Politikanët po e shkatërrojë shtetin

Politikanët po e shkatërrojë shtetin
  • 14 November 2017 - 08:20

SHKRUAN: MR.BISLIM ALIU

Na ka kapluar me të madhe varfëria dhe mjerimi 

Institucionet dhe zyrtarët tanë të lartë duhet gjithherë e më tepër të mendojnë se kah po i harxhojnë paratë e taksapaguesve. Ta shtrëngojnë më tepër rripin dhe për këto harxhime të japin llogari. Këtë, zaten, e kanë obligim moral, njerëzor, shtetëror e demokratik

Në Kosovën tonë të dashur, shumëçka nuk është në rregull. Na ka kapluar me të madhe varfëria dhe mjerimi dhe na është bërë jeta shumë e vështirë për të jetuar. Dhe, besa, për dikë edhe skajshmërisht e vështirë për të jetuar. E, kemi pritur me të madhe, se pas luftës, do të ecim përpara dhe do të jetojmë mirë e më mirë. Populli nuk e ka pritur një situatë kaq të rëndë dhe këtë gjendje të varfër e me brenga plot. Por, ja që populli po vuan për ditë e më shumë nga varfëria, nga papunësia dhe nga parregullsitë e shumta ligjore, njerëzore e jodemokratike…

Mossundimi i ligjit, fajtor i parregullsive të shumta

Dihet mirëfilli se mossundimi i ligjit është brenga më e madhe e shumë parregullsive në Kosovë. Ndaj, po qe se do të funksiononte ligji, ashtu siç duhet, sigurisht do të kishim më shumë investime, më shumë vende pune dhe më shumë mirëqenie për qytetarët dhe për një jetë më të mirë e pa brenga. Megjithatë, mosfunksionimi i ligjit, po ua mundëson institucioneve tona dhe disa zyrtarëve tanë të lartë, që ta harxhojnë paranë publike, ashtu siç dëshirojnë dhe pa farë kontrolle harxhuese. Pa mëdyshje, është e dijshme se Kosova e ka buxhetin, më të vogël se sa vendet e tjera në rajon, e për lukse dhe për harxhime të parave të taksapaguesve, pa kontroll dhe pa farë përgjegjësie, nuk na e kalon askush. Jemi pra, të parët në rajon, për harxhime të parave dhe për luks të tepruar!!! Sa keq kur djersën e popullit, aq lehtë e harxhojmë, e bastardojmë dhe e shantazhojmë, me aq lehtësi dhe me aq papërgjegjësi. Këta qeveritarë, zv. kryeministra, ministra, zv.ministra, këshilltarë politikë e ekonomikë e shumë zyrtarë të tjerë të lartë, përveç të marrin rroga të majme, ata shpeshherë udhëtojnë jashtë vendit, ku paratë e popullit i harxhojnë me të madhe dhe besa, marrin edhe mëditje të majme! Dhe, në vend që ta shtrëngojnë rripin, ata [disa] bëjnë lukse të tepruara dhe fare nuk e qajnë kokën për këto para, duke kursyer dhe mos të harxhojnë pa nevojë, e ka qytetarë të Kosovës, ku ditën e kalon vetëm me 1,5 euro, apo nuk ka as bukë me ngrënë. Ja shih bezdinë marramendëse të jetës sonë në Kosovë!...

Ndonjëherë, disa zyrtarë të lartë, këto udhëtime i përdorin edhe për qëllime private

Ndodh ndonjëherë, që disa zyrtarë të lartë [zv.kryeministra e ministra], këto udhëtime jashtë vendit po i përdorin, kinse për tërheqjen e investimeve apo edhe të lobimeve për shtetin, megjithatë, udhëtimet ndonjëherë po i përdorin edhe për qëllime private! Dhe, me këto para të taksapaguesve shkojnë nga një vend në një vend tjetër, duke i harxhuar "me bollëk" dhe pa u djersitur fare i harxhojnë këto para të shtetit të Kosovës! E, sigurisht, nuk janë vetëm udhëtimet jashtë shtetit, duke bërë "sefa". Këto para, ndonjëherë, i harxhojnë me të madhe, edhe për dreka e darka e bankete të shumta, kinse për të mirën e vendit me biznesmenë të ndryshëm. Gjithsesi në këto harxhime të shumëllojta, bëjnë pjesë edhe harxhimet e xhipave të zinj, ku ndonjëherë harxhojnë derivate të tepërta dhe pa farë kontrolli! Derisa shumë zyrtarë të lartë të shteteve më të zhvilluara evropiane, të cilat e kanë ekonominë tejet të zhvilluar, i kanë bërë reduktimet e shpenzimeve deri në minimum, e zyrtarët tanë dhe institucionet tona janë një shembull i keq dhe besa unik për shpenzime enorme, të shumta dhe pa farë kontrollimi harxhues. E, dihet mirëfilli, se pjesa dërmuese e popullit përditë po jetojnë keq e më keq, e zyrtarët tanë [disa] jetojnë me lukse të larta, e për popullin mos të mendohet fare, për "gazepin" e madh dhe për jetën që e kanë, është një ligësi njerëzore dhe një dukuri mospërfillëse dhe gjithsesi e papranueshme. Andaj, institucione dhe zyrtarë të lartë të Shtetit të Kosovës, ndaleni turrin dhe ndaleni dorën, e mos harxhoni pa nevojë para të taksapaguesve. Shtrëngojeni rripin, e mendoni më tepër për shtetin e për popullin. Populli ua ka dhënë votën, e vota ju obligon sot e gjithmonë të jeni shërbyesit e popullit. Ndaj, mendoni gjithmonë në këtë dhe mos e harroni popullin dhe gazepin e tyre për të jetuar. A do të ndalet ndonjëherë ky luks i tepruar nga disa zyrtarë tanë dhe a do të mendojnë më tepër për shtetin dhe për popullin?! Varfërinë e shtetit tonë duhet ta ndajmë bashkë. E, jo të formohet shtresa e lartë e politikanëve tanë, që disa po jetojnë si në parajsë, e populli, pjesa më e madhe e tyre po jeton në varfëri, në mjerim dhe se perspektivën e vet nuk po e sheh askund, besa as në horizont nuk po duket fare!!! E, populli, tani e vazhdimisht po pyetet; a thua çka po bëjmë dhe kah po duam të shkojmë me këtë parregullsi dhe me këtë pabarazi ? Andaj, të mendohet më tepër shtruar, burrërisht, shpirtërisht, e ligjërisht më tepër për popullin, për shtetin dhe për përparimin e tij, sot, nesër e gjithmonë… Andaj, Kosova është e jona, ajo gjithmonë është "gjaku ynë, që asnjëherë nuk falet" as sot, as nesër dhe as kurrë. Dhe përgjithmonë, ajo do të jetë shtëpia e vetme e jona. Ndaj, të gëzohemi me të dhe me përparimin e saj. E, sa do të jetë i fortë shteti, sigurisht se do të varet prej nesh. Prej angazhimit tonë. Dhe prej dashurisë sonë që duhet pasur për vendin. Mos ta harrojmë luftën dhe dëshmorët e shumtë që dhanë jetën për këtë vend të shenjtë dhe për Kosovën tonë të dashur. Kosova jonë është gjaku ynë, jeta jonë dhe shpirti e zemra jonë e pafalshme; as sot dhe as kurrë.

(Kosova Sot)