Sa do të zgjatë qëndrimi i Theresa May-t në pushtet?

Sa do të zgjatë qëndrimi i Theresa May-t në pushtet?
  • 16 November 2017 - 12:55

Shkruan: Carole Walker

Qeveria e Theresa May-t është trandur nga dy dorëheqje brenda një jave. Aleati i saj më i afërt - sekretari i parë i shtetit dhe zëvendëskryeministri Damian Green - është nën hetime dhe ka apele të përsëritura që ajo ta shkarkojë sekretarin e jashtëm, Boris Johnson. Karikatura e publikuar të enjten në gazetën "Times", e paraqiste atë duke qëndruar ulur rreth një tavoline të kabinetit qeveritar, në formë arkivoli, me shprehjen "punët sikur edhe rëndom". Kryeministrja, duke e pasur problem që të qeverisë pa një shumicë të përgjithshme parlamentare, duket se është në mëshirën e ngjarjeve të cilat nuk i ka nën kontroll. Vala e akuzave për keqtrajtime seksuale në Uestminster tanimë ka çuar deri te dorëheqja e sekretarit të saj të Mbrojtjes, sër Michael Fallon. Nuk është e mundur që të paramendohet se kush do të jetë në radhë, në listën gjithnjë e më të madhe të politikanëve të akuzuar për sjellje të pahijshme.

Buxheti me pak para

Kancelari i saj, Phillip Hammond, ministri kryesor i financave në Britani, është duke u përgatitur që ta sjellë një buxhet me pak para, me qëllim që t'ua bëjë qejfin votuesve. Politikat e vetme vendore, me të cilat kanë dalë konservatorët që nga zgjedhja e saj, në fillim të vitit - rreth çështjeve sikur çmimet e energjisë, apo borxhet e studentëve - janë cilësuar si imitim i zbehtë i politikave tanimë të propozuara nga Partia laburiste opozitare e krahut të majtë. Hammond është duke u ballafaquar me thirrjet që të jetë 'më i ashpër' - të heqë dorë nga masat e kursimit, të investojë në infrastrukturë me qëllim të stimulimit të ekonomisë dhe ta trajtojë mungesën e shtëpive të lira - por nuk ka shumë hapësirë për të manovruar. Të gjitha këto ngjarje dhe gjëra mbesin nën hije nga Brexit. Bisedimet kryesore me BE-në kanë ngecur si pasojë e mosmarrëveshjeve rreth parave dhe strukturës së vet negociatave. Sekretari i Brexit-it, David Davis, ka deklaruar se të dy palët gjenden brenda 'largësisë prekëse' për një marrëveshjeje rreth të drejtave të shtetasve të BE-së në Britani. Por, shumë më me rëndësi do të jetë vendimi i samitit të muajit të ardhshëm, kur të 27 vendet e BE-së do të deklarojnë se a janë të gatshme që t'i fillojnë negociatat rreth një marrëveshjeje të ardhshme tregtare me Britaninë. Nëse ata pajtohen që ta bëjnë këtë, atëherë kjo do të jetë një nxitje e madhe e momentumit për të biseduar. Nëse ata e shtyjnë këtë vendim deri në samitin tjetër, në mars, atëherë kjo do të jetë një pengesë tjetër për kryeministren, duke e vënë në pyetje tërë strategjinë e saj të negocimit. May ende nuk ka shpjeguar se çka dëshiron nga një marrëveshje e ardhshme tregtare. Është një shenjë e pasigurisë që e rrethon tërë procesin të cilin ajo është dashur që ta konfirmojë kohën e saktë kur Britania do të dalë nga BE-ja: në orën 11 të mbrëmjes, më 29 mars të vitit 2019. Ajo është e paralizuar nga ndarjet e thella në qeverinë e saj, në parti dhe në vend, rreth marrëdhënieve të ardhshme me Evropën. Vendimet e zëvendësimit të ministrave të poshtëruar del se janë marrë nga nevoja për mbajtjen e një balance delikate rreth tryezës së qeverisë së saj. Është e vërtetë se, për momentin, të dyja anëve iu konvenon që ajo të mbetet në post. Brexiterët, të cilët duan një ndarje vendimtare nga BE-ja dhe një përqendrim të ri te tregtia e lirë globale, kanë frikë se i tërë procesi i Brexitit do të dalë nga shinat, nëse rrëzohet May. Ata që kishin votuar kundër Brexitit dhe që duan një raport të ngushtë me BE-në, besojnë se garat për postin e kryeministrit me gjasë do të fitoheshin nga Brexiterët e linjës së ashpër.

Partia përçarë konservatore

Janë bërë paralele edhe me një ish-kryeministër, i cili po ashtu e kishte pasur të vështirë që të qeveriste pa një shumicë të përgjithshme, me një parti të ndarë sa i përket Evropës dhe i dëmtuar nga një seri skandalesh seksuale. Ia vlen që të rikujtojmë se John Major mbeti në pushtet për shtatë vjet, derisa nuk u rrëzua nga fitorja bindëse e Tony Blair-it në vitin 1997. Është vështirë të gjendet ndokush në Uestminster, i cili beson se May do t'i udhëheqë konservatorët në zgjedhjet e ardhshme. Por, për momentin, nuk ka ndonjë marrëveshje në partinë e saj se kush duhet ta 'trashëgojë' atë. Pretenduesit e së ardhmes nuk kanë nguti që ta marrin një qeveri që lëkundet dhe një proces torturues Brexit. Një gjë që e bashkon Partinë (e përçarë) konservatore, është shqetësimi se një garë për postin udhëheqës do të çojë deri te zgjedhjet e përgjithshme dhe deri te një qeveri laburiste. Pas fjalimit 'mozomakeq' të kryeministres në konferencën vjetore të partisë së saj, muajin e kaluar - fjalim që u ndërprit nga një protestues, skenografia e dobët dhe nga kolli i vazhdueshëm i saj - ka pasur një tentim puçi, nga ana e një ish ministri. Ky tentim dështoi, pasi që konservatorët u mblodhën rreth lideres së tyre fatkeqe. Pritjet nga May kanë rënë aq poshtë, sa që çdo sukses do të përshëndetet si triumf i partisë së saj në telashe. Nëse ajo do të arrijë ndonjë përparim në bisedimet Brexit, duke dalë me disa propozime imagjinuese rreth buxhetit dhe, ndoshta, duke rifreskuar ekipin e saj me një riorganizim shtesë, ajo mund të jetë në gjendje që të mbetet në post dhe ta gjejë një rrugë për tejkalimin e kësaj krize. Por, në të gjitha këto çështje ka vështirësi. Pa një shumicë parlamentare, qeveria është e ndjeshme ndaj mposhtjes, derisa përpiqet që të miratojë legjislacionin e rëndësishëm Brexit në parlament. Partia e May-it është duke u bërë e vetëdijshme rreth katalogut të fatkeqësive, prej se ajo mori postin. Një fatkeqësi shtesë ka mundësi që të jetë fillimi i një tentimi serioz për rrëzimin e saj. Në rrethana të këtilla, nuk befason fakti që disa liderë të BE-së janë përmendur në media se janë duke u përgatitur për rrëzimin e qeverisë së Theresa May-it brenda pak muajsh.

(Carole Walker është analiste politike, e cila ka punuar si korrespodente politike e BBC-së)

(Kosova Sot)