbesa, halla, axhallarë, kushërinj, pra klanin farefisnor të tij, si dhe sejmenët dhe servilët, paranë, mercenarët dhe të korruptuarit. Kështu ka ndodhur gjithnjë në Shqipëri,dhe kështu vazhdon edhe sot,tani. Dhe po kjo ndodh edhe në Kosovë. Dhe vazhdon që po këta pastaj kapin edhe bizneset, ekonominë dhe çdo burim tjetër pasuror prej të cilëve burojnë para dhe pasuri; kapin kontrabandën, tenderët, investimet, trafikimin e drogave dhe gjithçka fitimprurëse të ligjshme dhe të paligjshme. Për këtë tip sistemi katrahurë për politikën shqiptare dhe për këtë KRIMOKRACI nuk ka asnjë dallim mes privates me publiken, mes të ligjshmes dhe të paligjshmes, pasi të gjitha ato konsiderohen si të drejta private të tyre. Dhe kjo bën të mundur instalimin dhe ngritjet e grupeve dhe bandave të krimit, ashtu sikurse e ka konstatuar edhe vetë ambasadori amerikan se: Shqipërinë e kanë marrë peng 4 klane dhe 20 familje mafioze. Ky realitet i cili vjen nga ky lloj sistemi e regjimi kriminal e korruptiv nuk është i interesuar as për zhvillimin dhe as për mirëqenien e përgjithshme dhe aspak për çështjen kombëtare, por përkundrazi e ka dëmtuar rëndë atë. Kjo është e vërteta se përse shqiptarët nuk e bëjnë vetë as demokracinë dhe as shtetin ligjor, sepse nuk i kanë as trashëgimi dhe as si kulturë ato. Prandaj SHBA dhe BE këmbëngulën për Dekriminalizimin e politikës shqiptare të kriminalizuar dhe për VETTING-un e Sistemit të Drejtësisë së kriminalizuar dhe të korruptuar. Virtytet më të larta për një shoqëri politike dhe për një shtet modern janë: drejtësia, e vërteta, morali dhe patriotizmi. Këto janë deficitet dhe mungesat më të mëdha që i kanë politika, pushteti dhe drejtësia në Shqipëri, por edhe në "Kosovë Sot".

Skënder S. KAPITI, Durrës

Është diplomuar për Agronomi, Jurisprudencë dhe nga Akademia Diplomatike "Për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci". Është studiues i politikës, i filozofisë platonike dhe kantiane, i fesë, i historisë dhe të drejtës romake, bizantine, osmane, britanike, amerikane dhe franceze. Autor i disa librave, ku më kryesorët janë: "TRIUMFI I KOMBIT", "MORALMATERIALIZMI", "NJERIU FILOZOF, ETIK DHE POLITIK", "SHQIPTARËT, GREKËT, SLLAVËT,TURQIT DHE BALLKANI".Ka në përfundim një libër voluminoz "MBI TRANZICIONIN NË SHQIPËRI". Ka shkruar dhe botuar dhjetëra ese politike, filozofike dhe historike. Ai dhe familja e tij shquhen për trashëgimi dhe për tradita të mëdha fisnike dhe kombëtare, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Çështjen Kombëtare, sidomos për çlirimin e Kosovës. Është veteran i UÇK-së. Bashkëpunëtor dhe analist në gazetën kombëtare të pavarur, "KOSOVA SOT".

(Kosova Sot)

2 orë e 1 minuta më parë