Perëndimi i Angela Merkelit

Perëndimi i Angela Merkelit
  • 24 November 2017 - 11:12

PHILIPPE LEGRAIN

P ërkundër të gjitha krizave dhe problemeve që e kanë goditur BE-në gjatë dekadës së kaluar, një pikë stabile ka qenë qeveria e kancelares gjermane Angela Merkel. Por, pas dështimit të bisedimeve rreth formimit të një koalicioni të ri, Merkel papritmas duket 'e vdekshme'. Edhe pse largimi i Angela Merkelit mund të mos ndodhë menjëherë, pushteti i saj është duke perënduar. Me një Gjermani që është e detyruar që të merret më shumë me veten e saj, derisa përpiqet që ta formojë një qeveri të re, në qendër të Evropës është paraqitur një boshllëk, të cilin nuk do të mund ta mbyllë i vetëm presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Zgjedhjet federale të shtatorit tanimë e kanë dobësuar Merkelin. Mbështetja për Unionin e saj Kristian-demokrat (CDU) dhe partinë e saj simotër bavareze, Unionin Kristian-social (CSU), ka rënë në nivelin më të ultë që nga viti 1949. Duke qenë se social-demokratët (SPD), partnerët e saj paraprakë, të koalicionit të madh qeveritar, kanë vendosur që të qëndrojnë në opozitë, pasi që kanë përjetuar suksesin më të vogël të tyre që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, Merkel ishte e detyruar që të tentonte ta formonte një koalicion trepalësh, me euroskeptikët dhe me Partinë liberale të lirë demokratike (FDP) si dhe me eurofilët e Gjelbër. Më pas, natën e së dielës, lideri i FDP-së braktisi bisedimet rreth formimit të koalicionit. Tani, nuk është e qartë rruga që duhet ndjekur. Nuk duket e mundshme që FDP-ja t'iu kthehet bisedimeve. Edhe pse Merkel mund t'i ofrojë FDP-së koncesione shtesë, gjuha e përdorur nga Lindner nuk duket se ka lënë hapësirë të madhe për një gjë të tillë dhe, Të Gjelbrit thonë se nuk janë të gatshëm për kompromise shtesë. Po ashtu duket e pamundur që SPD-ja ta rishqyrtojë vendimin e saj që të ngelet në opozitë. Për ta bërë një gjë të tillë, liderët e SPD-së me siguri do ta kërkonin kokën e Merkelit. Merkel mund të përpiqet që ta udhëheqë një qeveri të paprecedentë të pakicës, e cila nuk do të mund të ishte as e qëndrueshme, e as efikase. Për këtë shkak, më së shumti ka gjasa që, vitin e ardhshëm, të mbahen zgjedhjet e reja, në të cilat CDU mund apo nuk mund të udhëhiqet nga Merkel. Por, vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, nuk mund të merret nga Merkel. Së pari Bundestagu duhet ta zgjedhë një kancelar, ku Merkel ka gjasa që të zgjidhet në raundin e tretë të votimeve, me ç'rast kërkohet shumica e thjeshtë për të fituar. Në atë moment, presidenti Frank-Walter Steinmeiermay i cakton zgjedhjet e reja, nëse mendon se Merkel nuk mund ta udhëheqë një qeveri stabile.

Distanca ndaj presidentit amerikan Donald Trump

Mund të jetë tepër herët që të shkruhet përkujtimi për Merkelin. Ajo, fundja, ia ka dalë që të mbetej në pushtet për 12 vjet. Por, pa marrë parasysh se çka mund të ndodhë, Merkel është keq e 'plagosur' dhe ditët e saj duken të numëruara. Janë shuar të gjitha shpresat se ajo do të mund ta përdorë mandatin e saj të katërt, për ta lustruar trashëgiminë e saj. Ikja e Merkelit nuk do të ishte fatkeqësi për Gjermaninë, apo Evropën. Ekonomia e Gjermanisë nuk është aq e suksesshme, sa që mendojnë shumë njerëz: punëtorët shumë pak kanë përfituar nga eksporti i madh i vendit, investimet publike nuk janë adekuate, dhe fuqia prodhuese e Gjermanisë, e cila është në kërkim të vazhdueshëm të inovacioneve, nuk është përgatitur si duhet për problemet e ardhshme digjitale. Nën udhëheqjen e Merkelit, ekonomia ka lëvizur ngadalë përpara, në vend të adresimit të dobësimeve të saj gjithnjë e më të mëdha. Merkel po ashtu e meriton një pjesë të madhe të fajit për gjendjen e vështirë aktuale të BE-së. Përgjatë tërë krizës së eurozonës, në të cilën pozita e Gjermanisë si kreditor kryesor, e vuri Merkelin në vendin e shoferit, ajo bëri vetëm aq sa të lëvizte makinën, asgjë më tepër. Ajo kurrë nuk u përpoq që t'i bindte gjermanët rreth përgjegjësisë së tyre si hegjemonë të ekonomisë, për ta rregulluar sistemin në mënyrë të drejtë, në interes të të gjithëve. Pasi që kishte hezituar gjatë verës së vitit 2015, aftësia përshtatëse më në fund bëri që Merkel ta luante një rol shumë më pozitiv në krizën e refugjatëve. Mirëpritja e më shumë se 1 milion refugjatëve, ishte veprim i duhur. Por, tentimi i saj për imponimin e një zgjidhjeje pan-evropiane, dështoi, kështu që ajo tani në një masë të madhe e ka zhvendosur sfidën e ballafaqimit me azilkërkuesit nga Greqia dhe Italia, duke u mbështetur te muret dhe kontrollimet kufitare të vendeve të tjera, me qëllim të pengimit të refugjatëve për të shkuar në Gjermani.

Aleancat 'ad hoc'

Merkel po ashtu ka pasur të drejtë në mbajtjen e distancës ndaj presidentit amerikan Donald Trump dhe në mbrojtjen e vlerave liberale, të cilat ai i urren. Por, kjo zor se e bën atë "lidere të botës së lirë". Gjermania mbetet një 'kalorëse e lirë' në rendin ekonomik, politik dhe të sigurisë, si në Evropë, po ashtu edhe në botë. Po ashtu, asnjëherë nuk ishte pritur që Merkel ta shpë- tonte kryeministren britanike, Theresa May, në kuadër të negociatave të ngecura rreth Brexitit. Edhe pse Gjermania ka një bilanc të madh pozitiv tregtar me Britaninë, për Merkelin më shumë rëndësi ka integriteti i tregut të përbashkët të BE-së, si dhe bizneset gjermane, sesa arritja e një marrëveshjeje 'miqësore' me Britaninë e madhe. Por, edhe pse Merkel si e tillë mund të mos i mungojë kujt edhe aq, një vakum i pushtetit në Berlin paraqet rrezik për shpresat e ringjalljes së BE-së. Merkel e kishte zakon që të ankohej rreth dobësisë së paraardhësit të Macronit, François Hollande; tani e kemi një situatë të kundërt. Planet e qarta të Macronit për ta ringjallur projektin evropian bazohen te një partneritet francez-gjerman. Pa një palë homologe gjermane, të gatshme që të ndërmarrë rreziqet e nevojshme politike, ai do ta ketë të vështirë t'i çojë përpara planet e tij për ta reformuar eurozonën dhe për ta arritur një integrim më të afërt rreth migrimit, mbrojtjes dhe shumë gjërave të tjera që kanë rëndësi për vet Gjermaninë. Nëse Macron dëshiron që të arrijë progres, atij do t'i duhet që të mbështetet më shumë te aleancat 'ad hoc' me liderët e tjerë të BE-së. Në fund, gjëja më e mirë që ai mund të presë, është që vakumi i pushtetit në Gjermani të jetë relativisht i shkurtër dhe që ai që do të vijë pas Merkelit të jetë një pro-evropian më i guximshëm.

(Philippe Legrain është themelues i Rrjetit të hapur të ekonomisë politike (OPEN), që ka për qëllim çuarjen përpara të shoqërive liberale dhe të hapura)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)