Duhet t'i japim fund oligarkisë globale

Duhet t'i japim fund oligarkisë globale
  • 18 November 2017 - 10:04

Shkruan: Bernie Sanders

Njëra ndër ngjarjet më të mëdha, të pathë- na, të kohëve tona, është lëvizja e shpejtë kah oligarkia globale, në të cilën vetëm një grusht miliarderësh tani kontrollojnë dhe posedojnë një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë botërore. Këtu, në SHBA, një e dhjeta e 1% të popullsisë posedojnë gati po aq pasuri sa edhe 90% të popullsisë tjetër. Sipas një raportimi të bërë tash vonë nga Instituti për studime politike, tre prej amerikanëve më të pasur - Bill Gates, Jeff Bezos dhe Warren Buffett - tani janë më të pasur se të 160 milionë njerëzit në vend. Por, është e qartë se ky nuk është vetëm problem amerikan. Është një çështje globale. Derisa me miliona njerëz në tërë botën jetojnë në një varfëri të skajshme, pa ujë të pijshëm, pa kujdes adekuat shëndetësor, pa strehim të denjë, apo edukim për fëmijët e tyre, të gjashtë njerëzit më të pasur në botë, sipas listës së përpiluar nga revista "Forbes", posedojnë më shumë pasuri sesa gjysma e popullsisë së botës, prej 3.6 miliardë njerëzish.

Super të pasurit evitojnë pagimin e tatimeve të tyre

Ky nivel masiv i pabarazisë në pasuri dhe të ardhura, si dhe fuqia politike që shoqëron atë pasuri, është një çështje e cila nuk mund të vazhdohet që të injorohet. Ne duhet të reagojmë. Falë të të ashtuquajturave "Paradise Papers", ku me miliona dokumente janë analizuar nga Konzorciumi ndërkombëtar i gazetarëve investigativë (ICIJ) tani kuptojmë më mirë sesi korporatat më të mëdha dhe njerëzit më të pasur në botë, evitojnë pagimin e taksave dhe fshehin pronësinë ndaj aseteve. Nuk është e nevojshme të thuhet, këta miliarderë që të gjithë janë mbështetës të fortë të ushtrisë tonë, veteranëve, infrastrukturës, shkollave dhe shërbimeve tona qeveritare. Ata vetëm preferojnë që, për këto aktivitete, të paguani ju, e jo ata. Sipas raportimeve hulumtuese të ICIJ, amerikanët e përmendur si posedues të llogarive "offshore" në "Paradise Papers", disa prej tyre janë po ashtu zyrtarët e njëjtë që kanë udhëhequr përpjekjet për ta promovuar planin tatimor të republikanëve, i cili do të ofronte mundësi edhe më të mëdha të evitimit tatimor për më të pasurit. Edhe para këtyre zbulimeve, e dinim se evazioni tatimor nga të pasurit dhe korporatat e mëdha, jo vetëm në SHBA, por edhe në botë, ishte duke ndodhur në një shkallë masive. Në vitin 2012, "Tax Justice Network", një grup britanik evokimi, kishte vlerësuar se, të paktën 21 trilionë dollarë ishin të fshehura në parajsat tatimore në tërë botën. Me fjalë të tjera, derisa qeveritë miratojnë buxhete të kursimeve, të cilat ulin standardin jetësor të punëtorëve, super të pasurit evitojnë pagimin e tatimeve të tyre.

Pauzat e mëdha tatimore

Sipas ekonomistit të "Berkeley"-t, Gabriel Zucman, disa amerikanë janë duke evituar pagimin e 36 miliardë dollarësh, nëpërmes skemave tatimore "offshore" dhe korporatat e SHBA-së janë duke evituar pagimin e më shumë se 130 miliardë dollarësh nëpërmes këtyre skemave. Kjo situatë është bërë aq absurde sa që një ndërtesë pesëkatëshe në ishujt Kajmane tani është "shtëpi" e rreth 20,000 korporatave dhe kjo është vetëm njëra prej parajsave tatimore që operojnë në tërë botën. Esenca e oligarkisë është se, klasa e miliarderëve kurrë nuk është e kënaqur me atë që ka. Ata duan më shumë, gjithnjë e më shumë, pa marrë parasysh ndikimin që këto përpjekje të tyre mund t'i kenë te punëtorët, pleqtë, fëmijët, të sëmurët dhe të varfrit. Lakmia është religjioni i tyre. Derisa oligarkët janë duke evituar tatimet e tyre, Trump dhe kolegët e tij republikanë, gjoja me qëllim të shpëtimit të dollarëve federalë, janë munduar që me dhjetëra miliona amerikanë t'i lënë pa sigurim shëndetësor dhe të bëjnë shkurtime masive në edukim, asistencë ushqimore dhe strehim të përshtatshëm. Derisa ishte kandidat presidencial, Trump kishte premtuar se do t'i dilte në mbështetje klasës punëtore të vendit. Është e tepërt të thuhet se kjo ishte rrenë. Gati gjysma e fitimeve nga plani tatimor i Trumpit dhe republikanëve, do të shkojnë te 1% të amerikanëve më të pasur, sipas Qendrës për prioritete buxhetore dhe politike. Për më tepër, ata duan uljen e shkallës tatimore të korporatave,nga 35% në 20%, edhe pse në vitin 2012, një në çdo pesë korporata të mëdha, profitabile në SHBA, nuk paguante taksa federale në të ardhura dhe, midis viteve 2008 - 2015, 18 korporata kishin një normë tatimore më të ulët sesa 0%. Republikanët po ashtu duan që ta bëjnë më të lehtë për kompanitë që t'i strehojnë profitet e tyre përtej detit dhe të mos paguajnë taksa. "Sistemi tatimor territorial", të cilin ata janë duke e propozuar, e i cili nënkupton që kompanitë të taksohen vetëm në bazë të të ardhurave, të fituara brenda kufijve të vendit, do të përjashtonte përfitimet "offshore" të korporatave amerikane nga taksat dhe do ta lejonte një taksë të njëhershme prej 12% të përfitimeve të tyre "offshore" në formë të parave të gatshme, kur ato para të ktheheshin në SHBA. Në ndërkohë, derisa të pasurit dhe korporatat e mëdha janë duke marrë pauza të mëdha tatimore, rreth gjysma e familjeve të shtresës së mesme do të përjetojnë një rritje të tatimeve deri në fund të dekadës, duke eliminuar deduksionet për shpenzime mjekësore, norma të interesit të kredive studentore, të ardhurat shtetërore dhe lokale dhe tatimet në shitje, si dhe në kujdes shëndetësor për të vetëpunësuarit. "Paradise Papers" e bëjnë më të qartë sesa ndonjëherë se kemi nevojë, në SHBA dhe gjetiu në botë, për një sistem tatimor i cili është i drejtë, progresiv dhe transparent. Tani është koha, në SHBA dhe në botë, që njerëzit të bashkohen dhe ta sulmojnë babëzinë e oligarkëve. Ne mundemi dhe duhet të krijojmë një ekonomi globale e cila do të funksionojë për të gjithë, e jo vetëm për një grusht miliarderësh.

(Bernie Sanders është duke shërbyer mandatin e tij të dytë në Senatin amerikan)

(Kosova Sot)