Sa e rrezikojnë Kosovën mercenarët e kthyer nga lufta e Sirisë ?

Sa e rrezikojnë Kosovën mercenarët e kthyer nga lufta e Sirisë ?
  • 04 December 2017 - 08:24

Luftuan për atdhe të huaj 

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ 

Një numër i madh djelmosha dhe vajza nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare shkuan të luftonin në Siri, të cilët gjatë luftimeve u treguan të devotshëm në mbrojtjen e shtetit fantom islamik. Djelmoshat dhe vajzat shqiptare ishin xhihadistët ndër më të çmendurit dhe më të dallueshmit, sepse shefat e zonave ku zhvilloheshin luftimet i " çmonin " i " vlerësonin " duke i dekoruar dhe duke i graduar. Xhihadistët shqiptarë nga shefat e tyre arabë trajtoheshin si të frustruar dhe të çmendur, ngase kishin shkuar për të luftuar për një atdhe që nuk ishte atdheu i tyre; për një sekt religjioz që nuk ishte i shqiptarëve; për një luftë që nuk ishte luftë për interesa të shqiptarëve … Trajtoheshin si vullnetarë të çmendur, sepse kur atdheu ynë e kishte nevojën e këtyre luftëtarëve këta ishin strehuar nën fustanet e nënave te tyre. 

Pse shkuan të luftonin në Siri ?

Sipas statistikave, në Siri shkuan një numër i konsiderueshëm djem e vajza shqiptare, të manipuluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë. Rekrutimi në trojet shqiptare kishte filluar në vitin 2013. Lidhja e rekrutimit të shqiptarëve bëhej në disa mënyra: a) propaganda e një portali me pronarin serb që e kishte krijuar në shtetet skandinave; b) fjalimet e zjarrta të imamëve nëpër xhamitë tona, të cilët flisnin duke e glorifikuar luftën e shtetit fantom islamik; c) specialistët shqiptarë të përgatitur nga Serbia, të cilët ua rregullonin kalimin e kufirit në vijën Preshevë -Beograd-Stamboll. Xhihadistët shqiptarë ishin të vetmit luftëtarë që dalloheshin edhe për nga ngjyra dhe raca, sepse të tjerët ishin arabë, afrikanë ose indonezianë. Në Kosovë është bërë një keqinterpretim kur thoshin e shkruanin se luftës në Siri iu janë bashkuar francezët, gjermanët suedezët e të tjerë. Në fakt, para disa muajve gruaja e Albin Kurtit e kishte botuar një analizë për t'i mashtruar edhe më shumë shqiptarët se në luftë kishte më shumë francezë se sa shqiptarë. Francezët, të cilët shkuan në Siri, ata kishin pasaporta dhe nënshtetësi franceze, por ishin arabë dhe asnjëri prej tyre nuk ishte francez i pastër. Për opinionin botëror shkuarja e shqiptarëve në luftën e Sirisë, ishte një alarm që e fuste dyshimin se shqiptarët nuk e meritojnë lirinë e tyre, ngase ishte e paimagjinueshme të vdisje për një atdhe të huaj kur atdheu yt ishte dhe vihej në rrezik ekzistenca e njohjes së shtetit të Kosovës. Shqiptarët u nisën në luftën xhihadiste për të fituar para të majme të premtuar nga spiunët e Serbisë, për të fituar 72 femra të bukura në Parajsë, sepse në jetën e përditshme u mungonin dhe si pretekst e përdorën nisjen se po shkonin për t'i mbrojtur popullsinë arabe. Këta luftë- tarë naivë e të manipuluar harrojnë se xheneti dhe 72 bukuroshet nuk fitohen duke luftuar për një atdhe të huaj, e as për ta mbrojtur një popull mijëra kilometra larg, por fitohet kur e mbron popullin tënd. Nisjen për në luftën e Sirisë e ndihmuan edhe disa parti politike të cilat për të fituar votat e komunitetit mysliman në Kuvendin e Kosovës votonin ligjin për përdorimin e shamive në shkolla, ligje për përdorimin e lutjeve fetare në vend te punës si në zyrat e qeverisë, në lokalet e universitetit, lejendërtimin e xhamive në vendet më strategjike të qyteteve të Kosovës, edhe pse ato xhami ishin dhe janë të papërshtatshme për lutjet fetare, sepse u ndërtuan dhe ende vazhdojnë të ndërtohen buzë autostradave tona… Asnjëra nga partitë politike pozitë-opozitë kurrë nuk e bëri pyetjen dhe nuk e shtruan nevojën të hetohet origjina e fondeve të xhamive që po binin si kërpudhat pas shiut në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.  

Xhihadistët e kthyer janë bombë e kurdisur kundër shtetit tonë

Dihet se shqiptarët u nisën në luftë të manipuluar dhe me trurin e shpërlarë nga shërbimet sekrete të disa vendeve fqinjë për të dëmtuar imazhin e Kosovës, ndërsa disa shërbime sekrete më të largëta, si Turqia, xhihadistët shqiptarë i përdori për interesa të tyre kundër kurdëve, kurse disa shtete perëndimore po ashtu për interesa të veta, siç ishte rasti i shqiptarit nga Zvicra, i cili u vra pasi u zbulua se kishte folur me telefon me një personalitet të lartë të qeverisë zvicerane… Po ashtu, dihet se xhihadistëve vullnetarë qe nga kontakti i parë me rekrutuesit duhej të ruanin sekret vullnetin e tyre për të shkuar në Siri, duke mos guxuar të tregonin as babait, nënës, vëllait e motrës, e as të fejuarës apo dashnores. Që të ruhet një sekret i tillë si shkuarja në luftë për një atdhe të huaj e që kthimi në Kosovë do të ishte praktikisht i pamundur, xhihadisti duhej të kishte një premtim shumë përfitues në aspektin material dhe moral si dhe kërcënimin për një ndëshkim. Pra, xhihadisti para se të vendoste për të shkuar në luftë ka marrë premtime për shuma të mëdha si dhe në rast të vdekjes 72 bukuroshe do ta presin në botën tjetër, nga njëra anë, dhe nëse tregon prindërve apo të më të dashurve rekrutuesi e ka kërcënuar se organizata e tyre sekrete do ta ekzekutonte. Rekrutuesit janë paraqitur si të plotfuqishëm dhe se organizata e tyre sekrete ka shumë të tjerë, të cilët do ta vrisnin nëse shkuarjen e bënë publike. Xhihadistëve fillimisht ua shpërlanin trurin që ata të mos ishin të aftë të logjikonin për asgjë, sepse për ata tjetërkush mendon. Më të arritur në kampin e luftës, xhihadistët tanë u pritën nga " zyrtarë " të shtetit islamik duke u thënë se ishin trima të vërtetë të islamizmit dhe xhenetin e kishin të fituar qe në arritje, mirëpo për të fituar grada të tjera në xhenet duhej të tregonin edhe guxim në luftë. Mirësjelljet e " zyrtarëve " të luftës dhe lavdet e shumta që ua bënin, xhihadistët tanë ende larg frontit të luftës , i merrnin si krenari dhe privilegje. Gjatë javëve që kalonin në front " zyrtarët " e luftës arabe u rrëfenin se tërë bota së shpejti do të bëhej islamiste dhe në botë luftëtarët do të ishin udhëheqës të sistemit të ri botëror, ku Sheriati do të mbretëronte kudo në botë, e në rast se do vriteshin, pritja në xhenet do të bëhej nga 72 virgjëresha më të bukura në botë. Në rast se jeta e tyre do të rrezikohej dhe do t'u jepej mundësia të largoheshin nga lufta, këta xhihadistë duhej të ktheheshin në atdheun e tyre e të qëndronin të heshtur deri në momentin e përshtatshëm. U thuhej po ashtu se kudo që shkonin e kudo që do të gjendeshin këta janë të zgjedhurit e Allahut dhe duhet të vepronin sipas urdhrave të tij. Xhihadistët shqiptarë zakonisht ishin të lënë jashtë shoqërisë së rrethit ku jetonin, pa ndonjë përgatitje shkollore e zakonisht të frustruar dhe pa një trashëgimi familjare kombëtare. Nga prindërit me tradita të larta kombëtare do ta kishin edukuar fëmijën e tyre me rrëfime të luftës së fundit, me heroizmat e luftëtarëve tanë, me masakrat që ka përjetuar populli ynë dhe nga këto rrëfime asnjëri nuk do të ishte nisur në luftën e pakuptimtë të Sirisë. Nuk është aspak e rastësishme që kur intervistoheshin prindërit e xhihadistëve të vrarë në Siri, ata nuk dinin asgjë, e madje as nuk e kishin imagjinuar se djali apo vajza e tyre ishte duke luftuar në luftën e pakuptimtë për një shtet fantom e virtual.

Riatdhesimi i xhihadistëve, problem ndërkombëtar

Shteti i imagjinuar islamik tanimë ka përfunduar së ekzistuari. Një numër i konsiderueshëm luftëtarësh janë zënë rob dhe do të gjykohen sipas ligjeve të vendit, e që ato ligje janë në shumicën e rasteve ekzekutim. Një numër tjetër janë kthyer ilegalisht në trojet shqiptare, ndërsa disa të tjerë janë larguar nga Siria për të vazhduar rezistencën në vende të tjera arabe, si Egjipt, Jemen … Duke mos pasur asnjë vend tjetër për të gjetur strehim, xhihadistët e zhgënjyer duhet të riatdhesohen në vendin e origjinës. Përveç xhihadistëve, ka edhe një numër të madh fëmijësh, të cilët kanë lindur në Siri gjatë kohës sa prindërit e tyre ishin në luftë. Riatdhesimi ka krijuar një problem të ri kudo në Evropë, e sidomos në Francë, ku ka disa kohë ky shtet është duke hetuar prindërit dhe familjet e xhihadistëve për ndihmën e tyre që familjarët u kanë dërguar në vijën e frontit, të cilët do të ndëshkohen për ndihmën që ua kanë dhënë fëmijëve të vet. Në bazë të shtypit francez, mendohet që janë mbi 1000 fëmijë që kanë lindur gjatë luftës dhe të cilëve u takon nënshtetësia franceze, pavarësisht se ata lindën në Siri. Qeveria franceze është duke marrë masa preventive për riatdhesimin e fëmijëve të lindur në Siri , sepse sipas disa specialistëve, ekziston frika se këta fëmijë në të ardhmen do të shndërrohen në terroristë. Një mendim të tillë ekziston edhe për xhihadistët e zhgënjyer, të cilët po ashtu dyshohet se këta kanë urdhra që pasi të riatdhesohen të vazhdojnë me akte terroriste në Francë apo në vendet e tyre të origjinës. Ekspertët francezë mendojnë se gjatë luftës këtyre personave u është bërë shpëlarja e trurit dhe i kanë edukuar që të qëndrojnë të qetë për një kohë derisa të zhduket dyshimi se këta janë të rrezikshëm. Brenda kësaj kohe të qetë, këta duhet të kryejnë vepra të mira humanitare dhe të paraqiten të zhgënjyer, duke folur e duke deklaruar kundër luftës së tyre në Siri, që të fitojnë besimin tek fqinjët, shoqëria e deri të autoritetet, e pastaj të vihen në veprim për luftën e shenjtë islamiste. Në bazë të një shkrimi në një gazetë amerikane, thuhet se Franca ka bërë marrëveshje sekrete që robërit e zënë të vriten e që asnjëri prej tyre të mos riatdhesohet. Sipas ekspertëve të luftës, më mirë që këta të vriten në Siri sipas ligjeve të luftës sesa më vonë të pësojë popullsia e pafajshme.

Kosova, pa ndonjë zgjidhje konkrete për riatdhesim të xhihadistëve

Këto ditë, kryeministri i Kosovës deklaroi se duhet të kujdesemi për riatdhesimin e xhihadistëve shqiptarë. Rehabilitimi i xhihadistëve shqiptarë do të paraqet një problem madhor, mirëpo ne shqiptarët as që mendojmë për ardhmërinë e fëmijëve tanë dhe mirëqenien e popullit. Në bazë të Kushtetutës së R. Kosovës, çdo qytetar i Kosovës që shkon në luftë në një shtet tjetër më të cilin shtet nuk kemi shpallje për luftë, do të dënohet rëndë. Xhihadistët shqiptarë tanimë nuk u ka mbetur vend tjetër janë detyruar të kthehen në vendlindje. Në Maqedoni thuhet se janë kthyer 80 xhihadistë, të cilët jetojnë ilegalisht. Në fakt, shërbimi sekret i Maqedonisë e dinë saktësisht ku ndodhen dhe në momentin kur këta janë të padëshirueshëm do t'i burgosë, ose do t'i fusë në ndonjë sulm terrorist për interesa shtetërore. Xhihadistët shqiptarë që janë nisur për në Siri, shteti i Maqedonisë i ka mbajtur në shënjestër dhe i ka përdorur për interesa të tyre. Kthimi i tyre edhe pse për opinion tonë paraqitet se jetojnë ilegalisht nuk është e vërtetë, siç nuk është e vërtetë as qëndrimi i luftëtarëve në Kumanovë. Në bazë të një ajeti në Kuran, thuhet se kur myslimani gjendet në një mes jo mysliman, duhet të qëndrojë i urtë, i sjellshëm dhe të respektojë banorët në rrethin ku jeton deri kur ai të forcojë rrethin e tij më mysliman të tjerë, e pastaj të vrasin ata të fesë tjetër. Ministria e Brendshme e Kosovës nuk ka asnjë informatë lidhur më kthimin e xhihadistëve, e madje Qeveria jonë po planifikojnë që këta t'i presin më lule si viktima. Xhihadistët nuk duhet trajtuar nga Qeveria si viktima, por si kriminelë, të cilët në vend se të luftonin për Kosovën shkuan të luftonin për arabët. Xhihadistët duhet të ndëshkohen për shkuarjen në luftë në Siri, ndërsa fëmijët e tyre të lindur në Siri gjatë luftës të trajtohen nga psikologë tanë dhe të edukohen në frymë kombëtare. Çdo iniciativë tjetër për rehabilitim dhe mirëpritje do të jetë gabim i Qeverisë së Ramushit. 

(Kosova Sot)