Formimi i koalicionit do të ishte fundi i kancelares Merkel

Formimi i koalicionit do të ishte fundi i kancelares Merkel
  • 05 December 2017 - 16:44

Shkruan: Philip Stephens

Bilancet pozitive dhe një agjendë pro-EU do të mund ta sfidonin SPDnë, derisa epoka e Merkelit i afrohet fundit Në Berlin flitet vetëm për dy tema. Njëra ka të bëjë me atë se a do të ketë sukses Angela Merkel në lidhje me përfshirjen e social-demokratëve në një koalicion tjetër, të madh. Dhe, tema tjetër shtron pyetjen se kush do të ishte më i përshtatshmi për ta zëvendësuar kancelaren në postin e liderit të krisitandemokratëve. Këto dy tema janë të ndërlidhura midis tyre. Një marrëveshje me SPD-në konsiderohet e mundshme vetëm për shkak se largimi i Merkelit tani është në horizont. Ora e ikjes së saj filloi të rrihte pasi që ajo dështoi ta korrte një fitore bindëse në shtator. Në mesin e kristiandemokratëve thuhet se Merkel ende nuk e ka marrë veten nga ky dështim. Thuhet se asaj i mungon energjia. Ajo nuk ofron asnjë shenjë të ndonjë 'dizajni të madh' për katër vitet e ardhshme. Ajo është gjithnjë e më e varur nga një grup i vogël i këshilltarëve, derisa vizitorëve në kancelari iu thuhet se Merkel kishte vendosur që t'ia lëshojë rrugën dikujt tjetër qysh para zgjedhjeve të sivjetme. 

Kritikët e ashpër të politikës së Merkelit ndaj refugjatëve

 Por, pas hapjes së kufijve në vitin 2015, ajo nuk mund t'i ikte detyrës së integrimit të refugjatëve. Një ndryshim gjeneratash në krye, është joshës për pjesëtarët ambiciozë, por të panjohur në partinë e Merkelit. Kritikët e ashpër të politikës së saj ndaj refugjatëve, parasysh kanë figurat si Jens Spahn, sekretari rinor i shtetit në ministrinë e financave, me orientim djathtist. Të vjetrit anojnë kah Annegret Kramp-Karrenbauer, kryeministre e Saarlandit. Zonja Kramp-Karrenbauer nuk ka shërbyer ndonjëherë në kabinetin federal. Por, ajo ka një histori të fitimit të zgjedhjeve. Nëse mbetet për t'iu besuar pëshpëritjeve, ajo është e përzgjedhura e Merkelit. Pasuesi në këtë post mund të jetë dikush që nuk është përmendur fare më lart. Ajo që ka rëndësi është se, perspektiva e largimit të Merkelit, duhet ta largojë një pengesë të rëndësishme me të cilën ballafaqohen partnerët e koalicionit të ardhshëm. Tri herë deri më tani, përqafimi i kancelares ka ngufatur partnerët e saj në zgjedhjet vijuese. Të parët ishin social-demokratët, më pas liberalët ekonomikë nga partia Demokratët e lirë, e më pas, për herë të dytë, SPD. Mungesa e konkurrencës politike në qendër, ofronte mbulesë për progresin e të djathtës ekstreme dhe të majtës ekstreme - të partisë nativiste "Alternativa për Gjermaninë" dhe të ish komunistëve, "Die Linke". Frika nga përsëritja e historisë, bindi Christian Lindnerin, liderin e partisë Demokratët e lirë, që t'i ndërpriste bisedimet pas zgjedhore me Merkelin rreth formimit të një të ashtuquajture koalicion të Xhamajkës, e cila do t'i përfshinte edhe Të Gjelbrit.

Rrëshqitja në të djathtë e Gjermanisë

Duke hequr dorë nga qëndrimet e ashpra ndaj migracionit dhe reformave të eurozonës, duket sikur Lindner është duke e shndërruar partinë e tij në një alternativë "të respektueshme" ndaj AfD-së. Gjermania përjetoi një rrëshqitje në të djathtë, në zgjedhjet e shtatorit, dhe partitë janë duke shkuar tani në të njëjtin drejtim. Se a është i ndjeshëm fakti që Demokratët e lirë të angazhohen për përfitimin e votave të cilat shkuan për AfD-në, kjo mbetet një pyetje e hapur. Por, në një aspekt, Lindner ka gabuar. Kësaj here, një partner në qeveri do të kursehet nga sprova e luftimit kundër zonjës Merkel. Momenti i saj tanimë ka kaluar. Kristian-demokratët do të hyjnë në zgjedhjet e tjera me një lider të ri. Ka edhe arsye tjera pse SPD-ja duhet ta rishqyrtojë kundërshtimin e saj fillestar ndaj arritjes së një marrëveshjeje. Shumica e njerëzve kanë vërejtur se ekonomia e Gjermanisë është duke ia dalë shumë mirë. Në fakt, eurozona, si e tillë, është duke u rritur më shpejt sesa ndonjëherë kohëve të fundit. Një gjë që është vërejtur më pak, është një grumbullim i jashtëzakonshëm i bilanceve pozitive qeveritare në Gjermani. Ministrat në qeverinë e Merkelit flasin për një "mal me para". Ky fat i mirë financiar nuk kufizohet vetëm te qeveria federale. Me përjashtim të njërit nga 16 shtetet e Gjermanisë, kanë bilance pozitive. Për një parti të qendrës së majtë, e cila beson te fuqia e qeverisë për transformimin e shanseve jetësore të atyre me më pak fat, ky do të ishte një moment i çuditshëm për të qëndruar anash. Schulz ka hetuar atë që mund të quhet 'rasti evropian për koalicion'. Reagimi i Merkelit ndaj planeve për reforma të mëdha në BE, të promovuara nga presidenti francez Emmanuel Macron, ka qenë i kufizuar nga mirësia, deri te qëndrimi 'i vakët'. Gjatë bisedimeve me Lindnerin, kancelarja ka bërë me dije se nuk ndjen asnjë obligim ndaj presidentit francez. Kjo dmth se SPD-ja ka gjasa për të pasur sukses. Përkundër të gjitha shqetësimeve rreth transferimeve financiare te fqinjët e saj më të varfër, Gjermania vazhdon që, në esencë, të mbetet një vend pro BE-së. Asgjë nga kjo që u tha nuk e bën të paevitueshëm formimin e një koalicioni.

Kushtetuta e Gjermanisë stimulon arritjen e kompromisit

 Aktivistët themelorë të SPD-së janë treguar më pak të prirë ndaj një koalicioni, sesa disa prej figurave më prominente të kësaj partie. Ekziston një dyshim se ish- ministrat janë tepër të etur që të vazhdojnë të përfitojnë nga postet. Pas një rezultati të keq zgjedhor, në pyetje është edhe pozita udhëheqëse e Schulzit. Shumë në partinë e tij mendojnë se qëndrimi në opozitë është esencial për një të rimenduar fundamental, i cili nevojitet për ta rikthyer dhe zgjeruar apelin e qendrës së majtë. Për këtë shkak, një dështim i bisedimeve të koalicionit, nuk ka të ngjarë që të provokojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Kushtetuta e Gjermanisë stimulon arritjen e kompromisit. Politikanët e marrin përgjegjësinë me seriozitet. Njerëzit, tha një ministër, nuk kanë votuar për ne, në mënyrë që ne t'iu themi që të votojnë përsëri. Një qeveri e pakicës, e formuar nga CDU-ja dhe partia e saj simotër në Bavari, CSU, do të ishte risi. Ajo do të mund të zgjaste nja dy vjet, apo edhe më pak. Por, do të ishte më mirë sesa që vendi të dilte përsëri në zgjedhje. Më sfiduese është ta paramendosh Gjermaninë pa lideren e cila është bërë sinonim i saj.

(Autori është bashkëpunëtor i Richard von Weizsäcker nga Akademia "Robert Bosch" në Berlin)