Eksperimenti i dështuar i Eurozonës

Eksperimenti i dështuar i Eurozonës
  • 30 July 2015 - 08:10

Shkruan: Kevin Hjortshøj O’Rourke

Fuqizimi i ekstremistëve politikë rrezikon projektin evropian

Unioni Monetar Evropian asnjëherë nuk ka qenë ide e mirë

Jeta është e mbushur me lëvore bananesh dhe nëse shkel në një lëvore të tillë, duhet të përshtatesh. Mirëpo, unioni monetar kishte dalë të jetë një lëvore gjigante e bananes, përfshirë këtu edhe rrjedhjet e kapitalit, që i kishin shtyrë kostot në periferi të Evropës

Unioni Monetar Evropian asnjëherë nuk ka qenë ide e mirë. Më kujtohet habia ime kur, si asistent i ri i profesorit, e pata kuptuar që isha në kundërshtim me Traktatin e Mastrihtit. Kam besuar atëherë atë që e besoj edhe sot: integrimet evropiane janë një gjë e mirë. Mirëpo, librat e ekonomisë, me të cilat shpjegoja, tregonin se sa dëmtues ishte UME-ja, në rast të mungesës së unionit politik dhe fiskal të Evropës.

Asgjë që ka ndodhur që prej atëherë nuk më ka bindur që librat kanë qenë shumë pesimistë. Përkundrazi, ato kanë qenë shumë optimiste. Jeta është e mbushur me lëvore bananesh dhe nëse shkel në një lëvore të tillë, duhet të përshtatesh. Mirëpo, unioni monetar kishte dalë të jetë një lëvore gjigante e bananes, përfshirë këtu edhe rrjedhjet e kapitalit, që i kishin shtyrë kostot në periferi të Evropës. E, përshtatjet, si puna e devalvimit të valutës, nuk kanë qenë opsion.

Për më tepër, shumica e librave shkollorë të asaj kohe i kishin injoruar sektorët financiarë, duke e injoruar kështu edhe faktin që rrjedhja e kapitalit drejt periferisë do të kanalizohej nëpërmjet bankave e kur kapitali të ndalonte së rrjedhuri, krizat e bankave do t’i godisnin shtetet periferike. Kjo, më pas, do të ndikonte në gërryerjen e balancës së bankave dhe krijimit të kreditit, gjë për të cilën kemi dëgjuar shumë kohëve të fundit. Asnjë libër nuk kishte parashikuar që bashkëpunimi evropian do të impononte ashpërsi mbi shtetet e goditura nga kriza, që kanë krijuar depresione të mëdha, që nganjëherë i kanë rivalizuar edhe depresionet e viteve të 1930-a.

Ka qenë e qartë tash e disa vite që UME-ja ekzistuese ka qenë një dështim i kushtueshëm, edhe në aspektin ekonomik edhe në atë politik. Besimi në institucionet evropiane ka rënë, ndërsa partitë politike janë skeptike, jo vetëm për euron, mirëpo për gjithë projektin evropian. Andaj shumica e ekonomistëve, edhe ata që asnjëherë nuk kanë qenë të etur për UME-në në fillet e tij, kanë hezituar për të nxjerrë argumente që ka ardhur koha për ta braktisur eksperimentin e dështuar.

Euro rrezikon të bëhet ‘nëna e të gjitha krizave financiare’

Një artikull i famshëm i Barry Eichengreen-it ka theksuar që një shpërbërje e Unionit Monetar të Evropës do të rezultonte si ‘nëna e të gjitha krizave financiare’. Është e vështirë të mos pajtohemi me të. Pikërisht për këtë arsye ekonomistë nga mbarë bota, pa marrë parasysh se a kanë qenë përkrahës të këtij eksperimenti apo jo, i kanë kaluar pesë vjetët e fundit duke punuar në zhvillimin e një pakete për ndërmarrjen e reformave institucionale dhe ndryshimeve politike, që do ta bënin Eurozonën më pak jofunksionale.

Në periudhë afatshkurtër, Eurozona ka nevojë për politika më të lira fiskale dhe monetare, sikurse që ka nevojë edhe për caqe më të larta të inflacionit, çlirim nga borxhi, një union të përshtatshëm bankar si dhe për asete ‘të sigurta’, të cilat do të mund të mbaheshin nga bankat.

Fatkeqësisht, ekonomistët nuk kanë dhënë argumente të fuqishme për një union të përshtatshëm fiskal. Edhe ata që e konsiderojnë atë si ekonomikisht të nevojshëm nuk flasin pa hezitim, pasi që besojnë që një gjë e tillë është politikisht e pamundur. Problemi është që heshtja e ka ngushtuar edhe më shumë frontin e mundësive politike, duke bërë që edhe propozimet më modeste, të mos shtrohen.

Tani, kur kanë kaluar pesë vjet, Eurozona ende nuk ka një union të përshtatshëm bankar, gjë të cilën e ka demonstruar edhe kriza e fundit në Greqi. Për më tepër, një cak më i lartë i inflacionit vazhdon të jetë i paimagjinueshëm, ndërsa Qeveria gjermane vazhdon të thotë që falja e borxheve është ilegale në Eurozonë. Përshtatja fiskale, pro-ciklike, vazhdon të jetë në rend të ditës.

Vendimi i fundit i Bankës Qendrore Evropiane për lehtësimet në masë ka qenë një hap i mirëpritur para, mirëpo vendimet shkatërruese të politikanëve për mbylljen e sistemit bankar të një shteti, është një hap shumë më i madh prapa. Askush nuk po flet për union real, qoftë ai fiskal apo politik, përkundër faktit që askush nuk mund ta imagjinojë një Eurozonë, që mbijeton nën status quo.

Dëmi i pariparueshëm politik

Dëmi politik po vazhdon të ndodhë. Jo të gjitha partitë protestuese janë aq proevropiane sa Syriza e Greqisë. Ndërsa, politikat e brendshme po vazhdojnë të dëmtohen nga paaftësia e politikanëve të qendrës për adresimin e shqetësimeve të votuesve në lidhje me politikat ekonomike dhe deficitin demokratik. Ekziston frika që një gjë e tillë mund të ndikojë në rritjen e mbështetjes për skeptikët.

Kështu që në Francë, presidenti socialist, François Hollande, e citon Jean-Baptiste Say-n, duke argumentuar që furnizimi krijon kërkesat, ndërsa Fronti Kombëtar i Marine Le Pen-it e citon Paul Krugman-in dhe Joseph Stiglitz-in. Andaj, nuk është për t’u habitur fakti që votuesit e klasës punëtore po shkojnë nga partia e saj.

Një fitore e Frontit Kombëtar, në zgjedhjet e vitit 2017 apo 2022, gjë që nuk është më e paimagjinueshme, do ta shkatërronte projektin Evropian. Qytetarët e shteteve më të vogla, anëtare të Eurozonës, kanë mbajtur shënime mbi mënyrën brutale të politizimit të BQE-së kur ka qenë puna për arritjen e synimeve të Gjermanisë në Greqi, andaj edhe përfundimi që Eurozona është një ‘union’ i rrezikshëm për shtetet e vogla është i pashmangshëm. Nëse fuqitë qendrore vazhdojnë me këtë ritëm, ekstremistët politikë do të fitojnë shumë territor të çmueshëm.

Sa i përket ekonomistëve si puna ime, që jemi tërhequr nga mbrojtja e teorisë që eksperimenti i euros është një eksperiment i dështuar, ndoshta ka ardhur koha për ta pranuar disfatën dhe për të vazhduar tutje. Nëse vetëm antievropianët e kundërshtojnë Unionin Monetar të Evropës, foshnja e BE-së mund të përfundojë duke u hedhur tutje.

Përfundimi i euros, në fakt, do të mund të provokonte një krizë të menjëhershme. Mirëpo, pyeteni veten: A besoni që euro do të vazhdojë të jetë këtu, pas një shekulli? Ndërsa, asnjë kohë për përfundimin e përdorimit të euros, nuk do të jetë kohë e duhur. Andaj, është më mirë që një gjë e tillë të ndodh para se të shkaktohen dëme më të mëdha.

(Kevin Hjortshøj O’Rourke është profesor i historisë ekonomike në Universitetin e Oksfordit.)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”