A e duam me të vërtetë Mark Zuckerbergun në krye të botës? - Opinione - Kosova Sot
A e duam me të vërtetë Mark Zuckerbergun në krye të botës?

A e duam me të vërtetë Mark Zuckerbergun në krye të botës?

KOMPANIA E TIJ ËSHTË LEGJENDË E SË ARDHMES

Ai dëshiron të ndalë ndryshimet klimatike

Shkruan: John Harris

Kjo pyetje është gati një vit e vjetër dhe nuk është më duke u shtruar me aq zell, sa që ishte rasti gjatë verës. Por, le të provojmë përsëri: a ka mundësi që Mark Zuckerberg të garojë për president të SHBA-së? Themeluesi, kryesuesi dhe shefi ekzekutiv i kompanisë "Facebook" e kishte filluar vitin 2017 duke publikuar 'sfidën' e tij më të re: një përkushtim për të vizituar 30 shtete të SHBA-së, ku më përpara nuk kishte qëndruar kurrë, gjë që tanimë e ka realizuar. Përgjatë rrugës, ai takoi votuesit e Trumpit, duke matur disponimin në një kohë post industriale dhe duke parë me sytë e tij dëshmitë rreth krizës opioide të vendit të tij. Ai tani flet rreth rëndësisë së komunitetit dhe rreth nevojës që gjenerata e tij ta gjejë një sens të përgjithshëm të qëllimit, në vend të sugjerimit të aktorit kryesor në një shfaqje shkollore rreth Bobby Kennedy-t. "Disa prej jush kanë pyetur a dmth kjo sfidë se do të garoj për ndonjë post publik", kishte shkruar ai në maj. Muajin paraprak, ai kishte drekuar me një familje, mbështetëse të Trumpit, në Njuton Falls, Ohajo, anëtarëve të së cilës dukej se nuk iu pengonte fakti që ai kishte marrë me vete ushqimin e vet si dhe disa ndihmës dhe, bëhet me dije, kishte thënë: "Nëse do t'iu thërras ndonjë reporter i lajmeve, mos harroni t'i thoni se nuk jam duke garuar për president". Por, në anën tjetër, ne po ashtu e dimë se bashkëpunëtorët e tij të afërt i kanë folur atij rreth "asaj gjësë së shërbimit qeveritar" dhe sesi përqafimi i saj nga ana e tij, do të mund të përshtatej me aksionarët e "Facebook"-ut; sesi organizata e tij bamirëse ka angazhuar disa insajderë të Uashingtonit, duke përfshirë edhe David Plouffe-n, menaxherin e kampanjës së Barack Obama's në vitin 2008; dhe se ai ka ndërmarrë një hap të çuditshëm, duke hequr dorë publikisht nga ateizmi i tij. 

Utopizmi digjital

Tani për tani, ambiciet e mundshme politike të Zuckerberg-ut nuk paraqesin ndonjë çështje. Shumë më shumë rëndësi ka ajo që tanimë e dimë: se fuqia (ndikimi) e tij është titanike dhe "Facebook" është duke ndikuar në të kuptuarit e miliona njerëzve rreth asaj se kush janë dhe cili është vendi i tyre në botë, shpesh në mënyra të zymta. Për të qenë më specifikë, promovimi i "lajmeve të rreme" nga "Facebook"-u mbetet një problem i madh. Rrëfimi i manipulimit të tij nga forcat gjeopolitike, kryesisht nga Rusia, të cilat e shohin atë si një vegël të përshtatshme për formësimin e botës, vetëm sa ka filluar që të ekspozohet. Ndërkohë, duket se asgjë nuk e ka dobësuar ëndrrën e Zuckerbergut dhe të bashkëpunëtorëve të tij për një platformë të komunikimit, e cila do të mbledhë një sasi aq të madhe të informatave personale, sa që do të bëhet njëfarë truri global në zgjerim të vazhdueshëm dhe, përpos kësaj, si mjeti i vetëm i besueshëm për t'i reklamuar gjërat te njerëzit. Duke ia ngulur sytë një fytyre e cila disi kombinon një ngathtësi të thellë me një optimizëm të pashuar, me gjasë për faktin se Zuckerberg tani është më i pasur sa s'ka, shpesh e kam pyetur veten: si e kupton ai tërë këtë? Duke qenë se kompania e tij është legjendë e së ardhmes, Zuckerberg disi është një rikthim i së kaluarës së politikës. Shpesh është thënë se fama ngrinë zhvillimin e njerëzve në moshën në të cilën ata bëhen të famshëm; sikur edhe te shumë yje të Luginës së silikonit, edhe te ai ka diçka nga kjo sindromë. Kur u lansua "Facebook", në vitin 2004, kriza globale ishte katër vjet larg dhe, liberalët e pasur dhe të suksesshëm ende mund të mbështeteshin te kredoja e cila ka karakterizuar pjesën më të madhe të dekadës paraprake: një përzierje e një filantropie të mjegullt, të futur në kulturë nga "Live Aid", me politikat e lidhura për së afërmi, të sjella në skenë së pari nga Tony Blair dhe Bill Clinton. Në këtë vizion, të forcuar nga utopizmi digjital, globalizimi ishte madhështor, kapitalizmi i liberalizuar ishte gjë e dhënë dhe çdo vështirësi mund të tejkalohej ose me anë të vullnetit të mirë, apo thjesht, të injorohej pa probleme. Pa marrë parasysh 11 shtatorin e vitit 2001 dhe fillimin e Luftës në Irak, asgjë nuk e kishte penguar këtë 19 vjeçar nga vendimi i tij që të pasurohej dhe ta ndryshonte botën. Trembëdhjetë vjet më pas, ai vazhdon që ta bëjë një gjë të tillë. Sensi i ri i misionit të Zuckerberg'ut ishte paraqitur në fjalimin që ky ish-student që braktisi studimet në Harvard. Ai dëshiron të ndalë ndryshimet klimatike. Ai ka për qëllim që të jetë pjesë e një gjenerate e cila "i jep fund varfërisë dhe iu jep fund sëmundjeve". Ai flet rreth "një niveli të pabarazisë në pasuri e cila dëmton të gjithë", dhe thotë se dëshiron "një shoqëri e cila e matë përparimin jo vetëm me parametra ekonomikë, sikur që është GDP-ja, por edhe në bazë të asaj se sa prej nesh kanë një rol të cilin e konsiderojnë domethënës". Ai flet rreth të qenit në anën e "lirisë, hapjes dhe komunitetit global", kundër "autoritarizmit, izolimit dhe nacionalizmit". Por, secila prej këtyre fjalëve ven në pah mangësinë e njëjtë. Qëllimi duket në rregull. Por, çka mund të thuhet për mënyrat për të ardhur deri te ky qëllim?

Beson te bamirësia

Në rastin e Zuckerberg-ut, ndjenja e pranisë së hipokrizisë bëhet edhe më e fortë nga kontradiktat që ekzistojnë rreth tij. Derisa e formëson utopinë e tij të mjegullës, ai thotë: "Njerëzit si unë duhet të paguajnë për një gjë të tillë". Por, ai nuk e përmend të kaluarën e diskutueshme të kompanisë së tij rreth taksave, duke thënë, në vend të kësaj, se ai beson te bamirësia. Edhe pse vështirësitë e vazhdueshme të "Facebook"-ut mund ta kenë tronditur atë, ai nuk ka idenë se karakteristikat dhe operacionet e kësaj kompanie kanë nevojë për ndonjë fre. Përkundrazi. Duke gjykuar nga deklaratat e tij të fundit në lidhje me atë sesi shoqëria dhe politika janë bërë më të ndara dhe më të brishta, Zuckerberg dëshiron që "Facebook" ta zhvillojë një infrastrukturë sociale, për t'ua dhënë njerëzve fuqinë për ta ndërtuar një komunitet global, i cili funksionin për të gjithë ne. Sikur retorika e tij të ishte thjesht një front për ndjekjen cinike të fitimit, Zuckerberg dhe puthadorët e tij, herët a vonë, do ta shihnin absurditetin e kësaj dhe do të tërhiqeshin. Por, situata është shumë më e keqe, për arsyet të cilat janë shprehur për bukuri në "Chaos Monkeys", memoaret e botuara tash vonë të një insajderi, të quajtur Antonio García Martínez. "Facebook është plot me besimtarë të vërtetë, të cilët me të vërtetë nuk e bëjnë këtë për para", thotë ai "dhe me të vërtetë, ata nuk do të ndalen derisa çdo burrë, fëmijë dhe grua në botë të mos e fiksojë shikimin e tij në dritaren me korniza të kaltra me logon e "Facebook"-ut... Njeriu lakmitar gjithmonë ka një çmim me të cilin mund të blihet dhe sjellja e tij është e parashikueshme. Por, fanatiku nuk ka çmim me të cilin shitet dhe nuk mund të dihet se çka do të bëjë ai, apo pasuesit e tij, të ndikuar nga vizionet e tij të çmendura". Nga kjo dalin dy mendime. Së pari, pse Zuckerberg do ta shqetësonte veten me një gjë provinciale, sikur që është presidenca, kur ai e ka fuqinë që ëndrrat e tij arrogante t'i bëjë realitet global? Së dyti, duke pasur parasysh se lajthitjet liberale të së kaluarës së afërt janë pjesë e madhe e arsyes pse bota gjendet në një kaos të këtillë, a ka ndonjë njeri të rritur që të jetë ulur me të për t'ia kujtuar se, sikur që thoshim në shekullin XX, udha për në xhehenem është e shtruar me qëllime të mira?

(John Harris është analist i gazetës britanike "Guardian") 

(Kosova Sot)

1 orë e 30 minuta më parë
16/07/18