< Si u bënë amerikanët të ndjeshëm ndaj dezinformatave ruse? - Opinione - Kosova Sot
Si u bėnė amerikanėt tė ndjeshėm ndaj dezinformatave ruse?

Si u bėnė amerikanėt tė ndjeshėm ndaj dezinformatave ruse?

Shkruan: KENT HARRINGTON

Derisa SHBA-ja shënon përvjetorin e parë të zgjedhjes së presidentit Donald Trump, pyetja se si Trump fitoi ende tërheq vëmendjen, ku roli i Rusisë gjithnjë e më shumë është në qendër të vëmendjes. Çdo zbulim i ri në hetimet rreth përzierjes së Rusisë në kampanjën e vitit 2016 sjell në vëmendje procesin demokratik amerikan. Javën e kaluar, Kongresi bëri publik legjislacionin, i cili do të detyrojë "Facebook", "Google" dhe gjigantët e tjerë të mediave sociale që të tregojnë se kush blen hapësirat reklamuese online, duke mbyllur kështu një boshllëk të cilin e kishte shfrytëzuar Rusia gjatë zgjedhjeve. Por, një sfidë më e madhe ka të bëjë me forcimin e institucioneve që janë vitale për funksionimin e demokracisë - në veçanti edukimin civil dhe gazetarinë lokale. Derisa të arrihet përparim në këto fusha, rreziku ndaj procesit demokratik amerikan do të rritet, i cili do të shfaqet sa herë që të ketë votime në vend. Operativët e inteligjencës së presidentit rus, Vladimir Putin, kishin zgjedhur me mend që të bënin sulmet nëpërmes mediave sociale. "Facebook" përfshin rreth 80% të tërë trafikut mobil social, derisa "Google" përfshin rreth 90% të tërë reklamimit që ka të bëjë me kërkimin online. Duke i vërshuar këto dy platforma me mesazhe automatike, nga dhjetëra-mijëra llogari false, Rusia arriti që të mbillte përçarje në sferën ekonomike, racore dhe politike.

Rënia e edukimit qytetar në shkolla

Për më tepër, ata e bënë këtë punë me një çmim të lirë. Sipas një analize, thjesht me një blerje modeste të hapësirave reklamuese në "Facebook", agjentët rusë fituan qasjen në një minierë të artë të të dhë- nave reklamuese online - sikur që është softueri i klientëve të "Facebook"-ut - gjë që mundësoi përhapjen e lajmeve të rreme të Rusisë me qindra miliona herë. Është mjaft keq që emrat e dalluar të botës së teknologjisë nuk ishin të përgatitur për ta shmangur përzierjen e huaj në zgjedhjet më të rëndësishme të Amerikës. Por, mohimi i vazhdueshëm i gjigantëve të mediave sociale i çdo lloj përgjegjësie për shpërndarjen e informatave të rreme si lajme, në një kohë kur roli i Rusisë është bërë më i qartë, është edhe më shqetësues. Del në shesh e vërteta se gjigantët teknologjikë janë të dizajnuar për të marrë sa më shumë klikime, shpërndarje dhe pëlqime. Në vend të tentimit të zëvendësimit të mediave tradicionale si platforma botërore të informacionit, magnatët e mediave sociale duken të kënaqur duke injoruar vlerat fundamentale të gazetarisë, proceset dhe qëllimet e saj. Është mu kjo papërgjegjësi të cilën duan ta adresojnë bashkë-sponsoruesit e projektligjit të fundit rreth transparencës së reklamimit. Megjithatë, Rusia nuk do të kishte sukses në këtë drejtim, sikur të mos ekzistonte një problem tjetër: një elektorat jo i edukuar, i ndjeshëm ndaj manipulimeve. Rënia e edukimit qytetar në shkolla, mbyllja e gazetave lokale, si dhe rënia pasuese e të kuptuarit të çështjeve dhe proceseve politike nga publiku, krijuan një terren të përshtatshëm për mbjelljen e dezinformatave. Ja një dëshmi: Një anketë e bërë në vitin 2005, nga Oda e avokatëve të Amerikës, gjeti se 50% e amerikanëve nuk mund t'i identifikonin në mënyrë të drejtë tri degët e qeverisjes së vendit. Në kohën kur Qendra "Annenberg" për politikë publike kishte bërë të njëjtën pyetje në vitin 2015, kjo përqindje ishte rritur në dy të tretat, ku 32% e të të anketuarve nuk mund ta emërtonte asnjë degë të qeverisjes. Ky ndryshim duket se ka lidhje me moshën; një studim i vitit 2016, i bërë me amerikanë me diplomë fakulteti, gjeti se ata të moshës mbi 65 vjet dinë shumë më shumë sesi funksionon qeveria e vendit, sesa ata më të ri se 34 vjet. Ekziston një lidhje e qartë midis analfabetizmit demokratik dhe zbehjes së edukimit në shkolla. Në vitin 2006, për shembull, një studim kombëtar i cili përcillte suksesin e nxënësve në lëndë të ndryshme, gjeti se vetëm një e katërta e nxënësve amerikanë të klasës së 12-të kishin njohuri të mjaftueshme rreth edukatës qytetare. Një dekadë më pas, kjo përqindje kishte rënë nën 25%.

Përzierja e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane

 Nuk befason që edhe kualiteti i përgjithshëm i edukimit, si dhe qasja ndaj kurseve bazë të edukatës qytetare, po ashtu kanë pësuar gjatë viteve të fundit. Në vitin 2011, një grup ekspertësh që rangonte 50 shtete të SHBA-së në lidhje me kualitetin e orëve të historisë amerikane në shkolla, vlerësoi 28 shtete me nota jo kaluese. Një anketë e bërë në vitin 2016 në 1000 kolegje të artit liberal, gjeti se vetëm 18% prej tyre kërkonin provim nga historia amerikane, apo qeveria, për ta marrë diplomën. Vetëm orët në shkolla të mesme dhe fakultete nuk do t'i mbrojnë votuesit syleshë nga lajmet e rreme dhe dezinformatat. Por, përhapja virale e lajmeve të rreme, e iniciuar nga agjentët rusë, e bëri të qartë një gjë: një elektorat, të cilit i mungon edukimi themelor qytetar, ka më shumë të ngjarë që të bjerë pre e provokimeve të dizajnuara për rritjen e tensioneve partiake. Ndryshimet në industrinë e lajmeve janë duke e rritur këtë rrezik. Derisa gjigantët e internetit marrin të ardhurat e reklamimit nga mediat tradicionale, mediat sociale janë bërë burimi kryesor i lajmeve për shumë njerëz. Organizatat tradicionale të lajmeve, sidomos gazetat lokale, janë duke u mbyllur në vazhdimësi, zvogëlimi i qasjes së votuesve ndaj informatave që janë vitale për vendimet e tyre e informuara politike. Këto vlera janë duke rënë. Që nga viti 2004, 10% e të gjitha gazetave me treg të vogël janë mbyllur, apo shkrirë. Ato që kanë mbijetuar, rreth një e treta, e kanë ndërruar pronarin, duke e përqendruar industrinë në vetëm pak duar. Rezultat i kësaj kanë qenë pushimet nga puna, si dhe zvogëlimi i raportimeve rreth çështjeve nacionale dhe lokale. Sa i përket përgjegjësisë qytetare të mediave, duket se edhe kjo ka vuajtur. Manuali i menaxherëve i një kompanie të investimeve, e cila posedon tri gazeta të përditshme dhe 42 javore, e thotë këtë qartë:"Konsumatori ynë është ai që sjell reklama. Lexuesit janë konsumatorët e konsumatorëve tanë, prandaj ne operojmë me një staf të vogël të lajmeve". Përzierja e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 ishte historike, por ishte edhe shenjë e sfidave më të mëdha me të cilat ballafaqohen amerikanët. Një popullsi e cila nuk kupton në tërësi demokracinë e vet nuk duhet t'i shqetësojë vetëm mësuesit e edukatës qytetare, por edhe ekspertët e sigurisë kombëtare. SHBA-ja nuk ka nevojë për Putinin për t'ia dhënë këtë mësim."Nëse një komb pret që të jetë injorant dhe i lirë", thoshte Thomas Jefferson, "atëherë ai pret diçka që nuk ka ekzistuar kurrë dhe nuk do të ekzistojë kurrë".

 (Kent Harrington, ish-analist i lartë i CIA-s, ka shërbyer si oficer i Inteligjencës nacionale për Azinë Lindore)

(Kosova Sot)

2 orë e 16 minuta më parë