Rinumërimi i votave në Prishtinë, domosdoshmëri

Rinumërimi i votave në Prishtinë, domosdoshmëri
  • 23 November 2017 - 08:47

SHKRUAN: RESHAT SAHITA

Heshtja e VV-së, Albin Kurtit e Shpend Ahmetit

Kësaj here krerët e VV-së e dinë se për të fituar Prishtinën dhe qytete të tjera kanë manipuluar, dhe nëse bëhet rinumërimi do t'u dalin në shesh të gjitha parregullsitë e VV-së, të planifikuara shumë kohë para zgjedhjeve. Kërkesa e LDK-së për rinumërim ose rivotim është një kërkesë legjitime dhe demokratike, sepse vetëm pasi të rinumërohen qytetarët tanë do të binden në transparencë dhe në zhvillimet e proceseve demokratike në Kosovë

Gjatë zgjedhjeve të fundit komunale nuk është shënuar ndonjë incident madhor, gjë që dëshmon për vetëdijesimin e qytetarëve tanë se vetëm përmes votës së tyre arrihet ndryshimi, e jo me akte agresive e brutale të dhunshme, kërcënime, shantazhe dhe manipulime të natyrave të ndryshme. Është hera e parë që Albin Kurti dhe partia e tij, VV, nuk e alarmuan opinionin tonë me ankesa të tyre për parregullsi, siç vepronin në të kaluarën, duke i akuzuar dhe duke paraqitur ankesa të panumërta kundër të gjitha partive të tjera. Sa herë që këta të VV-së nuk fitojnë, gjejnë pretekste të ankohen e të paraqiten si viktima të sistemit, e madje për këtë ata nuk hezitojnë që për këtë të mos zgjedhin mjete dhe metoda për të shkatërruar jo vetëm objektet e institucioneve tona, por edhe shtetësinë e brishtë tonë, e madje duke e sakrifikuar edhe jetën e militantëve më besnikë e më të devotshëm të VV-së. Kësaj here krerët e VV-së po heshtin dhe po i pranojnë rezultatet ashtu siç janë, pa kërkuar rinumërimin e tyre, sepse dolën "fitues" në Prishtinë e në Prizren. Kësaj here, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti nuk po ankohen, e as nuk po protestojnë, sepse i "fituan" Prishtinën dhe Prizrenin dhe nuk janë ithtarë të rinumërimit të votave. Mirëpo, sikur rezultati të ishte i kundërt, VV-ja do të kishte dalë në protesta, duke djegur dhe duke shembur çdo gjë në kryeqytet, siç vepronin herëve të kaluara. Kësaj here krerët e VV-së e dinë se për të fituar Prishtinën dhe qytete të tjera kanë manipuluar, dhe nësebëhet rinumërimi do t'u dalin në shesh të gjitha parregullsitë e VVsë të planifikuara shumë kohë para zgjedhjeve.

LDK-ja, me kërkesa legjitime dhe demokratike

Kryesia e partisë së LDK-së, pas analizimit të procesit zgjedhor, kanë hetuar shumë parregullsi që janë bërë nga VV-ja, që rëndë e dëmtojnë LDK-në, e veçmas kandidatin e tyre Arban Abrashin, që ka shumë dyshime se iu kanë vjedhur votat në favor të Shpend Ahmetit. Kërkesa e LDK-së për rinumërim ose rivotim është një kërkesë legjitime dhe demokratike, sepse vetëm pasi të rinumërohen, qytetarët tanë do të binden në transparencë dhe në zhvillimet e proceseve demokratike në Kosovë. Çuditërisht, liderët e VV-së kërkesën për rinumërim të të gjitha kutive po e quajnë "huti dhe mjegull"! Në një prononcim për medie Visar Ymeri , menjëherë e kundërshtoi ashpër Ismet Beqirin dhe partinë e tij, LDK, duke i quajtur se kjo parti po kërkon të fusin huti dhe mjegull. Për çfarë hutie apo mjegulle e ka fjalën Visar Ymeri? Rinumërimi i të gjitha kutive në komunën e Prishtinës ose edhe të Prizrenit nuk do të krijonte as huti e as mjegull, por në të kundërtën do të ndikonte në transparencë. VV-ja e quan huti dhe mjegull kërkesën e Ismet Beqirit, sepse me rinumërimin e votave në Prishtinë ka shanse të mëdha që Arban Abrashi të dalë fitues, e Shpend Ahmeti mashtrues. Nëse gjatë rinumërimit do të konfirmohet se fitues do të jetë Arban Abrashi nga LDK-ja , LVV-ja do ta humbë simpatinë edhe të atyre militantëve të paktë që ende nuk i kanë ikur e që do t'i ikin. Nuk duhet harruar se nga 21 qershori e deri në zgjedhjet lokale, VV-ja i humbi mbi 100 mijë vota. Mbi 100 mijë vetëm brenda tre muajve, e hetuan se VV-ja është një sekt agresiv, të cilët luftojnë për pushtet dhe pasurim personal të liderëve. Rinumërimi i të gjitha kutive në Prishtinë dhe në Prizren do t'ua çjerrë maskën e rrejshme të patriotizmit të VVsë, të cilët e kanë manipuluar opinionin tonë duke e bombarduar se të gjithë të tjerët janë hajna e këta na qenkan patriotë. Rinumërimi i votave do të konfirmonte se VV-ja janë manipulues dhe hajna, sepse ata manipuluan dhe i kanë vjedhur votat e qytetarëve tanë.

Hetimi i OJQ-së, që ka vepruar në dobi të VV-së, është obligim i organeve tona

Nga gazetarët hulumtues të medieve të Kosovës është konfirmuar se LVV-ja ka bartur qytetarët e Prishtinës dhe të komunave të tjera deri në qendrat e vendvotimeve, duke u "ndihmuar" atyre që të votojnë kandidatin e VV-së. Visar Ymeri, në një deklaratë, përpiqet që këtë fakt ta arsyetojë, duke thënë se edhe në SHBA i ndihmojnë qytetarët, duke i dërguar deri në qendrat ku ata duhet të votojnë. Në fakt, si në SHBA dhe në çdo vend të botës, partia ka të gjitha të drejtat që më shpenzime të veta të organizojnë autobusët, trenat apo edhe aeroplanët që anëtarëve të tyre t'ua lehtësojnë udhëtimet, por jo me para të qeverisë. Partia i shfrytë- zon donatorët privatë për fushata të tilla e në asnjë mënyrë një OJQ. Në bazë të ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës, dihet se një OJQ subvencionohet nga institucionet shtetërore, qoftë lokale apo qendrore. Nëse OJQ-ja, e cila ka siguruar transportimin e qytetarëve deri të kutia e votimit, ishte e financuar nga VV-ja, çdo gjë është në rregull. Mirëpo, në Kosovë asnjë OJQ nuk financohet nga asnjë parti politike, por nga institucionet vendore ku edhe precizohet se për çka ato para duhet të shpenzohen. Nëse kjo shoqatë ekziston si e tillë, kur e ka bërë kërkesën për përkrahje materiale patjetër që e ka precizuar se ata do t'i bartin çdo qytetar pa dallim partie dhe pa insistim për t'ua ndërruar mendjen se për kënd duhet të votohet. Në bazë të pamjeve të xhiruara fshehtas nga Klan Kosova, duket se kjo OJQ e ka keqpërdorur fondin dhe ndaj tyre duhet të kërkohet hetim dhe dënim për mashtrim. 

Pse VV-ja proteston?

Krerët e VV-së gjithnjë janë në depresion kur nuk fitojnë. VV-ja kundërshton për çdo gjë dhe kundër çdo force tjetër politike dhe çdo intelektuali që nuk mendon si VV-ja. VV-ja i quan hajna të tjerët, e vetë është pjesë e hajnisë dhe bizneseve mafioze. VV-ja i akuzon partitë e tjera kur ato nuk bëjnë koalicion më ata, e kur më vonë bëjnë marrëveshje i harrojnë të gjitha akuzat. Si mund të bëjnë koalicion me AKR-në, kur nuk ka shumë kohë liderët e VVsë e akuzonin Behgjet Pacollin me akuzat më të rënda e më të pista?! Kërkonin të bënin koalicion me LDK-në, e në fakt e akuzonin Isa Mustafën. Shembulli më i mirë është Gjermania e këtyre ditëve se si një parti me program tjetër nuk mund të bëjnë koalicion me një parti që programi i tyre nuk përputhët. Partia LVV nuk kanë parime, nuk kanë humanitet, nuk kanë transparencë dhe para së gjithash nuk kanë vizion kombëtar për të mirën e qytetarit. Kur VV-ja vjedh është ok; kur VV-ja falsifikon është ok; kur VV-ja manipulon është ok; kur VV-ja hedh gaz lotsjellës është ok; kur VV-ja akuzon të tjerët është ok.

VV-ja keqpërdor jetën dhe karrierën e militantëve

Ngritja e VV-së me gjakun e bijve dhe bijave më të devotshëm shqiptarë është strategjia dhe rruga e vetme që liderët e kësaj partie e shohin vetën në pushtet. Që nga themelimi e deri më sot, VV-ja si motiv për nxitje të militantëve e ka përdorur kartën e patriotizmit e duke akuzuar tjerët si hajna e klani 'Pronto', e në fakt vetë janë hajna dhe pjesë e pandashme e klanit 'Pronto'. Për liderët e LVV-së nuk ka rendësi jeta e një militanti, aq sa ka rëndësi ngritja e tyre në piedestalin e pushtetit. Për liderët e VV-së nuk ka rëndësi shkatërrimi i jetës së militantëve, aq sa ka rëndësi kapja e pushtetit. Si mund të arsyetohet vdekja e katër militantëve të VV-së në Kosovën e pavarur? Si mund të bëjnë gjumë të rehatshëm prindërit e Mon Balajt e të tre militantëve të tjerë, kur janë të vetëdijshëm se bijtë e tyre nuk vdiqën për çlirimin e Kosovës, por për ngritjen në piedestal të Albin Kurtit, Shpend Ahmetit… e të cilët krekosen se janë partia që nuk i frikësohet askujt. Si mundën të bëjnë gjumë të rehatshëm prindërit e atyre bijtë e bijat e të cilëve u dënuan me shumë vjet burg të rëndë jo për të kundërshtuar Kuvendin e Serbisë , por për të shembur e djegur Kuvendin e ngritur me djersën dhe gjakun e baballarëve tanë?! Si mund të flenë të qetë prindërit e shumë të rinjve, që bijtë e bijat e tyre janë angazhuar në VV me tërë kapacitetet e tyre intelektuale dhe fizike, duke i lënë studimet në gjysmë?! Do të ishte shumë konstruktive sikur dikush të bënte një hulumtim shkencor se sa djem e vajza nga VV-ja e humbën karrierën e tyre shkencore. Sa djem e vajza i braktisën studimet për të qenë aktivistë të dalluar? Sa djem e vajza u rebeluan kundër prindërve të tyre? Sa djem e vajza u keqpërdorën skajshmërisht nga abuzime të ndryshme e të paskajshme nga krerët e VVsë për interesa personale? Sa djem e vajza u dënuan për sjellje të tyre agresive ndaj pasurisë shoqërore të Kosovës pa pasur asnjë nevojë? Ndryshimet në Qeveri arrihen me debate parlamentare e jo me gaz, me rrahje e me djegie. Veprimet e tilla agresive sikur të ishin bërë kundër armikut serb gjatë kohës së okupimit do të arsyetoheshin nga opinion shqiptar, sepse dikush duhet të sakrifikohet për çlirimin e atdheut. Dikush duhet të burgoset për t'u çliruar atdheu. Po sot kur atdheu është i çliruar, ne nuk kemi nevojë të hedhim gaz lotsjellës e as të sillemi me agresivitet ndaj të gjithë atyre që nuk mendojnë si VV-ja. Është e natyrshme që VV-ja lufton për pushtet e jo për shtet, por një parti që prioritet e ka pushtetin e jo shtetin, ajo parti duhet të eliminohet nga skena politike. Është për t'u habitur se si VV-ja nuk doli të protestonte kundër vendimit të gjyqit që kisha ortodokse, e ngulur me lejen e babait të Erzen Vraniqit nga VV-ja, të fitonte edhe katër hektarë tokë?! Është për t'u habitur se si VV-ja kurrë nuk proteston kundër ligjeve drakoniane serbe , por kundërshton kundër vendimeve të Qeverisë se Kosovës?! Është për t'u habitur se si VV-ja i grumbullon rreth vetes bijtë e bijat e ish-spiunëve të Serbisë e i largon bijtë e bijat e patriotëve shqiptarë?!

(Kosova Sot)