Prisni numërimin në Prishtinë dhe Prizren, verdikti i qytetarëve është kryesori

Prisni numërimin në Prishtinë dhe Prizren, verdikti i qytetarëve është kryesori
  • 22 November 2017 - 08:29

SHKRUAN: RAGIP GURAZIU

Sipas rezultateve të KQZ-së, partia që ka fituar më së shumti komuna nga zgjedhjet lokale të 22 tetorit, mbajtjes se balotazhit të 19 nëntorit, fituese e parë tani na doli se është AAK-ja, por pa fitore nuk mbeti as VV-ja. Iu dha grusht i rëndë PDK-së dhe LDKsë, të cilat humbën bastionet e tyre më me rëndësi, sidomos PDK-ja - ''Jerusalemin'', Prizrenin. Ndryshe, sipas KQZ-së, AAK-ja ka fituar pesë komuna (Gjakova, Obiliqi, Rahoveci, Suhareka, Klina), PDK-ja ka fituar katër komuna (Kaçaniku, Shtimja, Ferizaj, Dragashi), LDK-ja ka fituar katër komuna (Gjilani, Istogu, Podujeva, Vushtrria), VV-ja fiton tri komuna (Kamenica, Prishtina, Prizreni), AKR fiton një komunë (Mitrovica), Nisma fiton një komunë (Malisheva).

Për Prishtinën dhe Prizrenin duhet pritur numërimin e votave me kusht

Derisa janë publikuar rezultatet preliminare, disa komuna ende nuk e kanë përmbyllur fituesin dhe bëhet fjalë për komunën e Prishtinës dhe atë të Prizrenit, ku votat me kusht pritet të përcaktojnë gjithçka. Komuna e Prishtinës, ku prin Shpend Ahmeti me diku diç më shumë se 200 vota përballë Arban Abrashit, për rezultatet përfundimtare duhet të presë edhe numërimin e më shumë se 1800 votave me kusht. Këto dy gaborre, VV-ja dhe LDK-ja, presin në ankth numërimin e votave me kusht, që LDK-ja po thotë se shumica e votave me kusht janë në favor të saj. Por, derisa nuk mbyllet gjithçka nuk duhet të flasë asnjëra palë. Derisa janë publikuar rezultatet preliminare, disa komuna ende nuk e kanë përmbyllur fituesin. Edhe komunat serbe dolën fituese. Pakoja e Ahtisarit dhe gabimet e tona na kanë sakatuar, 10 komuna serbe në zemrën e Kosovës, një minoritet që nuk e gëzon këtë standard askund në botë ka fituar në shumë komuna. Ndryshe, Srspka ka arritur t'i fitojë 11 komuna në këto zgjedhje të mbajtura sivjet në vendin tonë. Mitrovica e veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Shtërpce, Novobërdë, Leposaviq.

Duhet të dilet masivisht në zgjedhje

Për të pasur një komunë, një qeveri dhe një parlament stabil, e nevojshme është një pjesëmarrje më e madhe e qytetarëve në zgjedhje, duke marrë parasysh se në të kaluarën përqindja e tyre nuk ka qenë e kënaqshme. Në anën tjetër, populli i Kosovës ka pasur rastn t' i njohë ata të cilëve u ka dhënë besimin për disa mandate radhazi dhe në bazë të këtyre rezultateve mund të vendosë. Duhet ta nxjerrin një qeveri dhe një parlament kredibil, më të vullnetshëm dhe më të ndërgjegjshëm për ta çuar Kosovën përpara, si në zhvillimin ekonomik, në zbatimin e ligjshmërisë, në ndaljen e korrupsionit e krimit të organizuar, në zgjidhjen e problemeve të mëdha me të cilat Kosova po ngec. Pra, Kosovës i duhet një qeveri që me platformën e saj bën diferencën në të gjithë sektorët e zhvillimit. Këtë diferencë mund ta bëjë vota e popullit. Kosovës i duhet një qeveri me një platformë shumë më efikase, sidomos në zhvillimin ekonomik, ku do të krijoheshin vende të reja pune dhe qytetari ynë ardhmërinë dhe perspektivën ta shohë në vendin e tij, e jo në kërkim të migrimit, në një vend tjetër. Pa zhvillim ekonomik nuk ka as rritje të standardit jetësor, i cili në Kosovë është i ulët. Kosova, siç e dimë të gjithë, ka resurse të mjaftueshme natyrore për ta bërë diferencën ekonomike, si në industri, në ekonominë e vogël, e sidomos në bujqësi, turizëm dhe në sektorët e tjerë ekonomikë. Kosovës i duhet një qeveri që përmes ligjit e lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe pa fitimin e kësaj beteje nuk mund të ketë progres e as zhvillim të demokracisë. 'Duke pasur përballë Serbinë, një armik që kërcënon shqiptarët me projektet e saj pushtuese, qeveria dhe legjislatura e re, sa më shpejt do të duhej ta formojnë ushtrinë, e drejtë e një shtetit të pavarur për të mbrojtur popullin dhe territoret e saj. Ne na duhet një qeveri pro-perëndimore, e cila shpejton proceset integruese në Bashkësinë Evropiane dhe në NATO. Të gjitha këto mund të kapërcehen nëse Kosova do të vihet para interesave personale, grupore, klanore dhe nëse vota e qytetarit shkon atje ku duhet dhe nuk manipulohet. Pra, Kosova të jetë mbi të gjitha. Koha nuk pret, duhet të zëmë hapin. Është obligim kushtetues e moral që çdo qytetar të Republikës së Kosovës të votojë për të ardhmen e tij!

Autori është gazetar -analist i pavarur

(Kosova Sot)